Kurti: Prokurorë me flladitëse, askush nuk na thirri sot as mua, as Glaukun - Bota Sot
Kurti: Prokurorë me flladitëse, askush nuk na thirri sot as mua, as Glaukun

Aktuale

Kurti: Prokurorë me flladitëse, askush nuk na thirri sot as mua, as Glaukun

Nga: G.B Më: 25 qershor 2019 Në ora: 21:30
Albin Kurti

Lideri i VV-së, Albin Kurti ka thënë se sot u bënë 2 muaj që kur bashkë me Glauk Konjufcën kishin dorëzuar kallëzim penal, pasi Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit kanë gënjyer e shpifur nën betim, në seancën kundër kinse pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur "Syri i Popullit", por që sot nuk i ka thirrur askush nga prokuroria e shtetit, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se do të duhej të ishte detyrë fort interesante për prokurorët, kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë porsa japin betimin se do flasin të vërtetën.

Por që, sipas tij, kjo nuk është për prokurorët tanë, pasi asnjëri nuk i thirri.

Postimi i tij i plotë:

Prokurorë me flladitëse

Askush nuk na thirri as sot, nga prokuroria e shtetit. U mbushën dy muaj që me Glaukun patëm dorëzuar kallëzimin penal. Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit kanë gënjyer e shpifur nën betim. Në procesin gjyqësor kundër kinse pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur "Syri i Popullit", më 28 dhjetor 2018, kanë thënë një mal me të pavërteta. Prej asaj se dora ime dhe e Glaukut i paska shkruar komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, te veshi i Presidentit që paska dëgjuar urdhër për vrasje nga ne, e deri te njëfarë krahu i armatosur i VETËVENDOSJE!-s.

Gjuha është prej tulit e letra duron gjithçka, por kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë porsa japin betimin se do flasin të vërtetën, kjo sigurisht se do të duhej t'ishte detyrë fort interesante për prokurorët. Ama jo edhe për këta tanët, meqë asnjëri, ama bash asnjëri, ende nuk na thirri, asnjërin prej neve dyve, as në ditën kur filloi muaji i tretë i moskokëçarjes së tyre. Thua se këta prokurorë populli ynë i varfër po i paguan veçse për t'u bërë fresk kriminelëve?!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...