Albin Kurti citon Edita Tahirin që kishte denoncuar shkëmbimin e territoreve si ide ruso-serbe

Aktuale

Albin Kurti citon Edita Tahirin që kishte denoncuar shkëmbimin e territoreve si ide ruso-serbe

Më: 6 janar 2019 Në ora: 12:55
Albin Kurti

“Veriu nga Veri-Lindja”, ka shkruar Albin Kurti në Facebook, duke përsëritur, se sipas tij, shkëmbimi i territoreve mes Kosovës e Serbisë është ideuar nga Rusia. Këtë ai e ka mbështetur edhe te një letër ku Edita Tahiri para më shumë se një viti shkruante se ishte Serbia ajo që propozonte idenë e lëvizjes së kufijve në Bruksel. Një vit pas, promovuesi më i madh i kësaj ideje ishte presidenti Hashim Thaçi, ndersa kurti thotë se ky nuk është projekt personal i të parit të shtetit.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka cituar ish-kryenegociatorën e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahirin, në atë që ajo i kishte shkruar një vit më parë Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian, Federcia Mogherinit.

Sipas Kurtit, aventura e presidentit Thaci lidhur me lëvizjen e kufijve nuk është projekt i tij personal.

“Znj. Tahiri e patëm kundërshtuar e kritikuar me të drejtë përgjatë dialogut 2011-2017 me Serbinë. Mund të jetë vetëm më keq sesa që e thotë ajo në këtë letër që sot i mbushi një vit e gjysmë. Aventura personale e presidentit të Kosovës gjithsesi nuk është edhe projekt personal. Ky projekt vjen nga Serbia e Rusia, pra nga veri-lindja, në kontrast me aleancën e veri-perëndimit, NATO-n”, ka shkruar Kurti në Facebook. 

Ai tutje ka përmendur letrën që Tahiri ia ka shkruar ndërmjetësueses së dialogut, Mogherini, ku ka theksuar se gjatë bisedimeve me Serbinë në Bruksel, pala serbe ka propozuar ide si shkëmbimi i territoreve. Ndryshimi i kufijve më vonë publikisht është përmendur nga presidenti Hashim Thaci, i cili negocion me homologun serb, Aleksander Vuciq për arritjen e një marrëveshjeje mes dy shteteve.

“Në letrën e saj dërguar znj. Mogherini e që mban datën 6 korrik 2017, ish ministrja pa portofol dhe ish kryenegociatorja e Kosovës, znj. Edita Tahiri, ndër të tjera shkruan edhe këtë: “Serbia gjithashtu u përpoq të luante disa skenarë të natyrës gjeopolitike duke promovuar idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve, të cilat dukej se ishin ndikuar nga Rusia dhe ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin e saj, të humbur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Këto janë skenarë mjaft të rrezikshëm, të cilët kundërshtohen nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se pozicioni ynë i përbashkët strategjik është rreshtimi me botën Perëndimore dhe me komunitetin Euro-Atlantik.’”, thuhet në postimin e liderit të VV’së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat