Presidenti i Kenias, William Ruto, ka urdhëruar policinë të qëllojë nga këmbët protestuesit që sulmojnë bizneset, në një përshkallëzim të fortë të retorikës së tij, vetëm disa ditë pasi 31 persona u vranë gjatë demonstratave mbarëkombëtare kundër qeverisë.
“Ata nuk duhet t’i vrasin, por duhet t’i qëllojnë në këmbë që t’u thyhen dhe të shkojnë në spital rrugës për në gjykatë”, tha Ruto në kryeqytetin e Kenias, Nairobi.
Në deklaratat e tij më të ashpra deri më tani për valën e protestave që kanë përfshirë vendin e Afrikës Lindore (protesta kundër stanjacionit ekonomik, korrupsionit dhe brutalitetit policor) ai gjithashtu akuzoi kundërshtarët e tij politikë se po i organizojnë demonstratat dhe tha se disa nga protestuesit po zhvillojnë një “luftë” kundër shtetit.
“Ata që sulmojnë policinë tonë, ata që sulmojnë forcat tona të sigurisë, ata që sulmojnë strukturat tona të sigurisë, përfshirë stacionet e policisë, po bëjnë shpallje lufte, kjo është terrorizëm”, tha ai, sipas The Guardian. “Ne do të merremi me ju me vendosmëri. Nuk mund të kemi një komb të drejtuar nga terrori. Nuk mund të kemi një komb të qeverisur nga dhuna”.
“Ky shtet nuk do të shkatërrohet nga disa njerëz të paduruar që duan të ndryshojnë qeverinë me mjete antikushtetuese. Kjo nuk do të ndodhë.”