Xhelal Sveçla e quan urith Kadri Veselin: Dielli i Lëvizjes sonë e ka mundur

Aktuale

Xhelal Sveçla e quan urith Kadri Veselin: Dielli i Lëvizjes sonë e ka mundur

Më: 21 shkurt 2019 Në ora: 00:51
Xhelal Sveçla

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla e ka komentuar përgjigjen e kryetarit të Kuvendit, ish shefit të SHIK-ut i cili sonte as nuk e pohoi e as nuk e pohoi se shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca ka qenë nën urdhrat e tij.

“Në pyetjen e Adriatik Kelmendit në emisionin Rubikon se a ka qenë në ShIK, Glauk Konjufca, ish kreu i ShIK-ut, Kadri Veseli mundohej të bëhej interesant duke mos thënë as po dhe as jo. Në fakt, po të kishte qenë Glauku në ShIK, Veseli do të thoshte jo, Glauku nuk ka qenë; meqë nuk ka qenë, dëshiron ta njollosë. Por, kot e ka ky urith. Dielli i Lëvizjes sonë e ka mundur”, ka shkruar Sveçla.

Në Rubikon, ai ka thënë se nuk dëshiron që të flasë për këtë çështje.

“Shkojmë tutje. Nuk është pjesë e diskutimit të kësaj studioje”, ka thënë Veseli.

Pas insistimeve ai ka thënë se “kushdo që i ka shërbyer vendit duhet të ndjehet krenar, por disa kanë mundur e disa nuk e kanë pasur këtë mundësi për shkak të moshës”, për ta lënë të paqartë përgjigjen rreth këtyre pretendimeve.

Veseli ka thënë se Prishtina dhe Kosova janë të vogla dhe dihet saktësisht se kush ka qenë pjesë e SHIK-ut.

“Tash nuk është momenti për të folur për këtë”, ka thënë Veseli.

Pretendimet se shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka qenë për një vit punonjës i SHIK-ut i tha në Kuvendin e Kosovës deputeti Dardan Molliqaj, që ishte bashkëpartiak i Konjufcës në Vetëvendosje, tash në PSD. Konjufca ka ushtruar “padi për shpifje” ndaj Molliqajt, në lidhje me këtë deklaratë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat