Ushtaraku i batalionit “Atlantiku”: Tash topi te Thaçi, ja ku e kanë burimin hezitimet e Kurtit

Aktuale

Ushtaraku i batalionit “Atlantiku”: Tash topi te Thaçi, ja ku e kanë burimin hezitimet e Kurtit

Nga: A.ZH Më: 24 shkurt 2020 Në ora: 15:11
Albin Kurti dhe Hashim Thaçi

Publicisti dhe ish-ushtari i batalionit "Atlantiku" Uk Lushi, ka thënë se kryeministri i Kosovës ka lëvizur në drejtim të drejtë të hapjes së tij për bashkëpunim dhe bashkëveprim me presidentin Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se Thaçi e Kurti me opozitën, duhet të vendosin dhe të veprojnë njëzëshëm për përmbylljen dhe finalizimin e njohjes ndërshtetërore Kosovë-Serbi, përcjell Bota sot.

Dyshimet se Amerika “ia ka mbyllur derën” Kurtit, Lushi i ka quajtur të pabazuara, duke thënë se hezitimet e Kurtit e kanë burimin tek “drynat e Thaçit”.

Ai është shprehur i bindur se Kurti, nuk do të lëkundet kur vie puna te interesi kombëtar.

“Ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë është ngritje çmimi dhe vlere e pozicionit të Kosovës në proces”, ka shkruar Lushi.

Postimi i plotë i Lushit në Facebook:

Tash topi është te Presidenti Hashim Thaçi. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka lëvizur në drejtimin e drejtë të hapjes së tij për bashkëbisedim, bashkëpunim dhe bashkëveprim me Presidentin.

Thaçi, Kurti, kryesuesit e institucioneve dhe opozitës si dhe njerëzit tjerë tonë të nevojshëm duhet të koordinohen, vendosin dhe veprojnë njëzëshëm ndërkaq që provohet mbyllja dhe finalizimi i njohjes ndërshtetërore Kosovë-Serbi.

Ka dyshime, kryesisht të pabazuara, që shohin Kurtin si të ngurtë vis-a-vis amerikanëve, por hezitimet e Kurtit burimin e kanë te drynat e Hashim Thaçit. Prandaj Thaçi duhet të hapë të gjitha dyert dhe deriçkat dhe Albin Kurti duhet të ulet në çdo tavolinë ku bisedohet dhe nga ku do të vie Marrëveshja Finale Kosovë-Serbi.

Hapja e krahut e Hashim Thaçit, në fakt, e zbulon aftësinë gjegjësisht paaftësinë e Kurtit të jetë burrështetas respektivisht përmbushës apo iluzion i shpresave tona. Nëse Kurti eventualisht tregohet dogmatik, Kurti do të vetëpërjashtohet dhe do ta humb përkrahjen popullore dhe kombëtare. Unë jam i bindur që Albin Kurti kur vie puna te interesi kombëtar nuk do të lëkundet as të sakrifikojë por as të bëjë kompromise nëse neto rezultati është përfitues për shqiptarët.

Presidenti Hashim Thaçi nuk mund të vazhdojë të mbajë çelësin e monopolit të informatave dhe bisedimeve, sidomos me amerikanët, pa prani dhe kontribut të përgjegjësve tjerë. Ardhja e Albin Kurtit në krye të qeverisë është ngritje çmimi dhe vlere e pozicionit të Kosovës në proces.

Kryeministri Albin Kurti afër Presidentit Hashim Thaçi do ta forcojë pozicionin e Presidentit dhe anasjelltas. Kur jemi bashkë forcohet pozicioni i Kosovës. Hashim Thaçi, më në fund, duhet t'i hapë të gjitha kyçet dhe drynat. Hanibali i Epokës së Re për Kosovën është ante portas./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat