Zv/ministri pa konkuruar bëhet asistent i rektorit Kosumi

Aktuale

Zv/ministri pa konkuruar bëhet asistent i rektorit Kosumi

Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 21:08
Abdulselam Shkodra dhe Bajram Kosumi

Zëvendësministri në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Abdulselam Shkodra është angazhuar si asistent i jashtëm në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, pa konkurruar.

Shkodra i cili dyshohet se është mik i afërt i rektorit të Universitetit të Gjilanit,Bajram Kosumi, është bërë asistent i tij në lëndën “Metodologjia e kërkimit shkencor” dhe në lëndën “Shteti modern dhe Qeverisja Lokale” ku profesor është Zemri Elezi.

Në konkursin e shpallur më 14 shtator të vitit 2018, kërkohej një asistent në lëndën “Metodologjia e kërkimit shkencor”, mirëpo ne dokumentet emri i zëvendësministrit Shkodra nuk gjendet në listën e kandidatëve të pranuar në këtë universitet.

Ndërsa për lëndën, “Shteti modern dhe Qeverisja Lokale” nuk ka pasur konkurs fare. Pavarsisht kësaj, zv/ministri është punësuar si asistent, shkruan Insajderi.

Bajram Kosumi për punësimin pa konkurs të Shkodrës ka thënë se nuk e di se si është punësuar asistenti i tij.

Madje Kosumi ka mbyllur telefonin kur është pyetur sesi ka mundësi që nuk e di se si është punësuar zëvendësministri Shkodra.

“Nuk mundem me ditë qysh është punësuar sepse zakonisht ka procedura qysh punësohen. Nuk e di sepse unë jam rektor, pe përfundojmë bisedën këtu”, ka thënë Kosumi dhe ka mbyllur telefonin.

Kosumi ndër tjera ka thënë se emrat e asistentëve të angazhuar nuk publikohen në ueb faqen e universitetit. Ai është shprehur se për këto çështje duhet pyetur menaxhmentin e universitetit.

Ndërsa menaxhmenti i Universiteti ka thënë se Shkodra është angazhuar në bazë të statutit të Universitetit.

“Abdylselami Shkodra është asistent i angazhuar  ne UKZ, ai në këto lëndë  që ju keni cekur është angazhuar në bazë të Statutit të Universitetit, NENI 28, paragrafi 1 nënparagrafi 1.5  ku Rektorit i njihet e drejta për të punësuar”, thuhet në përgjigjen e universitetit.

“Z. Shkodra nuk është i punësuar si staf i rregullt i UKZ-se, por vetëm i angazhuar për një kohë të caktuar, derisa për këto lënde të shpallet konkurs i rregullt”, thuhet ndër tjera në përgjigjen e Universitetit të “Kadri Zeka”.

Kurse në rregulloren mbi procedurat e angazhimit të bashkëpunëtorëve të jashtëm me honorar në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, në Gjilan, në nenin e katërt thuhet se “procedurat e angazhimit bëhen në mënyrë transparente nëpërmjet shpalljes së konkursit publik”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat