Serbët e veriut s’e paguajnë rrymën, mbi 22 milionë euro humbje për dy vjet

Aktuale

Serbët e veriut s’e paguajnë rrymën, mbi 22 milionë euro humbje për dy vjet

Më: 18 tetor 2019 Në ora: 20:22
Foto ilustrim

Për më pak se dy vjet, mospagesa e energjisë elektrike në pjesën veriore të vendit, Kosovës i ka shkaktuar një humbje prej 22.6 milionë euro. E gjithë kjo, është barrë për buxhetin e shtetit.

Ndërkaq, ende nuk është licencuar kompania që do të fillojë inkasimin në atë pjesë, përkundër që ishte arritur si marrëveshje 6 vite më parë.

Ndonëse në 2013 u arrit marrëveshja për zgjidhjen e problemeve energjetike në pjesën veriore të Kosovës, kjo marrëveshje as sot nuk po gjen zbatim.

Pjesë e marrëveshjes ka qenë të regjistrohet një kompani ku pronarë të jetë transmisioni serb, në mënyrë që të fillojë inkasimi. Në uebfaqen zyrtare të ARBK-së kjo kompani veçse figuron e regjistruar nga nëntori i 2018 mirëpo akoma nuk është licencuar.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike, e cila duhet ta licencojë kompaninë në fjalë, ka thënë se nuk kanë marrë aplikim për licencim.

“Deri më tani në ZRRE ende nuk kemi pranuar një aplikacion, ashtu siç kërkohet me Ligjet dhe rregullat në fuqi, nga ndonjë kompani për furnizim në Veri të vendit. Arsyet nuk mund t’i dijë Rregullatori por duhet të kërkoni sqarime nga kompania ose nga palët të cilave po ju referoheni për marrëveshjen e arritur”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për Rtv Dukagjinin.

Ndërkohë, televizioni ka kontaktuar me përfaqësuesin e autorizuar nga kompania Drustvo Elektrosever mirëpo ky i fundit në përgjigjen me shkrim ka thënë se nuk është i autorizuar të jap përgjigje lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq KOSTT i cili vitin e kaluar ka marrë 1 milionë euro nga Qeveria e Kosovës  për të mbuluar humbjet e rrymës në veri dhe për të ruajtur funksionalitetin e rrjetit thonë se ka dy vite që nuk bën blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve për furnizimin e veriut të Kosovës.

“KOSTT nga data 2 dhjetor 2017 nuk bën blerjen e energjisë për mbulimin e humbjeve për furnizimin e veriut të Kosovës rrjedhimisht, për mbulimin e këtij konsumi. Tërheqja e energjisë nga Sistemi Elektroenergjetik i Evropës Kontinentale është i barabartë me konsumin e energjisë elektrike në 4 komunat në pjesën veriore të Kosovës. Për shkak të konsumit të veriut, nga sistemi interkonektiv janë tërhequr në mënyrë të paautorizuar 451.5 GWh energji elektrike në vlerë prej 22.6 M€ për periudhën 02.12.2017- 17.10.2019”, thuhet në përgjigjen e KOSTT.

Dardan Abazi, hulumtues nga INDEP ka thënë që i rëndësishëm është integrimi i pjesës veriore dhe pastaj licencimi i kompanisë që do të bënte faturime dhe inkasime sepse pa u zbatuar marrëveshja barra e shpenzimeve bie mbi Kosovën

“Po të kishin sundim të ligjit atje edhe furnitori që do të licencohej do të kishte mundësi që të bënte faturimin dhe inkasimin e parave që do të shpenzoheshin. Në situatën e tanishme asnjë furnitorë nuk është në gjendje të bëj faturimin e energjisë e as të përdorë masat e tjera siç janë shkyçja nga rrjeti i energjisë”, deklaroi Dardan Abazi.

Ndryshe katër komunat veriore që nga paslufta nuk kanë paguar për shpenzimet e energjisë elektrike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat