Burri i Vjosa Osmanit e padit Abelard Tahirin për shpifje

Aktuale

Burri i Vjosa Osmanit e padit Abelard Tahirin për shpifje

Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 00:08
Vjosa dhe Prindon Sadriu

Prindon Sadriu ka paralajmëruar se të hënën do të padis, Abelard Tahirin, për shpifje nëse ish ministri i Drejtësisë nuk kërkon falje.

Duke iu referuar një interviste që ka dhënë, Sadriu ka renditur disa që ai i quan shpifje të Tahirit për të.

Për këtë arsye ka paralajmëruar padi.

“Për këto tri shpifje z. Tahiri bën mirë të më kursej mua dhe vetes kohën dhe të kërkoj falje të menjëhershme, në të kundërtën nëse kjo nuk ndodhë, të hënën do të nis procedurat e mbrojtjes ligjore dhe kompenzimit financiar dhe me z. Tahiri do të shihemi në seanca gjyqësore”, ka shkruar Sadriu.

Ky është postimi i plotë i Sadriut:

Deputeti i PDK-së Abelard Tahiri sonte në televizionin RTV21 paska shpifur në disa raste rreth angazhimit tim profesional në MPJ. Së pari paska shpifur me faktin se unë, sipas tij, qenkam “Kosull” gjë që nuk qendron sepse asnjëherë nuk kam mbajtur grada konsullore dhe nuk kam punuar në atë sektor. Unë mbaj gradë diplomatike dhe jam zyrtari i vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të cilit i është mohuar gradimi për tetë vite, dhe poashtu për 11 vite e 3 muaj më është mohuar e drejta ligjore të shërbej jashtë. Këto shkelje flagrante të legjislacionit në fuqi i kanë berë kryesisht ministra të partisë së tij të cilët e kanë sjellur shërbimin e jashtën në gjendje të mjerueshme. Pra tendenca e tij për të barazuar konsujt e emëruar jashtëligjshëm dhe pa asnjë ditë përvojë pune në MPJ me rastin tim është shpifje për arritje të qëllimeve politike.

Shpifjen e dytë z. Tahiri e bën kur thotë se unë qenkam punësuar në MPJ vetëm pse jam bashkëshort i Vjosa Osmanit. Sa për sqarim, unë kam filluar punën në MPJ më 1 gusht 2008 si gjeneratë e parë e diplomatëve të karrierës, ndërsa në lidhje bashkëshortore me Vjosën jam nga viti 2012. Pra plot 4 vite pas punësimit tim në MPJ. Gjithashtu për sqarimin tuaj z. Tahiri, para angazhimit në MPJ kam punuar për 3 vite shtesë në diplomaci dhe marrëdhënie ndërkombëtare; në kabinetin e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë dhe në Kongresin Amerikan, respektivisht Dhomën e Përfaqësuesve.

Shpifjen e tretë z. Tahiri e bën kur më quan militant partiak. Për këtë shpifje z. Tahiri do të duhet të dëshmojë anshmërinë time partiake dhe rrjedhimisht edhe thyerjen e disa ligjeve që rregullojnë paanshmërinë e anëtarëve të shërbimit të jashtëm dhe ushtarakëve të FSK-së.

Për këto tri shpifje z. Tahiri bën mirë të më kursej mua dhe vetes kohën dhe të kërkoj falje të menjëhershme, në të kundërtën nëse kjo nuk ndodhë, të hënën do të nis procedurat e mbrojtjes ligjore dhe kompenzimit financiar dhe me z. Tahiri do të shihemi në seanca gjyqësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat