Sabri Hamiti, kolosi i LDK-së!

Aktuale

Sabri Hamiti, kolosi i LDK-së!

Nga: D.RR Më: 4 gusht 2019 Në ora: 18:24
Sabri Hamiti

Ish bashkëpunëtori i ngushtë i Ibrahim Rugovës, Adnan Merovci, ka shkruar për Sabri Hamitin, figurën kyçe të LDK-së ndër vite, i cili dje nuk pranoi që të jetë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, pasi ka vendosur të tërhiqet nga politika aktive.

Merovci ka ndarë një shkrim nga libri “Në hap me Rugovën”, ku teksti ka të bëjë me veprimtarinë e Sabri Hamitit në LDK, që nga themelimi i kësaj partie.

Ai e quan Hamitin, kolos të LDK-së.

Postimi i plotë:

Sabri HAMITI, kolosi i LDK-së!

Lëvizja “Buona Fide” (e vullnetit të mirë), siç e quajta LDK-në,
gjatë dëshmisë sime në Tribunalin e Hagës, që mbante jetën në Kosovë, identifikohej me figura dhe personalitete të ndryshme.
Sabri HAMITI, një intelektual nga bota letrare që nga fillimi i
viteve e ’90-ta, ishte shtylla dhe kurrizi i saj.
Nuk më bie të flas për krijimtarinë e tij të pasur letrare, por mund të them se ai ishte një ndër themelet dhe kokat e LDK-së.
Sabriu nuk ka qenë shumë i animuar në publik si veprimtar i LDKsë.
Nuk ka pasur poste të larta, por de fakto ka qenë armatura kryesore në shtyllën mbajtëse të LDK-së të udhëhequr nga Ibrahim RUGOVA.
Duke qenë edhe mik i afërt i Kryetarit, Sabriu ka qenë aty, te vendi, kur ka qenë nevoja. Ka ndodhur që në SHoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës dhe në Zyrën e Kryetarit të ketë munguar për një kohë të gjatë, por kur është dashur, ai është mbirë aty. Me këtë e kam kuptuar se Sabriu ka qenë një lloj “eminence gri”, por çdoherë në vend dhe kohë të duhur.
Ka qenë koherent në reagimet dhe këshillat për Kryetarin qofshin ato në zyrë, shtëpi, orar të punës apo jashtë orarit të punës.
Njerëzit e protokollit dhe të sigurisë së Kryetarit kanë pasur urdhër nga unë që Sabriu të mos ndalohet dhe pengohet në asnjë rast për ta takuar Kryetarin. Me Sabriun nga ajo kohë edhe tani kam një relacion korrekt. Sabriu duke qenë intelektual dhe shkrimtar i madh, ka edhe premisa prej artisti, dhe këta njerëz o i ke miq 100 %, o s’të flasin. Sabriun e njoh edhe për një veçanti tjetër. Unë me të vërtetë kalova 10 vjet nga 24 orë me Kryetarin. Gabimin më të madh do ta bëja po të pretendoja se arrita ta njoh RUGOVËN. Megjithatë njerëzit ma njohin këtë të drejtë, por unë jam skeptik. Nëse ekziston një njeri që e njohu dhe që ka kaçik për ta përshkruar Presidentin RUGOVA, ai është Sabri HAMITI. Një herë qeshë hatrue në të, kur disave ua shpërndau nga një vepër të tij të botuar dhe të nënshkruar me dedikim. E kotë qe shpresa dhe pritja ime që edhe mua do të ma dedikonte një. Nëse do, mund të korrigjohet. Por sa e njoh unë, vështirë shumë. Nëse një ditë përveç shkrimeve të deritashme për RUGOVËN, Sabriu, vendos të shkruajë për Kryetarin, atëherë kjo do të jetë gjëja më e pritur dhe më e dashur për mua. I kam lexuar pothuaj të gjitha shkrimet për RUGOVËN deri më tani. Shkrimet e Sabriut dallojnë. Për Sabriun e kam një kërkesë, ta shkruaj një tregim, dramë ose roman për Ibrahim RUGOVËN. Sabriu mundet, di dhe ia arrin, si askush tjetër.

Shkëputur nga libri: "Në Hap me RUGOVËN"
* Titulli i këtij postimi është i përshtatur!
©Adnan MEROVCI

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat