Thaçi kërkon llogari nga ndërkombëtarët: Pse s’po i dënoni krimet serbe në Kosovë

Aktuale

Thaçi kërkon llogari nga ndërkombëtarët: Pse s’po i dënoni krimet serbe në Kosovë

Më: 1 korrik 2019 Në ora: 10:55
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar më shumë përkrahje për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Në Konferencën për mbështetjen e kësaj kategorie, Thaçi ka thënë se duhet ta lëmë pas të kaluarën e hidhur dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për këtë kategori.

“Me një zë, të gjithë ne, duhet të kërkojmë më shumë përkrahje nga shoqëria. Ta lëmë pas të kaluarën e hidhur dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Kjo kategori ka nevojë për më shumë përkrahje nga institucionet, shoqëria e të gjithë. Shoqëria jonë duhet të ndërgjegjësohet e të bëjë më shumë për të mbijetuarat. Duhet ta luftojmë stigmatizimin”, ka thënë Thaçi.

Tutje, i pari i shtetit ka thënë se përderisa për ne lufta ka mbaruar më 1999, për të mbijetuarat e dhunës seksuale s’ka mbaruar asnjëherë, për shkak të frikës nga sigamtizimi.

“Kjo kategori vuan në heshtje, mos të lejojmë që të zgjas më shumë kjo luftë e tyre. Duhet t’i inkurajojmë të mbijetuarat që të përballen me të kaluarën e hidhur. Duhet t’i duam, jo t’i stigmatizojmë. Të bëhemi zëri i tyre. Edhe dhuna seksuale ka qenë mjet lufte e kriminelëve serbë. E bënë për të na shkatërruar nderin e dinjitetin, u munduan të na zhveshin nga ndjenjat njerëzore. Por, të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk janë fajtore për të kaluarën e tyre. Ato janë viktima që më shumë se të gjithë kanë nevojë për përkrahje. Shoqëria nuk duhet të lejojë që kriminelët t’ia arrijnë qëllimit. Duhet të flasim e të kërkojmë drejtësi për viktimat e dhunës seksuale të ushtruar nga Serbia. Krimet e luftës nuk vjetërsohen, por duke mos i raportuar, ato amnistohen. Asnjëherë s’është vonë për të raportuar rastet. Me zbatim të drejtë të ligjit, sillet drejtësia për viktima”, ka thënë Thaçi tutje.

“Ka ndodhur një amnisti e heshtur e drejtësisë ndërkombëtare përballë kriminelëve serbë. Përveç drejtësi, kërkojmë edhe sqarime për këtë amnisti të hedhur. Asnjë i dënuar për dhunë seksuale nga UNMIK’u. Dhunë sistematike e krime makabre që janë në institucionet më të larta të shtetit të Serbisë. Kjo po heshtet nga bashkësia ndërkombëtare. Është heshtje amnistuese. Është shqetësim i madh për ne. Duhet të kemi mbështetje të plotë për viktima. Por edhe të sqarohet qartë pse s’është sjell drejtësi për krimet e kryera nga shteti serb”, vazhdoi Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat