Gjermania - shteti me më së shumti diasporë shqiptare të regjistruar

Aktuale

Gjermania - shteti me më së shumti diasporë shqiptare të regjistruar

Më: 26 nëntor 2019 Në ora: 15:56
Publikimi ‘Rezultatet Preliminare të Regjistrit të Diasporës sipas ndarjes më të lartë administrative territoriale nëpër shtete’

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka bërë sot prezantimin e publikimit ‘Rezultatet Preliminare të Regjistrit të Diasporës sipas ndarjes më të lartë administrative territoriale nëpër shtete’.

Zëvendësministri në detyrë i Diasporës, Isni Kilaj iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të diasporës të regjistrohen, pasi sipas tij, ata i duhen vendit për të gjitha çështjet.  Ai tha se edhe në zgjedhjet e fundit ka pasur problem sa i përket mos regjistrimit të diasporës.     

“Është shumë më rëndësi që ne të kemi një regjistër të tillë sepse asnjëherë deri sot nuk kemi pasur një numër të përafërt për të gjithë shqiptarët që jetojnë në diasporë sepse kemi pasur një migrim të madh. Është me rëndësi që ne si komb të kemi një numër të përafërt të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Kilaj.

Në prezantimin e bërë nga eksperti i demografisë Kadri Sojeva janë treguar të dhënat e popullsisë në diasporë që janë regjistruar, në vende të ndryshme.

“Gjermania ka 37% të emigrantëve, kurse Zvicra 29.30%. Viti i migrimit më frekuencën më të madhe janë prej vitit 1990 deri në vitin 1995. Hulumtimi i të dhënave është bërë me 400 mijë  të anketuar”, ka thënë Sojeva.

Nga rezultatet ka dalë se shteti me më së shumti diasporë shqiptare të regjistruar është Gjermania duke u pasuar nga Zvicra.

Ndërsa shumica e popullsisë shqiptare që jetojnë në diasporë, nuk kanë të regjistruar biznese.

Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike ka nisur procesin e regjistrimit të diasporës në vitin 2014, proces i cili deri në vitin 2017 u realizua në dy forma, atë fizike përmes formularëve dhe elektronike.

Ndërsa që nga viti 2017, regjistrimi i diasporës është bërë vetëm në mënyrë elektronike.    

Ndryshe, MDIS deri më tani ka realizuar dy publikime të regjistrit. Një në vitin 2017 që kishte të dhëna të përgjithshme të popullatës aktive në diasporë, ndërsa në publikimin e korrikut të vitit 2019, kishte regjistrim të bizneseve të diasporës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat