Murati: Me LDK-në s’kemi mospajtime të thella për programin - Bota Sot
Murati: Me LDK-në s’kemi mospajtime të thella për programin

Aktuale

Murati: Me LDK-në s’kemi mospajtime të thella për programin

Më: 30 tetor 2019 Në ora: 23:57
Hekuran Murati

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se në takimet e zhvilluara me zyrtarë të LDK-së pas zgjedhjeve, janë diskutuar shumë tema dhe thotë se ka frymë konstruktive nga të dyja palët.

Sipas tij, nuk është se ka ndonjë mospajtim të thellë mes dy partive për çështjet programore, ndonëse tha se janë disa gjëra që duhen ‘hekurosur’, por shtoi se në shumicën e rasteve ka pasur pajtim dhe është gjetur gjuha e përbashkët.

“Ne jemi dakorduar që të mos i shpalosim të gjitha detajet, por jemi pajtuar në parim që gjendja ekonomike në Kosovë dhe punësimi janë probleme që kërkojnë zgjidhje. Kemi pasur edhe përputhje të zgjidhjeve për këto probleme. Një nga problemet është rritja e punësimit, dhe të dy programet fokus e kanë pasur rininë. Çka dallon mund të jetë formati se si do t’i bëjmë ato zgjidhje, por me këto takime shpresojmë t’i tejkalojmë të gjitha ato”, tha Murati në Interaktiv të KTV-së.

Për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Murati tha se ajo duhet shuar, dhe se për këtë është e pajtimit edhe LDK-ja.

“Edhe LDK-ja është e pajtimit që AKP-ja të shuhet, ata e parashohin që të bartet në nivel të qeverisë, afër kryeministrit. Ne duam që të krijojmë edhe fondin sovran, në mënyrë që t’i bartim ndërmarrjet publike, por edhe disa kompani të menaxhuara nga AKP, dhe të krijohet një fond sovran pak më larg politikës. E kemi diskutuar edhe këtë, dhe nuk është se ka mospajtime të mëdha rreth kësaj, sepse idetë përputhen. Pra, duhet menaxhim më i mirë i kompanive publike”, deklaroi kandidati i VV-së për deputet.

Më tej, Murati tha se për Telekomin duhet të rishikohen të gjitha kontratat dhe vendimet e marra nga menaxhmenti dhe bordi i kaluar.

“Me Telekomin, fillimisht duhet të rishikohet puna që është bërë. Duhen rishikuar të gjitha kontratat dhe vendimet, sepse nga ajo që u pa, humbjet kanë qenë enorme. Është kontrata me Z-Mobile, e shumë e shumë kontrata tjera të dëmshme. Po besoj se ka pajtueshmëri me LDK-në që keqpërdorimi të ndalet në ndërmarrjet publike fillimisht, pastaj t’i kthehen profitit”.

“Privatizimi i Telekomit nuk mund të bëhet. Ideja është që asetet shtetërore të mbesin të tilla, dhe të maksimizojmë vlerën e tyre. Privatizimi i deritashëm ka qenë një aksham-pazar, kur një person juridik i ka blerë me pothuajse 1/10 e vlerës së tregut dhe është vjedhur pasuria publike. Por, ideja është që tash këto asete strategjike të zhvillohen. Ideja e VV-së është që të sigurohet që edhe Bordi të jetë profesionist por edhe menaxhmenti të jetë i tillë. Ideja është që të rishqyrtohen të gjitha bordet dhe të sigurohemi që aty të ketë njerëz profesionistë. Nëse nuk janë profesionistë, nuk e ka vendin aty, qofshin edhe anëtarë të ndonjë partie. Nuk mund t’i lëmë në bord persona që menaxhojnë miliona, e që ndoshta s’e kanë menaxhuar asnjë shitore”, deklaroi Murati.

Sipas tij, në qeverisjen e ardhshme, asfalti nuk do të jetë prioritet, por infrastruktura nuk do të lihet anash.

“Deri tash kemi pasur asfalt me çmime enorme dhe shpronësim zhvatës, që ka shkuar kryesisht për një grup njerëzish që i kanë blerë tokat nga privatizimi. Ne jemi të fokusuar të investojmë në infrastrukturë, por të ujitjes e të tjera, e jo në asfalte të shtrenjta. Për zonën e Dukagjinit kemi parë një sërë masash. Pikë së pari, qëndrimi ynë i përbashkët është që ne jemi për një rindërtim dhe zgjerim të asaj rruge. Autostradat po e bëjnë një zonë transit. Kosova është e vogël dhe në shumicën e rasteve po përdoren si transit. Ne do të krijojmë rrugë që mundësojnë ndërveprimin mes qyteteve dhe që janë mundësi edhe për fshatrat përreth, që s’i bllokojnë ato”, deklaroi Hekuran Murati.

Ai tha se tema e Termocentalit Kosova e Re nuk është diskutuar me LDK-në dhe se është lënë për më vonë, por tha se VV-ja është për projekte në energjetikë që e mbajnë çmimin e energjisë elektrike të përballueshëm.

Ai ka thënë se me LDK-në nuk kanë diskutuar fare deri tash për ndarjen e ministrive apo për emra të përveçëm.

Murati ka shtuar se personalisht do të preferonte të ishte pjesë e Kuvendit, ndërsa ka deklaruar se pret bashkëpunim edhe me partitë opozitare.

Sipas tij, “Vetëvendosje do të punojë për të përmbushur premtimet e dhëna në fushatë e jo domosdo të gjitha pritjet e qytetarëve”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat