Ministri i Brendshëm: Nëse do të ketë ndërhyrje politike jap dorëheqje

Aktuale

Ministri i Brendshëm: Nëse do të ketë ndërhyrje politike jap dorëheqje

Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 14:50
Ekrem Mustafa

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, nga Komisioni i Integrimeve Evropiane, kanë pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafën, për rastin e vajzës nga Drenasi, me të cilën dyshohet të ketë abuzuar seksualisht një polic dhe një mësues. Ministri i Brendshëm tha se ka kërkuar të ndërmirren masat e nevojshme edhe ndaj institucionit të policisë në tërësi. Sipas tij, ‘zingjiri hetimor nuk do të përfundojë këtu ku ka mbetur’.

Ekrem Mustafa që drejton Ministrinë e Punëve të Brendshme, sot për herë të parë ka raportuar para Komisionit për Integrimeve Evropiane.

Ndër të tjera, ministri u pyet për rastin e të miturës, ku një polic po hetohet për veprën penale, abuzim seksual ndaj saj.

Ditë më parë, Prokuroria ka konstatuar se V.V, pjesëtar i PK-së, ngarkohet me për veprat penale: keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin, dhe veprën penale -ndërprerja e palejuar e shtatzënësisë.

I pyetur nga deputetët, për këtë rast, Ekrem Mustafa tha se hetimet do të jenë të thella dhe se ka kërkuar të ndërmirren masa ndaj të gjithë atyre që janë të përfshirë.

Mustafa: Nuk ka përfunduar zingjiri hetimor

“Nuk do të thotë që ka me përfundu zinxhiri i hetimeve aty ku ka mbetur, kam kërkuar që të mirren masa edhe ndaj institucionit në tërësi, prej drejtorit të policisë, drejtoreshës, por për shkak se drejtoresha veç e ka bërë publike këtë rast nuk e kemi ndërmend të marrim masa, të gjitha këto kanë me qenë të njoftuar opinioni me kohë për shkak të mundësisë që ne mund të ndikojmë në hetimin e këtij rasti, inspektorati policor më raporton për çdo ditë, kontaktimin e kam për çdo ditë, me drejtorin e policisë bashkëpunimi është në nivel të duhur, procedura e hetuesisë sa i përket procesit çka i takon policisë është në zhvillim e sipër”, tha ai.

Ai tha të ketë ftuar në takim të gjithë ata që ishin të përfshirë me rastin.

Sipas tij, duhet të hetohet rasti që nga fillimi e edhe pse është tërhequr aktakuza fillimisht.

Mustafa: Të hetohet rasti i policit që nga dita e parë

“Në momentin kur e kam kuptuar rastin, kam bashkëpunuar dhe i kam ftuar në takim të gjithë akterët që duhet me qenë të involvuar në hetimin e këtij rasti dhe ka kërkuar që procesi i hetimit të filloi që nga dita e parë kur vajza, ose e dëmtuara, ka shkelë në institucionin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të hetohet personi që e ka marrë në pyetje ditën e parë, të hetohen pjesëtaret të cilët kanë marrë pjesë në atë takim, intervistim, të hetohet procedura e  hetuesisë në tërësi deri te momenti i tërheqjes së aktakuzës, të hetohet edhe procedura e tërheqjes së aktakuzës për çfarë arsye u tërheq, të hetohet rasti prej fillimit i  policit në fjalë, që është i përfshirë në aktakuzë duke filluar nga dita e parë, deri në ditën e 4 marsit”, tha ai.

Ministri i Brendshëm ka pranuar se rasti i fundit me vajzën e mitur nga Drenasi, e cila dyshohet të jetë keqpërdorur seksualisht, ndikon në kredibilitetin e institucionit të PK-së.    

Mustafa: Rasti ndikon në kredibilitetin e Policisë së Kosovës

“Rasti në fjalë ndikon mjaft në kredibilitetin dhe besueshmërinë e policisë. Por ne, nëse e hetojmë rastin në mënyrën më adekuate dhe merr epilogun e duhur, ky rast nuk do të jetë ai që do të humb besueshmërinë te policia”, tha ai.

Ai ka thënë se ka pasur takim edhe me ministrin e Drejtësisë, Prokurorin e Shtetit, dhe se kanë kërkuar që në mënyrë urgjente të vihet deri në dënimin e akterëve që janë të përfshirë në këtë rast.

Ndër të tjera, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Ekrem Mustafa ka thënë se nëse do të ketë ndërhyrje në politike në punën e tij si ministër, ai do të jep dorëheqje.

Mustafa: Nëse dikush interferon në punën time, jap dorëheqje

“Të jeni të bindur se ndërhyrje politike te unë nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë, dhe në atë moment që dikush interferon në punën time aty ku më takon, unë haptazi para jush jap dorëheqje. Edhe sa i përket policisë, në bazë të gjitha kompetencave që kam kom me u mundu me mbrojtë prej ndërhyrjeve politike, nuk do të përcaktona në individ të caktuar por sa i përket përgjegjësisë si institucion, institucioni duhet me qenë jashtë politikës dhe politika mos t’i shti durt në institucionin e policisë”, tha ai.

Përveç kësaj, ministri është pyetur edhe për tema të tjera, ku për policët që marrin paga të invaliditetit, ka thënë se janë në procedurë të hetimeve 148 prej tyre.

Gjithashtu, Mustafa ka thënë se në muajin e tretë do të paraqesë para ministrit të Financave sigurimet shëndetësore, ku siç tha ai, do të jenë 50 mijë euro në rast se humb jetën, dhe rreth 30 mijë euro shpenzime të mjekut.

“Kjo është e arritur e madhe. 50 për qind paguan punëmarrësi, 50 punëdhënësi. Pra policit i bie diku 18 euro të paguaj çdo muaj”, theksoi Mustafa.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat