Në pritje të Ligjit për Qeveri, shtohet numri i këshilltarëve në Ministri

Aktuale

Në pritje të Ligjit për Qeveri, shtohet numri i këshilltarëve në Ministri

Më: 11 mars 2019 Në ora: 21:22
Qeveria e Kosovës

Pavarësisht se është duke u hartuar Ligji për Qeverinë, kabineti qeveritar ka vazhduar të marrë vendime që janë në kundërshtim me këtë nismë ligjore të sajën.

Pas vendimit për rritjen e këshilltarëve të kryeministrit, të zëvendëskryeministrave e ministrave, Qeveria ka marrë vendim që Ministria e Zhvillimit Rajonal të mund të emërojë edhe 3 këshilltarë të tjerë, raporton KTV.

Në kabinetin e kësaj ministrie janë të punësuar 18 persona. Kjo ministri ka thënë se do të kthejë një përgjigje për emërimet gjatë kësaj jave.

Por, koordinatori Nacional për Reforma Shtetërore, Besnik Tahiri, thotë se nuk është në dijeni për një vendim të tillë të Qeverisë.

Sipas Tahirit, me Ligjin për Qeverinë që do të procedohet në maj, do të ketë kufizime edhe për numër të ministrive, zëvendësministrave dhe të këshilltarëve.

Duke kritikuar Qeverinë për numër të madh të zëvendësministrave dhe të këshilltarëve politikë, Visar Rushiti nga Demokracia Plus, thotë se emërimi i tyre po bëhet për t’i rehatuar militantët politikë.

Në dhjetor të vitit të kaluar Qeveria mori vendim për shtimin e numrit të këshilltarëve për kryeministrin, zëvendëskryeministrat dhe ministrat.

Derisa, kryeministri mund të emërojë 24 këshilltarë, 15 prej tyre politikë dhe 9 të komuniteteve, ministrat mund të emërojnë deri në 6 këshilltarë.

Këshilltari i lartë politik i ministrit ka pagë mujore 1050 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat