Haradinaj thotë se bisedoi me Hahn-in për liberalizimin e vizave, asnjë fjalë për taksën

Aktuale

Haradinaj thotë se bisedoi me Hahn-in për liberalizimin e vizave, asnjë fjalë për taksën

Më: 17 janar 2019 Në ora: 16:54
Johannes Hahn dhe Ramush Haradinaj, pamje nga takimi

(E plotësuar) - Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se i ka treguar Komisionerit të BE’së për zgjerim, Johannes Hahn, se Kosova është e interesuar në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa s’ka pasur asnjë fjalë për taksën që po përplas tash e dy muaj atë me zyrtarë të lartë të BE’së.

Haradinaj as sot pas takimit me komisonerin Hahn nuk pati konferencë të përbashkët me të, ndërsa në Facebook ka dhënë një shpjegim formal mbi takimin.

Shefi i ekzekutivit tregon t’i ketë thënë Hahnit se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave dhe se pret verprim të shpejtë.

“Në takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ritheksova se pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së. Në këtë drejtim, kemi shënuar progres në agjendën europiane dhe pas përmbushjes në tërësi të kritereve për liberalizim presim një vendim të shpejtë, që të na njihet e drejta e lëvizjes së lirë”, ka shkruar Haradinaj në FB.

Komisioneri Hahn pas takimit me Haradinajn, do të udhëtojë për në Tiranë, ku do ta takojë kryeministrin Edi Rama. 

Image

***

Komisionari për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim Johannes Hahn ka zhvilluar sot një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj në Prishtinë, por nuk është bërë e ditur tema e diskutimit.

Po ashtu, nuk ishte paraparë të ketë deklarime për media pas përfundimit të takimit, i cili mbahet në kohën kur SHBA dhe BE-ja i kanë kërkuar Kosovës heqjen e taksave prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë.

Kryeministri Haradinaj më herët ka bërë të ditur qëndrimin e Prishtinës zyrtare se taksat ndaj Serbisë do të hiqen në momentin kur ajo të njeh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës.

Ndryshe, Hahn pas vizitës në vendin tonë, në orët e mbrëmjes do të qëndrojë për vizitë në Tiranë ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat