Gagica: Kujtimi për presidentin Rugova duhet të na shërbejë si frymëzim, Kosovën e kishte mbi gjithçka

Aktuale

Gagica: Kujtimi për presidentin Rugova duhet të na shërbejë si frymëzim, Kosovën e kishte mbi gjithçka

Nga: N.H Më: 21 janar 2020 Në ora: 15:15
Presidenti Rugova dhe Hafiz Gagica

Hafiz Gagica, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës dhe ish-udhëheqësi i LDK-së në diasporën e para dhe gjatë luftës, ka thënë se Rugova tërë punën dhe aktivitetin e tij intelektual, politik dhe kombëtar e bëri për një Kosovë të lirë dhe demokratike.

“Presidentin e parë dhe historik të Kosovës, liderin nacional të shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe në shtetet e Perëndimit, atje ku jetojnë shqiptarët si në SHBA dhe Australinë e largët, e kujtoj me pietet të lartë të cilin e njoha për së afërmi si njeri shumë i urtë, tejet i vendosur në jetësimin e objektivave tona nacionale, në veçanti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ai, tërë punën dhe aktivitetin e tij intelektual, politik dhe kombëtar e bëri për një Kosovë të lirë dhe demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian (BE) si dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të dhe aleatët tanë perëndimorë”, ka thënë Gagica, për gazetën “Bota sot”.

Gagica shton duke thënë se Presidenti Rugova, ka luajtur një rol historik në afirmimin e çështjes shqiptare në përgjithësi, dhe të pavarësisë së Kosovës në veçanti, duke ndërtuar një unitet politik dhe kombëtar në nivel kombi, një frymë të re të komunikimit ndër-shqiptar, një tolerancë të veçantë dhe sjellje pa fyerje e urrejtje ndaj njëri-tjetrit, gjë e cila e forcoi shumë kohezionin nacional për sendërtimin e kauzës sonë kombëtare, siç ishte çlirimi dhe pavarësia e Kosovës.

Ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Rugovës me tej ka treguar se thënia e këtij të fundit e njohur; “Se kompromisi ynë më i madh që po e bëjmë është pavarësia e Kosovës...”, nuk ishte një shprehje e çastit, por një strategji e presidentit.

Ndërsa, ka potencuar se ata politikanë që shajnë dhe ofendojnë njëri-tjetrin me lloj-lloj shprehjesh banale nuk kanë asgjë të përbashkët me filozofinë dhe kulturën e presidentit.

“Ata politikanë që sot e shajnë dhe ofendojnë njëri-tjetrin me lloj-lloj shprehjesh banale, kurse në anën tjetër thirrën në emër të presidentit Ibrahim Rugova, apo në frymën rugoviane, thënë shkurtë, nuk kanë asgjë të përbashkët me filozofinë dhe kulturën e tij njerëzore dhe kombëtare. Presidenti, Dr. Ibrahim Rugova, njihej si politikan i kompromiseve politike dhe ndër-partiake, por ishte shumë i vendosur dhe i pa thyeshëm në mbrojtjen e interesave tona politike dhe kombëtare, siç tregon ajo thënia e tij e njohur; “Se kompromisi ynë më i madh që po e bëjmë është pavarësia e Kosovës...”, që kjo nuk ishte shprehje e çastit, por një strategji e ndërtuar që nga koha e themelimit të Këshillit Koordinues të Partive politike Shqiptare në ish Jugosllavi, kryetar i të cilit Këshill ishte zgjedhur Dr. Ibrahim Rugova”, tha ai.

Tutje, ai ka theksuar se Rugova edhe në këto rrethana të koklavitura politike do vepronte njësoi sikur atëherë, kur është në pyetje interesi i Kosovës dhe ardhmëria e popullit shqiptar në Ballkan, ngase siç e kishte njohur Gagica, Rugova në radhë të parë dhe mbi të gjitha e kishte interesin nacional, mbase Kosovën e kishte mbi gjithçka.

“Kujtimi për presidentin Rugova duhet të na shërbejë si frymëzim për më shumë dije, tolerancë dhe mirëkuptim me njëri tjetrin, meqë ishte njeriu që me urtësi dhe përkushtim të madh e afirmoi çështjen shqiptare në botën demokratike, afirmim të cilin me punë të vazhdueshme duhet ta ruajmë dhe forcojmë sa më shumë, me qëllim që Kosova dhe shqiptarët gjithandej globit të bëhen shembull i ndritur i zhvillimit, emancipimit, kulturës dhe shtetit ligjor. Pra, të bëhet një shtet i fort dhe i zhvilluar ekonomikisht, të dëshmojmë se jemi një popull pro-perëndimor, mirë i organizuar dhe i vyeshëm për ta kryer çdo obligim që na del para vetes, kudo që të jemi dhe jetojnë si shqiptarë nëpër botë”, ka deklaruar Hafiz Gagica, ish-bashkëpunëtor i ngushtë i Ibrahim Rugovës, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat