Drejtori i Bordit të KEK-ut e punëson gruan në këtë institucion me rrogë 900 euro

Aktuale

Drejtori i Bordit të KEK-ut e punëson gruan në këtë institucion me rrogë 900 euro

Më: 14 shkurt 2020 Në ora: 20:54
KEK

Mehdi Pllashniku u bë pjesë e Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës në fund të 2017-s.

Duke qenë njëri nga drejtorët e Bordit, vetëm dy vjet më vonë ai ka arritur të sigurojë një pozitë të rëndësishme për bashkëshorten e tij në ndërmarrjen që vetë e mbikëqyr.

Kimete Pllashniku më 29 nëntor të 2019-s mori lajmin se do t’i bashkohet burrit në punë.

Pozita e saj është koordinatore e lëndëve për pronë në Zyrën Ligjore.

Niveli i pagës thuhet të jetë A-3/59. Sipas burimeve brenda KEK-ut, me këtë koeficient, paga e Pllashnikut është rreth 900 euro, kurse kontrata ka nisur të zbatohet nga data 1 dhjetor 2019.

Kohavisioni ka parë dokumentin me të cilin është lajmëruar Kimete Pllashniku për të filluar punën në këtë pozitë, ku ndër të tjera flitet për një transfer të saj.

Siç ka mësuar televizioni, Kimete Pllashniku fillimisht ishte punësuar me një konkurs të jashtëm në njësinë e prodhimit dhe më vonë ishte transferuar në Burimet Njerëzore.

Kohavisioni ka pyetur në Korporatën Energjetike të Kosovës për këtë punësim, por Zyra për media e këtij institucioni nuk ka kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, edhe vetë anëtari i Bordit, Mehdi Pllashniku nuk ka qenë i qasshëm për të sqaruar nëse ka përdorur autoritetin e tij për ta punësuar bashkëshorten në këtë institucion.

Ndryshe Mehdi Pllashniku është edhe drejtor i departamentit të Regjistrimit të Biznesit, në ARBK.

Kohavisioni edhe më parë ka raportuar për punësime familjar në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Partitë në pushtet kishin shfrytëzuar Ligjin për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit për të gjetur punë për familjarët e tyre, në KEK.

Aty gjeti punë Enver Gashi që është vëllai i kreut të Obiliqit, Xhafer Gashi, e që gjithashtu është këshilltar komunal i AAK-së në këtë Komunë, dhe djali i kreut të PDK-së në Obiliq.

Drejtori menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaçi, që është kushëriri i presidentit, me vete në korporatë mori edhe djalin e axhës së tij, Ekremin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat