Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini thotë se me ardhjen e qeverisë së Haradinajt kanë filluar të ndryshojnë gjërat si me emërimin e ministrave ashtu edhe në përfaqësimin e vendit në botën e jashtme.
Kryetari i Gjakovës vlerëson se politikanët në Kosovë nuk janë mësuar të mendojnë vetë, prandaj edhe “shkunden” kur flet Haradinaj.
Shkrimi i plotë i Gjinit në Facebook:
Dy çështje që duhet komentuar dhe një rrjedhojë
Reagimi i Kryetarit të Serbisë në lidhje me emërimin e Ministres së Bujqësisë së Kosovës, përpos tjerash tregon edhe qasjen e qeverive të mëparshme të Kosovës ndaj Serbisë. Po duket se Vuçiq ka qenë mësuar të vendosë se kush do të jenë ministrat serb të Kosovës. Tani po duket qesharak.
Deklaratat e Kancelarit Austriak Kurz, po ashtu dëshmojnë diçka për qeveritë e Kosovës. Ato kanë lejuar që kushdo të flasë për territorin, për rregullimin kushtetues e për çkado tjetër për vendin tonë. Thuajse edhe vet ne besonim se shtetin e kemi për mahi.
Si rrjedhojë, nuk do mend se shumë politikanë të Kosovës (sidomos ata e ato që nuk përfaqësojnë asnjë fuqi as elektorale as ideologjike) shkunden krejt kur e dëgjojnë kryeministrin Haradinaj të mbajë qëndrim shtetërorë. Thjesht nuk janë mësuar të mendojnë vet. Kanë lundruar me vite, pa orientim, kah fryn era.