Vetëvendosje në zi, ndërron jetë nëna e Arben Xheladinit

Aktuale

Vetëvendosje në zi, ndërron jetë nëna e Arben Xheladinit

Nga: N.Sh Më: 29 qershor 2019 Në ora: 16:31
Resmije Xheladini

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka njoftuar se sot ka ndërruar jetë nëna e Arben Xheladinit, Resmija.

Kurti i pikëlluar, përmes një postimi në Facebook, shprehet se, Resmija do të iu mungon shumë dhe përherë do ta kujtojnë me mall.

Ai Resmijen e ka përshkruar me fjalët më të mira të mundshme.

“Resmije Xheladini vdiq sot. Para se ta njihja si nëna e Arbenit, ajo ishte mësuesja e vëllait tim dhe shoqja e mësueses sime.

Bujare, punëtore, patriote. Pedagoge me prejardhje nga Bujanoci që me përkushtim të njëjtë dha mësim plot katër dekada. Ajo ka lënë shumë fëmijë pas. Jo vetëm fëmijët e vet.

Nëna është mësuese por edhe mësuesja është nënë. Sidomos mësuesja Resmije. Sidomos nëna Resmije.

Kush e ka takuar e ka dashur. Kush e ka njohur s'e ka harruar.

Do të na mungojë shumë, të gjithëve. Do ta kujtojmë me mall, secili”, shkruan Kurti në postimin e tij.

Ndryshe, Arbeni ka vdekur pas sulmeve të marra gjatë një portestë të Lëvizjes Vetëvendosje nga plumbat e gomës së policisë rumune të UNMIK-ut.

“Më 10 shkurt të vitit 2007, dita në të cilën Lëvizja rinore VETËVENDOSJE! kishte organizuar protestë për të shprehur paknaqësinë me gjëndjen në Kosovë, duke kërkuar të drejtën për vetëvendosje të popullit shqiptar, Arbeni nuk mundi të qëndronte i mbyllur në shtëpi. At ditë, la prindërit, motrat, të shoqen dhe të birin Oltin në shtëpi, dhe doli në qendër të Prishtinës për të ju bashkuar të rinjëve dhe kërkesave të Lëvizjes për vetëvendosje. Arbeni nuk kishte paragjykime ideologjike. Ideologjia e tij ishte liria, drejtësia dhe e drejta për vetëvendosje e popullit të tij shqiptar. Në protestën e 10 shkurtit 2007 kërkohej dhe mbrohej e drejta dhe vullneti i popullit shqiptar për vetvendosje. Mirëpo, ashtu si edhe shumë herë më parë, policia pengoj lëvizjen e lirë të protestuesve duke i bllokuar rrugët e qytetit. Përkundër faktit se protestuesit ishin duarthatë dhe të veshur me fanella të bardha, mbi ta u zbraz sasi e paparë e gazit lotësjellës dhe u përdor dhunë e egër joproporcionale”, thuhet në shkrimin e LVV-së kushtuar Arbenit.

“Në rrugën kryesore të Prishtinës, përballë Hotelit ‘Iliria’, nga pushkët e regjimentit Rumun të policisë së UN-it u hap zjarr drejt protestuesve. Me një plumb në kokë u qëllua Arben Xheladini. Në të njëjtën kohë u qëllua edhe djaloshi nga Besiana Mon Balaj dhe u plagosën shumë protestues të tjerë. Plagët e marrura nga plumbat ishin vdekjepurëse për të dy këta të rinj. Kjo vrasje shkaktoj dhembje dhe indinjatë të thellë në tërë popullatën shqiptare të Kosovës. U bënë këto edhe dy viktima, në radhën e viktimave të shumta të këtij populli në përpjekjet e tij për liri njerëzore dhe liri kombëtare. Nga vet populli shqiptar këta dy të rinj u shpallën ‘Dëshmorë të vullnetit të popullit për liri dhe vetëvendosje’. Aty ku e lanë stërgjyshërit, gjyshërit, baballarët, shokët dhe Arben Xheladini aty do të vazhdojë përpjekja e popullit shqiptar për liri dhe vetëvendosje, me synim që Olti i vogël dhe të gjithë fëmijët tjerë të Kosovës ta shijojnë dhe ta gëzojnë lirinë në atdheun e tyre”, thuhet ndër tjera në këtë shkrim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat