Visar Ymeri nga PSD ka kërkuar që procesi i rekrutimit të noterëve të rinj që organizohet nga Ministria e Drejtësisë duhet të hetohet nga organet përgjegjëse të Republikës së Kosovës dhe të vlerësohet nga partnerët e Ambasadës së Zvicrës, të cilët kanë merita për ndërtimin e sistemit noterial në Kosovë, përcjell Bota sot.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se procesi i tanishëm i rekrutimit të noterëve të rinj ka prirje ta komprometojë sistemin e noterisë që u ndërtua me kredibilitet të brendshëm dhe të jashtëm.
Postimi i tij i plotë në Facebook:
Procesi i rekrutimit të noterëve të rinj të hetohet nga shteti dhe të vlerësohet nga partnerët zviceran
Procesi i rekrutimit të noterëve të rinj që organizohet nga Ministria e Drejtësisë duhet të hetohet nga organet përgjegjëse të Republikës së Kosovës dhe të vlerësohet nga partnerët e Ambasadës së Zvicrës, të cilët kanë merita për ndërtimin e sistemit noterial në Kosovë.
Procesi i tanishëm i rekrutimit të noterëve të rinj ka prirje ta komprometojë sistemin e noterisë që u ndërtua me kredibilitet të brendshëm dhe të jashtëm, kryesisht falë ekspertëve zviceran të Institutit për Studime të Larta Noteriale (I-H-N).
Pavarësia politike e sistemit të noterisë është parakusht për garantimin e një sistemi funksional dhe bashkëkohor noterial që i shërben shtetit të së drejtës, përforcimit të aparatit gjyqësor dhe konsolidimit të shtetësisë së Republikës së Kosovës.