Miratohet platforma për dialogun

Aktuale

Miratohet platforma për dialogun

Më: 7 mars 2019 Në ora: 09:41

(E plotësuar) -  Drejtpërdrejt nga holli i Kuvendit

Kuvendi ka miratuar Platformën për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Platforma për dialogun ka marrë 61 vota për dhe 1 abstenim.

Kuvendi i Kosovës më herët ka miratuar shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr. 06/L-145 për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, me 58 vota për dhe 3 abstenime.

Tragjedia në Gjilan, kërkohet ndihmona e Qeverisë

Pas tragjedisë së rëndë që ndodhi sot në Gjilan, ku si pasojë e një aksidenti me fatalitet është lënduar një person dhe gjashtëmbëdhjetë të lënduar, deputetët i kanë kërkuar Qeverisë që t’i dal në ndihmë kësaj komune.

Deputeti i PDK-së, Zenun Pajazit, ka thënë se pas ngjarës tragjike në Gjilan, Qeveria t’i ndal në ndihmë kësaj komune.

Pajaziti: Qeveria t’i dal në ndihmë Gjilanit

“Nuk e di nëse komuna e Gjilanit ka kapacitete me menaxhu këtë emergjencë tash për tash. E ftoj kryeministrin me dikasterin e shëndetësisë të punëve të brendshme që t’i dal në ndihmë sa më shpejt komunës së Gjilanit, në mënyrë që të tejkalohet ky rast, kjo emergjencë dhe po ashtu i kërkojmë që të jemi pranë familjarëve dhe të gjithë atyre që kanë humbur në këtë tragjedi dhe do t’i dalim në mbështetje me sa mundësi që kemi“, ka thënë ai.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se po përcejllin nga afër këtë gjendje.

Haradinaj: Situata është në menaxhim

“Jam dëgjuar më herët me kryetarin e Gjilanit,  Haziri, mekanizmat lokal janë veprues, kemi biseduar me gjithë nivelin nacional, përfshirë inteligjencën, sigurinë, emergjencat po edhe njësit shëndetësore. Situata është në kontroll, në menaxhim, do të vazhdojmë t’iu qëndrojmë afër dhe të përcjellim nga afër këtë gjendje”,  ka thënë ai.

Ndryshe, një person ka humbur jetën dhe 16 të tjerë janë lënduar kur një kamioni i kanë dështuar frenat sot pasdite në Gjilan, me ç’rast janë shkaktuare dhe dëme të konsiderueshme materiale. Dy nga 16 të lënduarit në aksidentin e sotëm janë transferuar për trajtim në QKUK./

Votimi për platformën pas pauzës

Kuvendi nuk ka votuar platformën për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, pasi nuk ka pasur vota të mjaftueshme.

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se nuk do të votojnë nëse platforma nuk i ka 61 vota.

“Ne nuk votojmë, nuk ka kuptim platformë pa 61 vota. Votimi për platformën do të votohet pas 15 minutash pauzë që i ka dhënë kryetari i Kuvendit”, tha ai.

Kuvendi nis seancën e rregullt me projektligjin për delegacionin shtetëror

Kuvendi i Kosovës po vazhdon me seancën e rregullt, e cila me propozimin e PDK-së, deputetët kanë futur në rend dite shqyrtimin e platformës për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Po ashtu, është futur në rend dite, shqyrtimi i dytë i projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Zeka: Është turp që seanca po mbahet në Natën e Zjarreve

Deputeti i Nisma Socialdemokrate Milaim Zeka, ka pasur kritika se pse seanca po mbahet në ditën kur është Nata e Zjarreve.

"Më lejoni të shpreh protestën time ndaj mënyrës se si po e udhëheq seancën kryetari i Kuvendit Kadri Veseli. Po na diskriminon në dhënien e fjalës. Është turp për Kryesinë e Kuvendit me thirrë seancë në Natën e Zjarreve. Ne kemi ardhur sot me fol për një platformë në kohën kur deputetët e Kuvendit flasin për procedura e për rregulla, e ndërsa ne nuk e kemi nxjerrë një rregullore për punën tonë. Sa i përket platformës, ne mund të nxjerrim rezoluta, por ka edhe një mundësi tjetër që fuqitë e mëdha ShBA dhe  me i mbledh delegacionet e dy shteteve dhe me i izolua me muaj deri sa të arrihet marrëveshja. Sot nuk kemi folur për procedura. Po shihet që deputetët e LDK dhe të VV dojnë të vijnë vetëm ta bëjnë llugë. E kuptoj që ata dëshirojnë ta rrëzojnë Qeverinë. Nuk e kuptoj se pse dëshirojnë ta bëjnë llugë në çështjen e dialogut. Le të bisedojnë me neve deputetëve qà « dëshirojmë ta rrëzojmë Qeverinë dhe le t’i bëjnë 61 vota, por jo me e sabotu", tha Zeka.

Seanca ku po diskutohet platforma për dialogun është ndërprerë për të vazhduar në orën 14 e 30.

***

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj tha sot në seancë se për herë të parë e kanë një platformë dhe një ligj që iu jep kompetenca delegacionit për bisedime.

Sipas tij nëse Serbia qet kushte për dialogun atëherë duhet edhe Kosova t’i ketë kushtet e veta.

“Po bëhet një presion shumë i madh për taksën, ndërsa Kosova nuk e qiti kusht dosjen e të zhdukurve. Kosova nuk qiti kusht kush e bëri krimin në rastin ‘Panda’ në Pejë. Si rezultat i krejt kësaj ne e kemi platformën ku e kemi detyrat e delegacionit. Edee delegacioni i Kosovës duhet të fillojë ta ngrit zërin ndaj Serbisë, nëse ata na qesin kushte duhet edhe ne", tha Haradinaj.

Ndryshe seanca për platformën për dialogun po zhvillohet pa praninë e partive opozitare LDK-së dhe Vetëvendosjes.

Haradinaj: LDK-ja s’ka arsye ta lëshojë sallën ku po diskutohet tema më e ndjeshme

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka thënë se marrëveshja është temë e Qeverisë mirëpo pas një kohe të caktuar kompetencat për dialogun i ka marrë Kuvendi

“Unë i nënshtrohem vendimeve të parlamentit dhe e kemi kthyer temën te ju. Edhe diskutimet e juaja të sotme me të gjitha vërejtjet nuk mendoj se janë humbje kohe”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri u ka thënë deputetëve të diskutojnë për platformën pasi kjo sipas tij nuk është një “agjendë e fshehtë”.

“Jepni mendimet e juaja për materien, koha është e çmuar për të gjithë, kjo nuk është agjendë e fshehtë për t’a mashtruar Kosovën nuk keni arsye me e leshu sallën kur e kemi temën më të rëndësishme para vetes”, theksoi Haradinaj.

***

Deputetët e LDK-së e kanë lëshuar sallën ku po mbahet seanca e jashtëzakonshme.

Në këtë seancë po diskutohet për platformën dhe Ligjin për dialogun.

LDK qysh në fillim kërkoi që kjo seancë të shtyhet por e njëjta nuk mori votat e mjaftueshme. Deputetëve të LDK-së iu kanë bashkuar edhe ata të VV-së.

Haradinaj kërkon nga deputetët që të diskutohet për platformën dhe Ligjin për dialogun

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka arsyetuar kërkesën e tij për një seancë të jashtëzakonshme ku do të diskutohet platforma dhe Ligji për Dialogun.

Sipas Haradinaj këto dy tema janë në interes të Kosovës.

“Janë tema të rëndësishme dhe mendoj që edhe ligji por edhe platforma e kanë vendin këtu në Kuvend. I ftoj deputetët që të thonë mendimet e veta, se i është dhënë mundësi Kuvendit që të ruaj Kosovën e 17 shkurtit. Jepeni kontributin e juaj për këto dy tema. Kisha kërkuar që të fillojnë diskutimet për platformën, çështja e votimit është çështje e numrit të deputetëve. Gjatë ditës e kemi edhe kuorumin për votim", tha Haradinaj.

LDK kërkoi që të shtyhet kjo seancë ndërsa Vetëvendosje paralajmëroi se nëse kryeministri nuk tërhiqet nga Projektligji përm Dialogun atëherë të njëjtin do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

VV kërkon që kryeministri të tërhiqet nga Projektligji për Dialogun

Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu tha sot në seancë se nëse kryeministri Ramush Haradinaj nuk tërhiqet nga Projektligji për Dialogun atëherë ata do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërsa  deputeti i LDK-së Arben Gashi ka thënë se nuk mund të miratohet platforma para se ligji për dialogun të kalojë, sepse platforma është produkt i ligjit. 

Ndërsa, kryetari i ekipit negociator Fatmir Limaj tha se platforma duhet të ndahet nga Ligji për Dialogun.

LDK kundërshton seancën për dialogun në ditën e Epopesë së UÇK-së

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, ka nisur me mospajtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në ditën e tretë të Epopesë së UÇK-së, të diskutohet për dialogun me Serbinë. Kjo pasi është vlerësuar si fyerje për viktimat që kanë ndodhur në Prekaz.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se nuk ka pasur asnjë urgjencë që sot të diskutohet për dialogun me Serbinë

Hoti: Është fryrje për ato viktima

“Mendoj që kjo është fryrje për ato viktima dhe nuk ka asnjë kuptim që sot në ditën e tretë të Epopesë së UÇK-së Kuvendi të mblidhet për të shqyrtuar një çështje që së paku jo në këtë ditë nuk do të duhej të diskutohej për krejt ato viktima që kanë ndodhur, prandaj unë propozoj në emër të grupit parlamentar të LDK, që kryeministri ta tërheq kërkesën dhe ky debat të shtyhet për një ditë tjetër”, tha ai.

Kurse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veslei ka hedhur në votim këtë mocion procedural, i cili nuk kaloi, pasi nga 75 deputetë, ka marrë 31 për, 43 kundër, një abstenim.

Kuvendi ka nisur me shqyrtimin e platformës për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Hoti i LDK-së kërkon shtyrje të seancës së jashtëzakonshme, kundërshtohet nga deputetët

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar seanca e jashtëzakonshme e cila është caktyuar për sot me kërkesë të kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.

Në këtë seancë është paraparë që të diskutohet projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror.

Por është shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së  Avdullah Hoti, i cili kërkoi që kjo seancë të shtyhet për një ditë tjetër. Për këtë Hoti dha edhe arsyetimin e tij pse duhet të shtyhet. "Ne e kemi kërkuar seancë të jashtëzakonshme, por deputetët e koalicionit qeverisës nuk kanë ardhur me arsyetimin e manifestimit të ‘Epopesë së UÇK-së.  Sot është dita e tretë e kësaj Epopeje dhe me kërkesë të kryeministrit të mbahet seancë. Është fyrje për ato viktima. Nuk duhet të diskutohet. Kërkoj që kryeministri të tërheq kërkesën dhe ky debat të bëhet një ditë tjetër,", tha Hoti. Por kërkesa e Hotit nuk u votua nga shumica e deputetëve pasi që e njëjta është hedhur në votim ku ka marr 31 vota për shtyrje të seancës ndërsa 34 e kanë votuar kundër.

Në bazë të këtij votimi seanca e jashtëzakonshme do të vazhdojë.

Mungojnë deputetët, pauzë në seancën e jashtëzakonshëm

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka dhënë pauzë 15 minuëshe, pasi në sallën e Kuvendit nuk janë të pranishëm deputetët.

Kjo seancë e jashtëzakonshme e paralajmëruar për orën 9:00, është thirrur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj për shqyrtimin e dytë të projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, si dhe shqyrtimi i platformës për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Seanca e jashtëzakonshme

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme, ku do të shqyrtohet platformas për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Gjithashtu do të shqyrtohet për herë të dytë projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat