Kelmendi: Nëse nuk me japin hapësirë në LDK, do ta shqyrtoj mundësinë e ndërrimit të partisë

Aktuale

Kelmendi: Nëse nuk me japin hapësirë në LDK, do ta shqyrtoj mundësinë e ndërrimit të partisë

Më: 30 gusht 2019 Në ora: 15:53
Ramiz Kelmendi

Pas zgjedhjes së kryesisë së re në LDK, ish-deputeti njëherësh biznesmeni, Ramiz Kelmendi ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij në këtë parti dhe në procesin e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 6 tetor. Për taksën me vepru në bazë të rekomandimeve ndërkombëtare. Kjo qeveri nuk ka pasur mbështetje të fuqishme në Kuvendin e Kosovës dhe si e tillë nuk ka qenë qeveri e dobishme për shtetin dhe për zhvillimin ekonomik, thotë Ramiz Kelmendi në një intervistë për KosovaPress.

Kelmendi thotë se në rast se nuk do të ketë hapësirë ose vend as për të dhënë kontribut në ekonomi do të kërkojë llogari nga udhëheqësit e LDK-së.

Kelmendi: Ende s’kam fol me drejtues të LDK-së për fatin tim

“Nuk kam kurrë farë plani pas ndryshimeve që kanë ardhur në kryesinë e LDK-së dhe me kandidatin për kryeministër. Ende nuk kemi zhvilluar ndonjë bisedë për të shikuar të ardhmen time në parti, për arsye se vet pjesëmarrja ime në parti politike nuk ka qenë asnjëherë ide që unë të jem deputet, por të jemi një njeri i cili mund të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Dhe sa herë që nuk mundem me qenë pjesë e vendit ku mundem me ndikuar më fuqishëm, për mua parqet një problem për të cilën sigurisht do ta diskutoj edhe me liderët e partisë”, thotë Kelmendi.

Se e ka ndonjë përafrim me ndonjë parti tjetër ose ofertë nga PDK, AAK ose prej subjekteve të tjera, Kelmendi thotë se ka interesim nga këto parti, por jo edhe oferta.

Ai thotë se nëse nuk i japin hapësirë në LDK, do ta shqyrtojë mundësinë e ndërrimit të partisë. 

Kelmendi: Për mua ka kërkesa nga lider të partive tjera   

“Kërkesa ka, normalisht që ka, kanë liderët e partive të tjera interesim për shkak edhe të votave të mija që unë kam një numër të konsideruar të qytetarëve që më mbështesin. Kam njerëz të rinj dhe të tjerë që më mbështesin për mundësin e krijimit të vendeve të punës për të rinjtë dhe sigurisht që më ofrohen, por unë nuk kam ndonjë ofertë të hapur. Nuk kam dal ende sikur lojtarë në shitje, por do t’i shohë mundësitë në Lidhjen Demokratike, aty ku kam aderuar para dy vjetëve. Do të shohë aty se si do të bëhet pozita ime, meqenëse po shihet që po ndryshon pak struktura e njerëzve dhe nëse aty nuk gjendem, ndoshta do të detyrohem me bërë ndonjë ndryshim për të cilin s’kam qenë fare i interesuar apo edhe s’jam edhe i interesuar të bëjë ndryshim”, thotë Kelmendi.

Tash kur jemi në prag të zgjedhjeve, subjektet politike kanë afat deri të sot në mesnatë për lidhjen e koalicioneve. Për këtë ish deputeti Kelmendi, thotë se LDK duhet të futet në koalicion parazgjedhor me VV-në nëse udhëhiqet qeveria e re nga Lidhja Demokratike.

Kelmendi: Koalicion me VV-në po, por LDK ta udhëheq qeverinë

“Ndoshta është një koalicion, i cili ndoshta dikur ka qenë i pa mundur, pastaj është edhe i mbështetur dhe ka kërkesa edhe nga qytetarët që të provohet edhe ky model i koalicionit, por si duket koalicioni është pak më se i vështirë për arsye se të gjithë tani për tani dhe në të kaluarën gjithmonë kanë luftuar për pozitën apo për karrigen e kryeministrit, duke menduar që në pozitën e kryeministrit mund t’i realizojnë qëllimet e veta politike sa më shpejt, pra, këtu është një ngërç jashtëzakonisht i madh. Partia e LDK, sipas sondazheve ka një pozicion shumë më të avancuar se sa Vetëvendosja. Pastaj LDK-ja është një parti me përvojë 30 vjeçare, ku mbizotëron demokracia, ekonomia bazohet në ekonominë e tregut të lirë që ka një kundërshtim të madh ideologjik me Lëvizjen Vetëvendosje. Unë nuk kam ndonjë marrëdhënie të jashtëzakonshme me VV-në, në veçanti me liderin e tyre, por kjo nuk do të thotë që n uk e kisha mbështet një koalicion të tillë, por për interesat të qytetarëve ishte dashur që LDK-ja ta ketë udhëheqjen e Qeverisë”, deklaron ai.

Se a është hap i duhur i LDK-se për përzgjedhjen e Vjosa Osmanit kandidate për kryeministre, thotë se kandidimi i Osmanit është një risi dhe një tejkalim i pritjeve që kanë qenë për Agim Veliun dhe Lutfi Hazirin, për arsye se këta të fundit kanë qenë në strukturat udhëheqëse edhe më parë.

Kelmendi: Ardhja e Vjosa Osmanit është risi për vendin

“Në LDK ka njerëz që kanë kontribuar jashtëzakonisht shumë, aty është një parti me rregulla dhe me traditë, andaj edhe nga përvoja shpesh herë njerëzit janë vlerësuar dhe shpërblyer me përvojën dhe kontributin partiak që kanë dhënë, në këtë rast, ardhja e Vjosës është një risi, është një tejkalim i atyre pritjeve që i kanë pasur sidomos Veliu ose Haziri për arsye se ata kanë qenë nënkryetar të kaluar. Por, si duket ka qenë vota e elektoratit dhe mbështetja e vazhdueshme dhe kërkesa që edhe LDK-ja ta ketë një femër kandidatë për të cilën parti nuk e pengon gjinia femërore për arsye se LDK-ja ka struktura”, është shprehur Kelmendi.

Ndërsa, se cili duhet të jetë qëndrimi i Qeverisë së re për taksën ndaj Serbisë, biznesmeni Kelmendi thotë se duhet vepruar tek e fundit ashtu siç kërkojnë edhe ndërkombëtarët, pavarësisht se e drejta është në anën e Kosovës që të mbaj taksën ndaj Serbisë.

Kelmendi: Për taksën me veprua në bazë të rekomandimeve ndërkombëtare

“Marrëveshje jonë është e pa mundur po qese diçka nuk lëvizë. Ne sigurisht që nuk jemi të interesuar me lëvizë dhe as nuk do të lëvizim, sepse kemi një arsye, por edhe ata(Serbia) munden me mbajt kokëfortësinë e vet për shkak se janë shtet i pranuar. Mirëpo, këtu na nevojitet një ndërmjetësim ndërkombëtar, nëse ndërmjetësuesit ndërkombëtar apo miqtë tanë ndërkombëtar kërkojnë diçka të tillë(heqjen e taksës), ne duhet të jemi fleksibil, ngase pavarësia e Kosovës nuk përmbyllet me qëndrimet tona të pa lëkundshme edhe pse janë të drejta, por përmbyllet me mbështetjen e miqve të cilët e ndajnë një drejtësi që mundet edhe mos të na pëlqej asnjërës palë. Kosova e pavarur, është një Kosovë tjetër, ndërkombëtarisht e pranuar me mundësi të qasjeve në institucione të ndryshme financiare për të lëvizur ekonominë e Kosovës në mënyrë pozitive. Andaj, këtu duhet të kemi më shumë zgjuarsi, nuk kemi ne vojë të kemi as trimëri, as këmbëngulësi… Si të është fjala për sanksione ndaj Serbisë, Kosova është gjithmonë unik për arsye se ai(Serbia) është një armik për të cilin vendi po dëshiron vetëm krijimin e paqes për të ardhmen”, thotë ai.

Kelmendi duke vlerësuar punën e legjislaturës së gjashtë dhe punën e Qeverisë, deklaron se ka qenë legjislatura dhe qeveria më e dobët që nga pas lufta.

Sipas tij, kjo qeveri nuk ka pasur mbështetje të fuqishme në Kuvendin e Kosovës dhe si e tillë nuk ka qenë qeveri e dobishme për shtetin dhe për zhvillimin ekonomik. Ndryshe, Ramiz Kelmendi ishte zëvendëskryeministër në qeverinë ‘Mustafa’, ndërsa në legjislaturën e gjashtë ka qenë deputet nga radhët e LDK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat