Hapen edhe disa pika kufitare

Aktuale

Hapen edhe disa pika kufitare

Më: 15 qershor 2020 Në ora: 13:49
Qeveria Hoti

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga data 22 qershor të hapë për qarkullim edhe katër pika kufitare, të cilat qenë mbyllur për shkak të përhapjes së koronavirusit. Në mbledhjen e sotme të ekzekutivit, ministri i Shëndetësisë tha se kjo po bëhet për shkak të fluksit të madh të qytetarëve që po shfrytëzojnë kufijtë të cilët tashmë janë hapur.

Zemaj tha se Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme do të analizojë situatën dhe varësisht nga kapacitetet, gradualisht të hapen edhe pikat e tjera kufitare.

Zemaj: Nga 22 qershori hapen edhe katër pika kufitare

“Ne paraprakisht kishim përcaktuar pikat kufitare të cilat u hapën me atë datë, Merdare, Kullë, Vërmicë, Han i Elezit, Jarinje, Dheu i Bardhë, është e domosdoshme, pas fluksit të madh të qytetarëve të cilat drejtohen në pikat e tjera, kemi propozuar që të hapen edhe pikat e kalimit të kufirit edhe Qafë Prush, Qafë Morinë, kufirit Muçibabë dhe Mutivodë”, tha Zemaj në mbledhjen e qeverisë.

Ai kërkoi zbatimin e masave strikte që përmban manuali për Covid-19, nisur nga institucionet publike.

Madje, sipas tij, edhe mbledhjet e qeverisë duhet të mbahen në një sallë që ofron më shumë hapësirë për respektim të distancës.

Zemaj: Mbledhjet e qeverisë të mbahen duke respektuar distancën

“Kisha propozuar që takimet e ardhshme t’i zhvillojmë në sallën tjetër e cila na ofron mundësi, hapësirë dhe distancë, për respektimin e manualit, atëherë edhe institucionet e tjera, edhe ndërmarrjet publike, edhe qytetarët do të jenë të mbikëqyrur në kuadër në kuadër të këtij manuali”, shtoi Zemaj.

Në mars, shteti kishte mbyllur kufijtë tokësorë e ajrorë, kur filloi të përhapet Covid-19 edhe në Kosovë.

Por me lehtësimin e masave, nga 1 qershori kufijtë tokësor u funksionalizuan dhe u vërejt numër i madh i qytetarëve që kaluan kufijtë për në vendet e rajonit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat