Franca falënderon Kosovën për mbështetjen në restaurimin e Notre-Dame

Aktuale

Franca falënderon Kosovën për mbështetjen në restaurimin e Notre-Dame

Më: 19 prill 2019 Në ora: 08:15
Notre-Dame

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mbështetur financiarisht rindërtimin e katedrales së djegur të Notre Dame në Paris, ka reaguar edhe Ambasada franceze në vendin tonë.

Franca ka falënderuar për këtë akt Qeverinë e Kosovës, ndërsa kosovarët për mesazhet e mbështetjes pas shkatërrimit të një pjesë të Notre-Dame.

“Ambasada e Francës në Kosovë falënderon përzemërsisht përfaqësuesit politikë, fetarë dhe shoqërinë civile të Kosovës për mesazhet e tyre të mbështetjes, pas zjarrit që shkatërroi një pjesë të katedrales Notre-Dame në Paris. Këto mesazhe të bashkëndjesisë dhe miqësisë prekin thellësisht popullin francez. Franca falënderon gjithashtu Qeverinë e Kosovës për kontributin e saj në fondin për restaurimin e Notre-Dame”, thuhet në deklaratën e Ambasadës franceze.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës vendosi të ndajë 20 mijë euro nga kategoria e shpenzimeve rezervë me qëllim të shprehjes së solidaritetit dhe përkrahjes për rindërtimin e katedrales Notre-Dame në Paris, pas dëmeve të shkaktuara nga zjarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat