Përfundon seanca, mungesa e bashkëpunimit dhe kuorumit rezulton pa miratimin e një rezolute - Bota Sot
Përfundon seanca, mungesa e bashkëpunimit dhe kuorumit rezulton pa miratimin e një rezolute

Aktuale

Përfundon seanca, mungesa e bashkëpunimit dhe kuorumit rezulton pa miratimin e një rezolute

Më: 14 korrik 2020 Në ora: 07:23

(E plotësuar) - Pa një rezultat konkret ka përfunduar seanca e sotme plenare për menaxhimin e pandemisë Covid 19. Dy partitë opozitare, LVV-ja dhe PDK-ja dështuan të harmonizojnë rezolutat e tyre pas debatit të tejzgjatur për dy ditë me radhë.

Për këtë qëllim dhe në mungesë të kuorumit votimi përfundimtar është shtyrë në seancën e radhës, derisa iu kërkua dy partive të bashkëpunojnë në mënyrë që nga kjo seancë të del një rezolutë e përbashkët e të zgjedhurve të popullit.

Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku paraqiti katër pikat e rezolutës së tyre, ku përfshihet edhe votimi me procedurë të përshpejtuar i projektligjit anti-Covid.

Kollçaku: Të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar projektligji për luftimin e Covid 19

“Të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar projektligji për luftimin dhe parandalimin e pandemisë Covid 19 në Kosovë. Për pacientët të infektuarit me simptome të lehta, të dyshuarit me këtë infeksion dhe familjarët e tyre institucionet të marrin përsipër mbrojtën dhe kompensimin e nevojave tyre elementare shëndetësore dhe sociale. Nën tre: të merren masat urgjente për trajtimin, mbrojtjen e personelit shëndetësor, përfshirë rekrutimin e stafit shtesë në të gjitha nivelet në raport me rekomandimet. Nën katër: të gjitha institucionet të marrin të gjitha masat për informim korrekt në kohë reale mbi të vërtetën e gjendjes aktuale epidemiologjike për seriozitetit dhe pasojat e pandemisë”, tha ajo.

Kurse një rezolutë tjetër me gjashtë pika e paraqiti deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ku përfshihej miratimi i projektligjit anti-Covid, por kërkohej edhe rritja e pagës së profesionistëve shëndetësorë.

Haxhiu: Të autorizohet Komisioni për Shëndetësi të sjellë sa më shpejtë për miratim ligjin anti-Covid

“Nën 1 që situata të vihet në kontroll dhe mos ketë politizime rreth ligjit. Po e shohim se ligji anti-Covid ka mbetur për shkak të inateve politike të votohet, edhe pse ne si PDK i kemi jap mbështetje prej fillimi. Prandaj kemi kërkuar që të autorizohet komisioni parlamentar për shëndetësi në afatet më të shpejt kohor të sjell për miratim ligjin anti-Covid. Nën dy kërkojmë urgjentisht që qeveria me vendim të veçantë të rrisë pagat e profesionistëve shëndetësor ashtu siç ishte e planifikuar me projektligjin e pagave. Duke përfshirë kërkesat e infermiereve, po ashtu ky vendim duhet të përfshijë gjitha kategoritë apo zyrtarët shtetëror që po përballet në menaxhimin e pandemisë...nën tre ministria e shëndetësisë të mundësojë punësimin e edhe të 1500 profesionistëve shëndetësor me qëllim të përpalljes me pandeminë Covid 19. Askush nuk ka garancinë që pandemia do të tejkalojë...nën katër sa më shpejt të bëhet decentralizimi i testimeve dhe trajtimi për Covid 19 duke mbështetur komunat në menaxhim të situatës”, tha ai.

Edhe seancën e sotme e ka karakterizuar debate dhe polemika të ashpra ndërmjet deputetëve të partive në pushet dhe opozitës. Por herë pas here edhe vet të dy partive opozitare.

***

Mungesa e deputetëve në sallën e Kuvendit të Kosovës, ka pamundësuar procesin e votimit për dy rezoluta, pas diskutimit për situatën pandemike me COVID 19 në vend.

Në sallë ishin të pranishëm 40 deputetë.

Kryetarja e Kuvendit tha se deputetët e PDK-së dhe LVV-së, propozues të dy rezolutave, të bashkojnë pikat dhe të formulojnë një të vetme për ta votuar.

Propozuesja e rezolutës nga VV, Fatmire Kollçaku prezantoi pikat e rezolutës për votim.

Më poshtë gjeni katër pikat e rezolutës së propozuar nga VV:

Image

Ndërsa pikat e propozuara nga PDK, përmes propozuesit, Bekim Haxhiu, mund t’i gjeni këtu:

Image

Osmani: Askush s’ka të drejtë ta bllokojë ligjin për pandeminë

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka përtëritur se vendit i duhet një bazë ligjore për luftimin e pandemisë, derisa ka kërkuar nga deputetët të mos bëhen arsye që ky virus të mos luftohet me ligj.

 

Kryetarja e Kuvendit po ashtu tha se nuk ka asgjë politike në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese për dallim prej asaj që po e thotë zëvendëskryeministri Driton Selmanaj.

Osmani: Askush s’ka të drejtë ta bllokojë ligjin për pandeminë

“Unë shpresoj që shumë shpejt ky projektligj të vjen në kuvend për lexim të parë ta ketë votën tuaj. Mirëpo, mos thoni që kjo është iniciuar për arsye politike. Nuk ka asgjë politike në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese që duhet ligj. Ata e kanë sqaruar shumë mirë për dallim prej asaj që po tenton ta thotë një nga zëvendëskryeministrat. Ata thonë që për të bërë kufizime për të drejtat e njeriut sikur për këto që janë të nevojshme këto ditë nuk duhet gjendje e jashtëzakonshme, por mjafton një ligj sipas nenit 55 të Kushtetutës. Nuk kemi asnjëri të drejtën që ta bllokojmë një mundësi që të luftohet pandemia dhe kjo arrihet nëpërmjet këtij ligji”, tha Osmani.

​LDK e LVV akuzojnë njëra-tjetrën rreth testimeve për COVID-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka nënshkruar udhëzimin administrativ për të licencuar laboratorët privatë për testimet me Coivd.

Zemaj gjatë seancës plenare që po mbahet për situatën me pandeminë Coivd 19 u shpreh se tashmë do të rritet edhe numri i testimeve në nivel vendi.

Zemaj: Së shpejti do të rritet numri i testimeve

“Sot kam nënshkruar dy udhëzime administrative, kam nënshkruar bordin e ri për licencim për pjesën për Covid të laboratorëve privatë. Menjëherë do të fillojnë institucionet publike të rrisin numrin e testimeve. Komuna e Prishtinës veç është në pritje, besoj që institucionet publike dhe private do të përgatiten për këtë punë”, tha Zemaj.

Kreu i shëndetësisë gjatë situatës iu kundërpërgjigj edhe deputetëve opozitarë për formën e testimeve.

Ai tha se nuk është privilegjuar askush deri më tani, por ata vetëm që i kanë pasur parametrat për testim.

***

Akuza dhe kundërakuza ndërmjet deputetëve të LDK-së dhe VV-së për menaxhimin e pandemisë në vend pati edhe në seancën e sotme.

Deputetja LDK-së, Doruntinë Maloku duke kërkuar unitet për luftimin e pandemisë, tha se përçarja rreth kësaj teme ka bërë që qytetarët mos ta marrin seriozisht rrezikun që përbën ky virus dhe si pasojë vendi mund të shkojë drejt katastrofës.

Ajo tha se në fillim të pandemisë, ish-Qeveria Kurti testoi për Covid-19 vetëm zyrtarë qeveritarë nga VV-ja, derisa i harroi qytetarët.

Maloku: Të privilegjuarit e parë për testim kanë qenë zyrtarët e lartë të VV-së në Qeverinë Kurti

“Qytetarët duhet ta dinë se personat e parë me funksion të lartë publik që kanë qenë të privilegjuar, e ritheksoi të privilegjuar, për t’u testuar kanë qenë zyrtarët e lartë të VV-së. Për pikë të qejfit kabineti i ish-kryeministrit Kurti, të gjithë ministrat e VV-së përfshirë edhe zyrtarë jo qeveritarë në zyrat e qeverisë, janë testuar me të filluar pandemia në kohën kur shumica e qytetarëve tanë as informatën më të vogël për teste nuk e kanë pasur”, theksoi Maloku.

Ndërsa, deputeti i VV-së, Hekuran Murati ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes Maloku, duke e quajtur hipokrizi, derisa tha se në qeverisjen aktuale anëtarë të LDK-së janë testuar me gjithë familjen pa pasur simptoma.

Murati: LDK-ja janë hipokritë

“Në lidhje me atë që u tha prej koleges edhe që bëri thirrje që të bëhemi bashkë t’i lëmë dallimet anash për shkak se jemi në situatë pandemie, mua më duhet t’i referohem prapë fjalës së djeshme hipokrizi. Për shkak se është pikërisht Grupi Parlamentar i LDK-së bashkë me koalicionin qeverisës të cilët nuk e votuan Ligjin anti-Covid-19 kur ishte këtu. Prandaj, duhet ta them edhe një herë se ky është definicioni i hipokrizisë… Sa i përket testimeve këtu përveç deputetëve kemi pasur edhe anëtarë të tjerë të LDK-së të cilët janë testuar me gjithë familjen pa pasur simptoma. Kurse ne kemi qytetarë që tash edhe kur kanë simptoma ju thonë ‘shkoni te shtëpia e vetëizolohuni se s’kemi teste dhe s’mund t’iu testojmë’”, tha ai.

Kundër replikë ndaj deklaratës pati deputetja nga radhët e LDK-së, Maloku, duke thënë se nuk ka hipokrizi më të madhe se në mes të pandemisë të bëhen teste për protesta dhe të njëjtit t’i përshëndesë nga ballkoni i qeverisë ish-kryeministri Kurti.

Maloku: Hipokrizi është me i përshëndet protestuesit nga ballkoni i qeverisë

“Kur të flasim për hipokrizi, nuk ka hipokrizi më të madhe sesa më tregu sa shumë i doni qytetarët e neve na bien ndërmend që s’janë bërë as dy muaj që ju e keni filluar hapjen masave në raport me përgatitjet e juaja për protestë. Kur flasim për hipokrizi nuk ka hipokrizi më të madhe se në mes të pandemisë kur krejt bota vuante prej pandemisë ju i keni ftuar qytetarët me dalë në shesh edhe me bërë teste për protestë që në fakt kanë qenë teste me jetën tyre. Edhe ne nuk e harrojmë përshëndetjen nga ballkoni të ish- kryeministrit Kurti atyre të testuarve që ua keni bërë ju. Kaq sa mendoni ju për popullin dhe sa mendojmë ne”, tha ajo.

Debati për pandeminë po vazhdon ende në Kuvendin e Kosovës.

Gaxherri arsyeton vendimet e ish-qeverisë Kurti: Kanë qenë standarde ndërkombëtare

Deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri në seancën e sotme plenare ku po diskutohet për situatën me pandeminë Covid 19 ka arsyetuar disa prej vendimeve të ish-Qeverisë Kurti.

Ajo, masat restriktive për virusin korona dhe lirimin e tyre që kanë ndodhur gjatë qeverisjes paraprake, i konsideron si standarde ndërkombëtare që janë ndërmarrë nga çdo shtet.

Gaxherri: Këto janë standarde ndërkombëtare

“Situata është shumë serioze, është alarmante. Gjendja e kohës së masave të shtrënguar në ish-qeverinë dhe lirimi i tyre që është bërë me 1 qershor ka ndryshuar shumë. Por këto janë standardet ndërkombëtare. As ish-qeveria si ka marrë masat shtrënguese, ndonëse ishte jo kushtetuese vetëm si Kosovë për ishin tërë bota të njëjta. E as lirimit të këtyre masave që i kanë bërë, pasi i patën bërë të gati të gjitha shtetet tjera. Për këtë jemi para kësaj situate”, tha ajo.

Numri i maskave përplasë sërish VV-në dhe PDK-në

Deputetja e PDK-së, Besa Ismaili iu ka kërkuar kolegëve të saj deputetë nga LDK-ja që të mbështesin projektligjin për luftimin dhe parandalimin e pandemisë Covid 19.

Në seancën e sotme plenare ku po diskutohet për menaxhimin e situatës me virusin korona, Ismaili tha se Kosova është bllokuar si pasojë e lojës ndërmjet partive politike.

Ismaili: I bëj thirrje LDK-së që të mbështesin Ligjin anti-Covid

“I bëj thirrje deputetëve të LDK-së që të mbështesin Ligjin anti-Covid, sikur iu bëj thirrje deputetëve të VV-së që t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Mendoj që jemi katandisur keq, kjo lojë politike po e bllokon Kosovën”, tha ajo.

Krahas kësaj, deputetja e PDK-së shprehu pakënaqësi ndaj Qeverisë Hoti për menaxhimin e pandemisë Covid 19.

Ismaili: Dështimin e qeverisë nuk mund të anashkalojmë tërësisht

“Dështimin e qeverisë dhe papërgjegjësinë e tyre nuk mund të anashkalojmë tërësisht. Kjo papërgjegjësi duhet të rikthehet në veprime konkrete. Miratimi i çdo ndihme me theks të veçantë në rolin parlamentar është veprim parësore, qoftë si shtytje, qoftë si votim. Prioritet duhet të kenë zonat e prekura specifikisht zonat e varfra. E fatkeqësisht këtu bën pjesë qyteti i Mitrovicës si njëri ndër qytetet më të varfra. Covid 19 thellon ndasinë shoqërore dhe vë barriera ndaj qytetarëve të varfër që izolohen shumë”, tha ajo

***

Çështja e maskave u bë sërish temë debati mes dy partive opozitare, ku deputeti i VV-së, Eman Rrahmani akuzonte partinë e Kadri Veselit se po e mbështesin në heshtje Qeverinë Hoti.

Sipas tij, në PDK mburreshin për lënien 60 mijë maskave në stoqet e MSH-së, por që konsideron se ato nuk kanë shërbyer as për një ditë.

Rrahmani: PDK-së duhet t’i vijë trup

“E PDK-ja si opozitë në thonjëza që është këtë qeveri që e ka në dorë ka zgjedhur armën e vetme që e ka në dorë, të heshtë. Për besë, duhet t’i vijë turp, por këta as nuk skuqën e as nuk iu vjen marre, sepse iu shkon ky rol. Publikisht në opozitë, faktikisht janë edhe më të fortë se kryeministri i kësaj ‘qeveri Koti’ në vendimmarrje. Si të kritikojnë kur e dinë se çfarë gjendje e kanë lënë sistemin shëndetësor. ‘Hej iu kemi lënë 60 mijë maska’, mburrej një deputet i kësaj partie, afër kishte ish-ministrin, e i cili nuk është i fushës se ky numër nuk bën punë as për një ditë, e as për personelin shëndetësor”, tha ai.

Por atij i reagoi deputetja e PDK-së, Ganimete Musiliu, e cila akuzoi deputetin se po manipulon me shifra.

Derisa theksoi se falë ish-ministrit Ismaili, shëndetësia në Kosovë po përballon fluksin e rritjes së infektimeve javët e fundit.

Musliu: Falë Uran Ismailit shëndetësia në Kosovë po përballon fluksin e rritjes së infektimeve javët e fundit

“Nëse Uran Ismaili i ka lënë 60 mijë maska dhe ato vlejnë vetëm për një ditë, Arben Vitia e ka shpall tenderin për 160 mijë maska dhe vlejnë vetëm për dy ditë. Edhe një herë po iu them të mos manipulojnë me shifra dhe mos shesin moral për diçka që s’e kanë bërë kurrë. Thjesht duhet të jenë mirënjohës me atë çka kanë gjetur nga Uran Ismaili dhe falë tij edhe sot shëndetësia po arrin të përballojë fluksin e rritjes së infektuarve”, tha ai.

Seanca është duke vazhduar, derisa kabineti qeveritar, për të cilin po diskutohet se si po e menaxhon situatën me COVID-19 po mban mbledhjen e thirrur nga kryeministri Avdullah Hoti.

***

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur vazhdimi i seancës lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, e cila kishte nisur dje në orën 16:00.

Deputeti i LVV-së, Shpejtim Bulliqi ka thënë se kjo qeveri e ka humbur toruan dhe nuk e ka idenë se çfarë të bëjë në këtë situatë.

Bulliqi ka thënë se Hoti është kryeministër që simbolizon dhunimin e sistemit tonë kushtetues.

“Është kryeministër që simbolizion dhunimin e sistemit tonë kushtetues nga klika që e mbajtën të kapur pushtetin dhe institucionet e thirrura për të dhënë drejtësi”, ka thënë Bulliqi.

Bulliqi ka shtuar se përhapja e pakontrolluar e virusit ndodhi sapo Hoti mori detyrën sepse sipas tij ai nuk kishte asnjë ide për menaxhimin e krizës COVID-19, përveç grabitjes së pushtetit.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sërish këtë të martë për të vazhduar seancën e djeshme për pandeminë Covid 19.

Aty, edhe gjatë ditës sotme pritet të raportojë kryeministri Avdullah Hoti për menaxhimin e situatës me virusin korona, ku dhe 22 deputetë pritet të kërkojnë sqarimet e tyre sa i përket kësaj çështje.

Për shkak të respektimit të manualit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ajrosjes së sallës plenare, me propozim të Vetëvendosjes seanca dje u ndërpre për të vazhduar sot.

Ndërkohë, këta të fundit që janë iniciuesit e seancës kanë propozuar një rezolutë, e cila nëse gjenë harmonizim brenda grupeve parlamentare pritet të votohet.

***

Seanca për raportimin e kryeministrit Hoti dhe debat parlamentar lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19, që nisi dje në ora 16:00, do të vazhdojë sot në ora 10:00.

Rreth 5 orë deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë debatuar rreth menaxhimit të situatës së pandemisë.

Seanca që filloi në ora 16:00 e që përfundoi tek në orën 22:00, u karakterizua me shumë debat të ashpër, kryesisht ndërmjet deputetëve të VV-së me kryeministrin Hoti dhe ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Me propozim të shefit të GP-së të VV-së, Rexhep Selimi, seanca për debatin për pandeminë u ndërpre për të vazhduar sot në ora 10:00.

Për këtë temë shëndetësore, kanë mbetur të diskutojnë edhe 22 deputetë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat