Kosnett: Ata që kryen krime duhet të gjykohen

Aktuale

Kosnett: Ata që kryen krime duhet të gjykohen

Më: 27 prill 2019 Në ora: 12:26
Ambasadori amerikan, Philip S. Kosnett në kompleksin Memorial në Mejë

(E plotësuar) - Ambasadori amerikan, Philip S. Kosnett, tha se realiteti i krimeve në Mejë është aq i tmerrshëm.

“Askush mos të dyshojë sa e thellë apo e qëndrueshme është miqësia mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Mbështetja e Amerikës ndaj qëllimit për paqe, drejtësi dhe mbarësi për Kosovën dhe fqinjët e Kosovës mbetët e qëndrueshme. Përkushtimi i Amerikës për të ardhmen e Kosovës paraqet një trashëgimi të thellë për ata qe vdiqën qe Kosova të jete e lirë”, tha ai.

Kosnett tha se Kosova dhe vendet fqinje duhet të pranojnë të diskutojnë për të kaluar, duke nënkuptuar se për këtë Serbia të pranojë fajësinë për krimet e kryera para 20 vitesh, ndërsa edhe në Kosovë të gjykohen ata që dyshohen për krime.

“Per hir të gjeneratave që vijnë pas e nxis popullin e Kosovës dhe fqinjët tuaj të pranoni dhe të diskutoni drejtpërdrejtë për çastet e errëta të historisë suaj te përbashkët. Për disa kjo do të thotë pranim të realitetit të fushatës së spastrimit etnik të sponsorizuar nga regjimi i Millosheviqit, qe rezultoi me vrasjen dhe zhdukjen e mijëra dhe për t’u siguruar qe përgjegjësit të japin llogari të plotë. Për popullin e Kosovës duhet të nënkuptojë qe ju dhe demokracia juaj t’i përmbahet një parimi më të lartë dhe të sigurojë llogaridhënie për të gjithë ata individë qe kanë kryer krime gjatë dhe pas luftës përkundër realitetit të hidhur se shumë fajtorë tjetër kund i janë shmangur drejtësisë deri tash”, tha Kosnett.

Sipas tij, duhet një përkushtim më i madh nga Kosova dhe Serbia për t’i gjetur dhe kthyer trupat e te pagjeturve duke punuar ne mirëbesim me bashkësinë ndërkombëtare për të bërë publike dhe për të vepruar në bazë të gjitha informatave në dispozicion.

Gjini: Meja na përkujton çmimin që paguam për lirinë

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, nga tubimi në Mejë deklaroi se kjo datë na përkujton të gjithëve çmimin e shtrenjtë që Kosova e ka paguar për lirinë dhe shtetin që gëzojmë sot.

Ai tha se ata që shumë prej atyre që janë përgjegjës për masakrën e Mejës nuk janë dënuar fare, ndërsa ata pak vetë që kanë dalë para gjykatës kanë marrë dënime simbolike.

Ky fakt, sipas Gjinit, po i shton dhimbjen familjarëve të të pagjeturve.

Kreu i Gjakovës tha se një tjetër shqetësim është mos zbardhja e fatit të të pagjeturve.

Gjini deklaroi se populli i Kosovës nuk ka bërë krime kurrë dhe as nuk ua ka kthyer me të njëjtën monedhë.

Tahiraj: Krimet në Kosovë janë krime kundër njerëzimit

Përfaqësues i shoqatës “27 Prilli”, Zeqë Tahiraj, në fjalën e tij në tubimin në Mejë tha se krimet që kanë ndodhur në Kosovë janë krime kundër njerëzimit.

“Krimi në Kosovë është krim ndaj njerëzimit. Ka shënime që u janë marrë organet, deri sot asnjë i dënuar për ketë masakër dhe masakra të tjera. Këto varre i ndalojnë Serbisë të kalojë këndej me emblemën flamurit”, tha ai.

Tahiraj përmendi edhe çështjen e projektit të kompleksit i cili nuk ka përfunduar.

“Edhe ketë vit nuk u finalizua projekti i kompleksit. I nderuari kryeministër kërkojmë qe të rënët të kenë një status, nuk ka titull me te madh se të vdesësh për Kosovën”, përfundoi ai.

Image

Haradinaj: Qeveria do t’i japë respektin e merituar familjarëve të të pagjeturve

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, premtoi nga Meja se qeveria që drejton do të bëjë më shumë për t’i dhënë respektin e merituar familjarëve të të pagjeturve.

“Qeveria e vendit do t’i kryejë detyrat e veta duke i dhënë respektin e merituar familjarëve të të pagjeturve”, deklaroi Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit kosovar premtoi se familjet do të kenë përkrahje të duhur e të dinjitetshme institucionale.

Sipas tij, tashmë po rregullohet edhe përkrahja e shoqatave me ligj.

Kryeministri Haradinaj së bashku me krerët e tjerë të vendit morën pjesë në tubimin për nder të 20-vjetorit të Masakrës së Mejës.

Image

Thaçi: Ndëshkimi i gjenocidit serb është zero

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në fjalën e tij në tubimin në 20-vjetorin e Masakrës së Mejës, deklaroi se Serbia ende nuk është ndëshkuar për gjenocidin në Kosovë.

“Sot shënojmë ditën e të pagjeturve, kaluan 20 vite dhe pasojat e luftës nga shteti i Serbisë janë të freskëta. Një gjë është e qartë, Serbia kreu spastrim etnik dhe gjenocid në Kosovë. Për fat të keq duhet të themi botërisht as nga drejtësia lokale as ndërkombëtare nuk u ndëshkua. Ndëshkimi i gjenocidit serb është zero. Qytetarët e duan drejtësinë. Fati i të pagjeturve duhet të zbardhet pavarësisht etnisë”, deklaroi Thaçi.

Kreu i shtetit tha se të gjithë kishin shpresuar që në dialogun e Brukselit çështja e të pagjeturve do të ishte pika e parë, por Serbia e ka kushtëzuar këtë proces.

“Kishin shpresuar qe në dialogun e Brukselit çështja e të pagjeturve do te ishte pika e parë, po Serbia e ka kushtëzuar këtë proces, e Kosova nuk do të pranojë kushtëzime as në takimin e Berlinit. Prezenca e ambasadorit amerikan lehtëson dhembjet për familjet e të pagjeturve”, tha ai.

Thaçi falënderoi SHBA-të për mbështetjen ndaj Kosovës duke shtuar se do të jemi çdo herë mirënjohëse.

Image

Mijëra persona po marrin pjesë në tubimin në Mejë

Në kompleksin Memorial në Mejë ka nisur manifestimi për shënimin e 20 vjetorit të Masakrës së Mejës, dhe 27 prillit- Ditës së të Pagjeturve në Kosovë.

Në shënim po marrin pjesë presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadori amerikan Philip Kosnett, organizata qe përfaqësojnë familjet e personave të vrarë e të zhdukur dhe zyrtarë të institucioneve qendrore e lokale.

Në mënyrë të organizuar në Mejë kanë ardhur edhe minatorë nga Trepça, dhe familjarë nga anë e mbanë Kosova.

Manifestimi ka nisur me një minutë heshtje, ndërkohë që njerëzit kanë ardhur që në orët e para të mëngjesit te kompleksi për homazhe.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat