5 këshilla amerikane për Grenellin: Qëndro syhapur kur e ke në tavolinë Serbinë, mos vizato kufij

Aktuale

5 këshilla amerikane për Grenellin: Qëndro syhapur kur e ke në tavolinë Serbinë, mos vizato kufij

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 15:41
Richard Grenell

Pas Gjermanisë dhe Francës, një zgjidhje finale për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë tashmë po e kërkon me ngulm edhe SHBA-ja. Për një periudhë të shkurtër, Washingtoni ka emëruar dy përfaqësues specialë për çështjet që ndërlidhen me Ballkanin Perëndimor dhe dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Sekretari Mike Pompeo ka emëruar Matthew Palmer. Ndërkohë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka zgjedhur Richard Grenell si përfaqësues special presidencial për dialogun Kosovë – Serbi, i cili para pak ditësh ishte për vizitë në Prishtinë e Beograd.

Një gjë të tillë diplomatë e njohës të politikës së jashtme po e shohin si një sinjal të rritjes së përkushtimit të SHBA-së për ta zgjidhur problemin mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërkohë Fondacioni amerikan, Heritage, ka publikuar një listë me parime të cilat mund t’i ndihmojnë Richard Grenellit derisa merret me çështjen në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Nga ky fondacion problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e konsiderojnë si një çështje mjaft delikate, dhe kanë dhënë pesë pika në të cilat Grenell duhet të bazohet meqë ka përveshur mëngët për t’iu futur punës.

Instruksioni i parë për Grenell është një këshillë në të cilën thuhet se në Ballkan asgjë nuk është e lehtë, duke i bërë thirrje përfaqësuesit special të SHBA-së që të jetë syhapur.

“Kuptojeni që asgjë nuk është e lehtë në Ballkan dhe merrni parasysh gjithmonë angazhimin e SHBA-së përgjatë viteve në këtë rajon. Edhe Beogradi edhe Prishtina do të japin propozime të thjeshta që në pamje të parë duken si të lehta, për të normalizuar raportet. Asnjëherë nuk duhet të harrohet që në Ballkan asgjë nuk është e lehtë apo e drejtpërdrejtë. SHBA-ja ka investuar shumë në Ballkan që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Dhjetëra-mijëra ushtarë kanë shërbyer në Ballkan dhe SHBA-ja ka shpenzuar miliarda dollarë për ndihma atje, gjithmonë me synimin për të krijuar një rajon të sigurt, prosperues e që një ditë do të jetë pjesë e bashkësisë transatlantike”, thuhet në publikimin e Heritage Foundation.

Këshilla e dytë për Grenell është që të ushtrojë detyrën për të cilën është përcaktuar dhe jo që të bëhet një shënjues kufijsh, duke i bërë thirrje që të bëjë të qartë një herë e përgjithmonë që SHBA-ja është kundër idesë së korrigjimit të kufijve.

“Bëhuni një Përfaqësues Special dhe jo një hartograf. Për shkak të disponimit të dy grupeve minoritare në të dy vendet, disa kanë sugjeruar se një shkëmbim i mundshëm i territoreve do të përshpejtojë procesin e normalizimit të raporteve. Shkëmbimi i territoreve dhe shënimi i kufijve në vija etnike e sektare, do të jetë një gjë e rrezikshme dhe një precedent që do të hap kutinë e Pandorës në rajon. Mbështetja e një nisme që lejon Serbinë dhe Kosovën të shkëmbejnë mijëra hektarë tokë nuk ia vlen për shkak të paqëndrueshmërisë që mund të shkaktojë në të gjithë Evropën. SHBA’ja duhet ta bëjë të qartë që nuk mbështet kurrfarë ideje të shkëmbimit të territoreve”, thuhet ndër të tjera.

Në pikën e tretë i bëhet thirrje që të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe që të mos dalë në pozita kundër BE-së.

“SHBA-ja duhet të punojë me aleatët evropian për të inkurajuar Kosovën dhe Serbinë të normalizojnë raportet. Stabiliteti në Ballkan është një çështje madhore politike që ndërlidh Uashingtonin me Brukselin. SHBA-ja duhet të qëndrojë e ndërlidhur me Ballkanin, të rikthejë përkushtimin për sigurinë e rajonit, dhe të punojë me partnerët evropianë, në veçanti me Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, për avancimin e më tejmë të agjendës së sigurisë transatlantike. Kjo përfshinë mbështetjen e aspiratave të rajonit për integrime në institucionet transatlantike, dhe vazhdimin e përfshirjes së SHBA’së në KFOR”, potencohet në pikën e tretë të këtij raporti.

Në vazhdim i bëhet thirrje Grenellit që të jetë i durueshëm me Kosovën, për arsye të karakteristikave që ka si shtet.

“Bëhu i durueshëm me progresin e Kosovës. Është një vend i varfër që vuan nga shkalla e lartë e papunësisë dhe korrupsionit. SHBA-ja duhet të zhvillojë një strategji që: nënkupton se zhvillimi ekonomik dhe qeverisja e mirë janë një proces dhe jo një ngjarje, të fokusohet në aspiratat afatgjate të Kosovës për integrim në instancat transatlantike, siç është anëtarësimi në NATO dhe angazhon rininë e Kosovës për të ndërtuar një të ardhme dhe shoqëri prosperuese me dinamizëm në ekonomi”, përfundon këshilla e 4-të.

Në pikën e fundit të kësaj guide nga Heritage Foundation, bëhet thirrje që Grenell të jetë syhapur për shkak se do t’i duhet të negociojë me Serbinë, pasi që Beogradi luan me dy karta, atë të integrimit në NATO dhe me kartën e Putinit.

“Qëndroni vigjilent kur merreni me Serbinë. Disa politikanë serb luajnë një lojë të mirë derisa deklarojnë se dëshirojnë t’i bashkohen komunitetit transatlantik, derisa vazhdojnë të llogarisin në mbështetjen e Kremlinit. SHBA-ja dhe politik bërësit nuk duhet të harrojnë dhe injorojnë faktin se Serbia shërben si themel i Rusisë në rajon. Politik bërësit amerikanë duhet të jenë të vetëdijshëm për faktin se Serbia jo vetëm që nuk është një garantues i stabilitetit në Ballkan, por edhe një burim i paqëndrueshmërisë. Kjo vlen në mënyrë të veçantë me mbështetjen që Beogradi i bënë separatistëve të Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë. Kjo nuk do të thotë që SHBA’ja të ndalojë së bashkëpunuari me Serbinë, por për çdo angazhim duhet të jenë pragmatik dhe gjithmonë të kenë parasysh atë se kush është në të vërtetë Serbia”, thuhet në pikën e pestë të këtij raporti të Heritage Foundation.

Në fund, në konkluzionin e dy autorëve të kësaj guide, thuhet se emërimi i ambasadorit Grenell si përfaqësues special është një tregues se administrata amerikane dëshiron që të qëndrojë e ndërlidhur në mënyrë aktive me negociatat Kosovë-Serbi. Sipas tyre Grenell duhet të inkurajojë shtetet e Ballkanit Perëndimor që të lënë anash historinë, dhe që të punojnë së bashku dhe në mënyrë konstruktive për të rritur lidhjet tregtare, për të zgjidhur çështjet kufitare, dhe të heqin qafe retorikën nxitëse për hir të stabilitetit. Këto pesë parime duhet ta ndihmojnë Përfaqësuesin Special në punën e tij në rajonin e vështirë të Evropës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat