Në debatin për mosdekretimin e Gent Cakajt në postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, nga ana e presidentit Ilir Meta, është kyqur edhe këshilltari i këtij të fundit, Tedi Blushi.
Blushi ka publikuar një video të kandidatit Cakaj gjatë një interviste me Baton Haxhiun, ku kishte folur për korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi.
“Ja kandidati i Batonit në studion e tij, i cili do të ndryshonte gjithë kufijtë e Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar ai sipër videos, përcjell Bota sot.
“Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht kjo nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje. Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”, kishte deklaruar Cakaj në emisionin e Haxhiut.
Në letrën e tij, presidenti Meta ka cituar Cakajn pikërisht për këtë qëndrim të tij rreth temës së korrigjimit të kufijve.
Këtë qasje të Cakajt, Meta e ka konsideruar si destruktive dhe të rrezikshme, duke refuzuar që ta dekretojë atë si ministër të Jashtëm të Shqipërisë.