Agim Veliu nga Velania: Po e presim përgjigjen e VV’së, e kemi bërë ofertën tonë - Bota Sot
Agim Veliu nga Velania: Po e presim përgjigjen e VV’së, e kemi bërë ofertën tonë

Aktuale

Agim Veliu nga Velania: Po e presim përgjigjen e VV’së, e kemi bërë ofertën tonë

Më: 21 janar 2020 Në ora: 10:48
LDK-ja pranë varrit të Ibrahim Rugovës

(E plotësuar) - Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës në shënim të 14-vjetorit të vdekjes së presidentit Ibrahim Rugova kanë bërë homazhe te varri i tij. Nga aty nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu i dërgoi mesazh Lëvizjes Vetëvendosje se janë në pritje të përgjigjes lidhur me ofertën që ata kanë dërguar, përndryshe nuk kanë çka të flasin.

Veliu duke e quajtur ofertën ndaj Lëvizjes Vetëvendosje si parimore shprehu bindjen se Kryesia e LDK-së qëndron pas saj.

Veliu: Jemi në pritje që Vetëvendosja të deklarohet

“Ne e kemi dhënë ofertën tonë dhe jemi në pritje që Vetëvendosja të deklarohet përndryshe ne diçka tjetër nuk kemi... Oferta jonë është ajo që është dhënë është parimore dhe sigurisht që edhe Kryesia e LDK-së do të qëndrojë aty", tha ai.

Në 14-vjetorin e vdekjes së presidentit Rugova, Veliu tha se Rugova kujtohet si arkitekt i lirisë dhe pavarësisë, përmes të cilit bota e personifikoi Kosovën.

Veliu: Rugova shënoi shekullin e shqiptarëve

"Në 14-vjetorin e shkuarjes së Rugovës në pavdekësi sot e kujtojmë presidentin historik Ibrahim Rugova, i cili e shënoi shekullin e shqiptarëve, e kujtojmë arkitektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës me të cilin botë demokratike gati dy dekada e personifikoi Kosovën", u shpreh Veliu.

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vizituar edhe familjen Rugova, ku shprehën nderimet më të larta për presidentin.

Ibrahim Rugova ishte bashkëthemelues i Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetar i të cilës ishte nga themelimi i saj më 23 dhjetor të vitit 1989 deri më 21 janar të vitit 2006 kur ndërroi jetë.

***

Nënkryetari i parë i LDK-së, Agim Veliu ka deklaruar sot se oferta e tyre për Vetëvendosjen është e qartë dhe se janë duke pritur që të deklarohen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Veliu ka deklaruar se në mbledhjen e sotme të kryesisë nuk do të ketë diçka lëvizje sa i përket ndryshimit të qëndrimit për koalicion.

 “Ne  kemi dhënë ofertën tonë dhe jemi në pritje që LV të deklarohet përndryshe diçka tjetër nuk kemi. Është çështje e kryesisë sot nuk e di çka do të vendosë kryesia, oferta jonë është ajo çka është dhënë është parimore, sigurisht që edhe kryesia e LDK do të qëndrojë aty”, thotë nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Veliu këto komente i ka bërë në 14 vjetorin e ndarjes nga jeta e ish-presidentit historik Ibrahim Rugova, pasi që me një pjesë të partisë kanë bërë homazhe te varri i tij.

“E kujtojmë arkitektin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës me të cilin bota demokratike gati dy dekada e personifikoi Kosovën”, thotë Veliu.

I pyetur për marrëveshjen që të nisin fluturimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit, Veliu thotë para mediave që e përkrahin çdo lëvizje që ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Po çdo lëvizje pozitive që çon ka normalizimi i marrëdhënieve me fqinjët ne e vlerësojmë si pozitive dhe sigurisht që ne kontribuojmë në këtë çështje”, deklaroi nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat