Albini uron Tinkën për lindjen e djalit, premton ridefinimin e përgjegjësive të prindërimit

Aktuale

Albini uron Tinkën për lindjen e djalit, premton ridefinimin e përgjegjësive të prindërimit

Më: 7 shtator 2019 Në ora: 10:27
Tinka Kurti

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka uruar anëtaren e kryesisë së partisë së tij, Tinka Kurtin, pasi solli në jetë djalin e saj që e ka quajtur Jani.

“Tinka Kurti është bërë nënë. Uroj që ajo dhe djali i saj Jani të kenë shëndet kurse prindërit e Janit ta shijojnë prindërimin”, shkroi Kurti.

Përveçse anëtare e kryesisë, Tinka është edhe në listën e VV-së si kandidate për deputete. Me këtë vendim që të garojë në këtë periudhë delikate për të, Kurti tha se Tinka ka treguar se përgjegjësitë e prindërimit duhet të ridefinohen në Kosovë.

“Barra për kujdesin ndaj fëmijëve e sidomos foshnjat nuk duhet të bjerë vetëm mbi gratë. Ato kanë nevojë për mbështetje institucionale e profesionale. Nëse gratë izolohen pasi që bëhen nëna, nuk është faji i tyre por i një shteti që shtyn drejt pabarazisë. Ndërkohë shteti duhet ta ketë pikërisht rolin e kundërt”, vijoi Kurti.

Ai tha se insiston për ndarjen e barabartë të pushimit prindëror dhe në hapjen e më shumë çerdheve publike.

“Për mbledhjet tona në Vetëvendosje edhe e organizojmë e mirëmbajmë vetë këndin për fëmijët e delegatëve. Mirëpo, sfidat e grave për angazhim publik janë shumë më shumë se kaq. Dhe jo veç për gratë e angazhuara, por për shumicën e grave në Kosovë. Prandaj, mendoj se gratë duhet të përkrahen nga njëra-tjetra por jo veç nga njëra-tjetra. Nga e gjithë shoqëria, burra dhe gra. Kjo është detyra e drejtësisë”, përfundoi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat