Rasti “Veteranët”, avokati propozon si dëshmitarë zinxhirin komandues të brigadës “Agim Ramadani”

Aktuale

Rasti “Veteranët”, avokati propozon si dëshmitarë zinxhirin komandues të brigadës “Agim Ramadani”

Më: 17 janar 2020 Në ora: 10:26
Ilustrim

Avokati Artan Qerkini, i cili mbron ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ka propozuar 18 dëshmitarë në gjykimin e rastit të njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, avokati Qerkini, ka deklaruar se në mesin e këtyre dëshmitarëve të propozuar janë ish-minsitrat e mbrojtjes dhe krejt zinxhiri komandues i brigadës “138” “Agim Ramadani”.

“Në lidhje me arsyet se pse duhet dëgjuar këta dëshmitarë, mbrojtja rithekson se gjatë procedurës së provave, gjatë dëgjimit të dëshmitarëve është vërtetuar se anëtarët e Komisionit Qeveritar nuk kanë qenë përgjegjës për të gjithë veteranët, por vetëm për zonën në të cilën ka qenë komandant. Prandaj, imponohet nevoja që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen, të gjithë personat të cilët kanë marr pjesë në vlerësimin e aplikacioneve për statusin e veteranit luftëtar, ngase, nga dëshmia e dëshmitarit Rrahman Rama, u vërtetua se një aplikacion ka pas mundësi të jetë valid, edhe me vetëm një nënshkrim, nëse p.sh. Komandanti i zonës ka nënshkruar për komandant të brigadave si vartës të tij, por varësisht prej statusit të luftëtarit, për disa aplikacione është kërkuar të nënshkruhen edhe komplet zinxhiri komandues. Prandaj, dëgjimi i këtyre dëshmitarëve është me relevancë”, ka deklaruar avokati Qerkini.

Seanca është duke vazhduar dhe më pas pritet të vendoset lidhur me këto propozime dhe të tjera që mund të dalin gjatë kësaj seance.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat