Geci: Kujdes, të nderuar pretendent politikanë!

Aktuale

Geci: Kujdes, të nderuar pretendent politikanë!

Nga: N.Sh Më: 10 janar 2020 Në ora: 14:48
Vëllezërit Geci

Edhe pas tre muajve pas përfundimit të zgjedhjeve të gjashtë tetorit, Kosova vazhdon të mbetet ende pa qeveri.

Partia fituese Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin që të bëj koalicionin e shumë pritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kjo për faktin se nuk po pajtohen në ndarjen e posteve.

Për këtë çështje ka reaguar edhe Nehat Geci, i cili e quan “dëmtim të sharmit vjeshtor”.

“Nevojat e flakjes së smirave, tekeve, ambicieve dhe apetiteve, shpresuam se gjetën orën e zbatimit të vet përfundimtar, duke pasur parasysh faktin se për herë të parë, po votoheshin kuadro të reja, që në parim, linte të shpresohej një sjellje më me mirësjellje dhe pa paragjykime ndaj ardhmërisë. Këtë edhe e proklamuan përgjatë gjithë kohës së zgjedhjeve. Megjithatë, ja muaji i katërt pas zgjedhjeve, dhe populli pret ankthshëm formimin e qeverisë!”, shkruan Geci në Facebook.

Sipas tij, shkaktari, mbetet njeriu ynë. “Votuesi e shpalosi përkushtimin për ndryshim, ndërsa mandatari, sikur nuk e dëgjon kërkesën emergjente të popullit të vet. Futen në lojë «mekanizma» të një natyre, në qoftë se nuk janë meskine, nuk janë nga ato që pritej nga një mentalitet i njeriut të ri”, shkruan tutje ai.

Shkrimi i plotë:

DËMTIMI I SHARMIT VJESHTOR

Vjeshta e 2019, mbetet njëra ndër periudhat më të frutshme në rrafshin e një bashkëpunimi politik, por që ndërkohë, po përjeton dëmtime të rënda , me reperkusione mbi popullatën dhe ekonominë e saj edhe ashtu tepër të brisht, pikërisht nga një zvarritje e pakuptimtë e formimit të qeverisë. Qe formuar bindja tek votuesit e ndershëm dhe të etshëm për ndryshime në aspektin drejt një krijim të një klime të shëndetshme mirëkuptimi, garancë kjo për një ecje para.

Nevojat e flakjes së smirave, tekeve, ambicieve dhe apetiteve, shpresuam se gjetën orën e zbatimit të vet përfundimtar, duke pasur parasyshë faktin se për herë të parë, po votoheshin kuadro të reja, që në parim, linte të shpresohej një sjellje më me mirësjellje dhe pa paragjykime ndaj ardhmërisë. Këtë edhe e proklamuan përgjatë gjithë kohës së zgjedhjeve. Megjithatë, ja muaji i katërt pas zgjedhjeve, dhe populli pret ankthshëm formimin e qeverisë !

Shkaktari, mbetet njeriu ynë. Votuesi e shpalosi përkushtimin për ndryshim, ndërsa mandatari , sikur nuk e dëgjon kërkesën emergjente të popullit të vet. Futen në lojë « mekanizma » të një natyre, në qoftë se nuk janë meskine, nuk janë nga ato që pritej nga një mentalitet i njeriut të ri.

Në këtë kontekst,parashtrohet pyetja : Mos vallë e bëni prap borxhli këtë popull aq të mirë që u vie pas, duke ua akorduar besimin ? Edhe ç’farë prisni ju nga populli juaj, për të kënaqur apetitet dhe pretendimet tuaja, të cilat zgjedhësi juaj nuk mund t’i njohë sot, por që nesër, patjeter do t’i deshifrojë dhe bëjë publike ?

Në shoqëri normale, kjo humbje në kohë, ekonomi, rregullim shoqëror, kurrë nuk do të kalonte. Ju jeni të vetdijëshëm për këtë, por prap, ju vazhdoni së gozhduari të rraskapiturin njeri tuajin !

Bëhuni koshientë se keni të bëni me një mentalitet të njeriut që rrespekton, por që, në momente të caktuara të anashkalimit të përgjegjësisë, din edhe të ndëshkojë me verdiktin e vet.

Nderi mbetet në anën tuaj, ashtu siq mund t’u përkasë edhe turpi dhe borxhi !

Kujdes, të nderuar pretendent politikanë !

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat