A po paralajmëron shkuarjen në AAK ish-ministri Bajram Hasani?

Aktuale

A po paralajmëron shkuarjen në AAK ish-ministri Bajram Hasani?

Më: 2 korrik 2019 Në ora: 18:19
Bajram Hasani

Pas dorëheqjes së ish-ministrit Bajram Hasani nga Nisma Socialdemokrate, kanë vazhduar edhe anëtarët e tjerë të largohen nga kjo parti.

Bajram Hasani në një prononcim për “Periskopin” ka folur në lidhje me këto largime dhe me vazhdimin e aktivitetit të tij politik.

Në dorëheqjet e disa anëtarëve, emri i tij u përmend si arsye e largimit, por Hasani tha se nuk ka ndikuar në vendimet e anëtarëve të partisë, megjithëse ai ishte i njoftuar edhe më herët për këto vendime.

Përveç kësaj, Bajrami ka pohuar se ka ende anëtarë të Nismës Socialdemokrate të cilët e kanë diskutuar largimin nga partia.

“Gjithsecili është i lirë të vendosë për qëndrimin apo jo. Kam dëgjuar se edhe shumë të tjerë kanë pakënaqësi dhe janë të shqetësuar pas dorëheqjes sime dhe të tjerëve, por çdo gjë është në vullnetin e tyre”, u shpreh Hasani.

Ish-ministri Bajrami megjithëse dha dorëheqje nga partia e Fatmir Limajt, nuk do të largohet nga skena politike.

Largimi i tij nga Nisma Socialdemokrate ka ardhur vetëm pak ditë para se të formohej Partia Euroatlantike e Kosovës, nga deputeti Milaim Zeka.

Hasani ka treguar nëse do të jetë pjesë e kësaj partie, duke qenë se me Zekën janë edhe miq, madje ai e kishte përkrahur shpesh herë edhe publikisht.

“Do të vazhdojë të jem në skenën politike. Muajve të fundit kam pasur oferta nga shumë subjekte politike, por nuk kam vendosur ende. Jam në fazën e konsultimeve edhe me bashkëpunëtorët e mi dhe do të jem diku ku e idetë e mia përshtaten me planprogramin e tyre. Do t’i bashkohem dikujt që ka guxim për të marrë vendime të mëdha. Milaim Zeka është njëri prej miqve dhe njerëzve që më ka mbështetur dhe inkurajuar në vazhdimësi gjatë punës sime. Ndajmë bindje të njëjta në tema të caktuara, por ende nuk kam vendosur se ku do ta vazhdoj rrugëtimin tim”, u shpreh ai, duke shtuar se edhe pse bashkëpunëtorët e tij janë të lirë të vendosin, në bazë të gatishmërisë së tyre për ta ndjekur atë, beson se do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre politikë të gjithë së bashku.

Bajram Hasani javën që lamë pas ka zhvilluar një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili është edhe lider i AAK-së, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit në vend.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat