Haradinaj shton edhe një koordinator – mbi 6 mijë euro të buxhetit shpenzohen në muaj për pagat e tyre

Aktuale

Haradinaj shton edhe një koordinator – mbi 6 mijë euro të buxhetit shpenzohen në muaj për pagat e tyre

Më: 18 prill 2019 Në ora: 19:25
Qeveria e Kosovës

Qeveria “Haradininaj” fare nuk po mërzitet nga kritikat për numrin e madh të zv.ministrave e këshilltarëve. Këtë e dëshmon emërimi i zv. Ministrit të Forcës së Sigurisë Burim Ramadani në pozitën e koordinatorit Nacional për Integrime dhe Anëtarësim në NATO, që në përgjithësi shkon në pesë numri i koordinatorëve.

Emërimet e koordinatorëve nisën më 16 mars të vitit 2018 kur Besnik Tahiri u emërua koordinator nacional për Reforma Shtetërore dhe më pas vazhduan më 29 maj të 2018 kur zëvendësministri i Mjedisit, Mendim Ibrahim Rugova u emërua koordinator për Ndryshime Klimatike dhe Çështje të Ambientit, ndërsa Rexhep Hoti koordinator për Kulturë, Rini e Sport dhe më pas Avdullah Hasani – koordinator Nacional për Gjeneratën e Re.

Koordinatori më i ri që u emërua sot Burim Ramadani ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook që është emëruar koordinator Nacional për Integrime dhe Anëtarësim në NATO.

Ai i shpreh falënderime kryeministrit Haradinaj për besimin e dhënë ku thotë, se anëtarësimi i Kosovës në NATO ka përkrahje unanime popullore.

Image
Burim Ramadani dhe Ramush Haradinaj

“Përkushtimi i Kryeministrit Haradinaj dhe Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në NATO është reflektim i përkushtimit të popullit të Kosovës. Sot, në vazhdën e angazhimeve institucionale, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të angazhohem në detyrën e Koordinatorit Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO. Shpreh mirënjohjen e plotë për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme nga Kryeministri Ramush Haradinaj, Ministri Rrustem Berisha, Qeveria e Kosovës, institucionet tjera dhe partnerët ndërkombëtarë”, ka shkruar Ramadani në Facebok.

Paga mujore e një koordinatori do të jetë 1270 euro. Kështu për pesë koordinatorët aktualë nga buxheti i shtetit në muaj do të ndahen 6350 euro.

Kuptohet kjo pa llogaritur dy këshilltarë dhe një asistent që koordinatorët në ekipin e tyre kanë të drejtë të angazhojnë.

Për emërimin e koordinatorëve kryeministri Ramush Haradinaj ishte pyetur nga deputetët më 5 korrik 2018.

Haradinaj ka deklaruar se përgjegjësitë e koordinatorëve nuk ndërhyjnë në asnjë rast në punët e ministrive, duke thënë se ministrat kanë rol tjetër.

Ai atë kohë ishte përgjigjur vetëm për punën e Besnik Tahirit si Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore.

“Përgjigje është përgatitur kur pyetja është dërguar vetëm për këtë koordinator në një rrethanë tjetër mund të ju përgjigjem edhe për koordinatorët e tjerë…..ministritë e kanë punën e tyre dhe janë përgjegjëse për to, mirëpo koordinimi i ministrive, mes nivelit qendror e lokal por edhe me partnerët. Kjo nuk është mohim i punës së ndonjërës nga ministritë, është vetëm bashkërenditje e punëve të kryera”, kishte deklaruar Haradinaj.

Kryeministri kritikohet në vazhdimësi për emërimin e këtyre koordinatorëve, duke vënë në pah nevojën e vogël për ekzistimin e këtyre pozitave. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat