Miratohet lista e dëshmitarëve për procesin e privatizimit

Aktuale

Miratohet lista e dëshmitarëve për procesin e privatizimit

Më: 12 gusht 2020 Në ora: 13:25
Foto nga takimi

Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë ka miratuar listën e dëshmitarëve. Kjo listë përfshinë gamë të gjerë zyrtarësh me ish funksione publike dhe private që ndërlidhen me privatizimin. Ani pse nuk u bë publike lista me emra për secilin që do të dëshmojë, ish ministra, ish kryesues bordesh, udhëheqës të AKP-së, e po ashtu ish përfaqësues të huaj në Kosovë do të dëshmojnë para këtij komisioni.

Por u shfaqen dilema për largimin e disa emrave, ish zëvendëskryesuesi i bordit të AKP-së, njëherësh anëtarë i LDK-së, Naser Osmani dhe ish përfaqësuesin e UNMIK-ut, Adrea Capusela.

Për të parin u tha se për të njëjtën çështje ka një proces gjyqësor dhe mund të ketë ndërhyrje në drejtësi. E për përfshirjen e tij ose jo u kërkua një interpretim ligjor nga zyra ligjore e Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, nga PDK-ja u kërkua që ish zyrtari i UNMIK-ut, Adrea Capusela, të largohet nga lista e dëshmitarëve për shkak, siç u thanë afërsisë me subjekte politike në Kosovë.

Ndërkohë, kryetari i komisionit, Hajrullah Çeku tha se lista është bazuar në strukturën dhe kategoritë e dëshmitarëve për punën e komisionit, për të cilën tha se mund të ndryshojë.

Çeku: Kjo nuk nënkupton se është listë përfundimtare

“Jam bazuar në atë strukturën që e kemi miratuar brenda planit të punës ku janë caktuar kriteret dhe kategoritë e dëshmitarëve që duhet të i ftojmë për punën e komisionit. Kjo nuk do të thotë që do t’i ftojmë të gjithë këta. Nuk nënkupton se kjo është listë përfundimtare...në momentin që e miratojmë një listë këtu të fusim edhe një klauzolë në fund që kjo listë është dinamike. Gjatë procesin të punës nëse paraqitet nevoja të pasurojmë këtë listë me emrat të rinj”, tha ai.

Ndërkaq, anëtarja e komisionit nga LDK-ja Doruntinë Maloku kërkoi përfshirjen edhe ish ministrit të Tregtisë, Bujar Dugolli dhe largimin e bashkëpartiakut të saj, Naser Osmanit, që sipas saj për çështje të privatizimit është një proces gjyqësor karshi tij.

Maloku: Të largohet emri i Naser Osmanit nga lista e dëshmitarëve

“Ju keni paraqitur disa emra të ish ministrave që sipas funksionit kanë qenë pjesë e bordit të AKM-së së atëhershme. Por mungon emri i ish ministrit, Bujar Dugolli. Te lista e anëtarëve dhe kryesuesve të bordit e kemi çështjen tek zëvendës kryesuesi, Naser Osmani i cili momentalisht është pjesë e një hetimi dhe procesi gjyqësor në lidhje me procesin e privatizimit. Prandaj në emër të LDK-së kërkojë që të largojmë emrin e Naser Osamnit për shkak se ndodhet në një proces tjetër dhe ne nuk kemi të drejtë të interferojmë, apo të bëjmë një hetim paralel për çështje të privatizimit. Në vend të tij propozojë që të jetë ish anëtari i bordit, përfaqësuesi i sindikatave të punëtorëve, zotëri Haxhi Arifi. Tek lista e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Kosovë, propozoj të jetë edhe Marie Fuci”, u shpreh ajo.

Por kjo u kundërshtuar nga deputeti i LVV-së, Liburn Aliu i cili kërkoi interpretim ligjor zyrtarë për këtë çështje.

Aliu: Duhet të kërkojmë interpretim për këtë çështje

“Kjo çështje duhet të sqarohet sepse Kuvendi është organi më i lartë. Nëse ne marrim përsipër një hetim ne kemi të drejt, mendoj se kemi të drejtë. Së paku mund të kërkojmë interpretim për këtë çështje”, tha ai.

Kurse deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha u shpreh se në këtë listë të dëshmitarëve duhet të largohet ish kryesuesi i AKP-së, Blerim Rexhaj dhe ish përfaqësuesi i huaj në Kosovë, Andrea Capusela.

Hoxha: Unë e kundërshtojë që Adrea Capusela të jetë dëshmitar

“Po shoh zotërinë Blerim Rexha i cili ka qenë kryesues i bordit në AKP, sa unë e di ai ka qenë vetëm 2 muaj kryesues i bordit. Mesa e di ai ka qenë në janar, pastaj në mars ka dhënë dorëheqje. Mund të mos jep i saktë me muaj, por veprimtaria e tij ka qenë vetëm dy muaj, pas dy muajsh ai ka dhënë dorëheqje. Nuk e di cili mund të jetë kontributi i tij ndoshta gjatë asaj periudhe nuk ka qenë asnjë proces i privatizimit që ka ndodhur. Po bëjmë listë të madhe të dëshmitarëve, derisa kontributi i tyre nuk mund të jetë i mirë. Kam edhe një çështje tek përfaqësuesit ndërkombëtar, respektivisht Andrea Capusela që ka qenë përfaqësuesit i UNMIK-ut. Ky Andrea Capusela mund të shohin edhe mediat në rrjetet sociale, por unë mendoj që është person politik dhe ka afërsi me parti të caktuara në Kosovë. Derisa e ka gojën plotë duke sharë dhe fyer vlerat e luftës dhe personat me ndikim në Kosovë. Kështu unë e kundërshtojë që Adrea Capusela të jetë dëshmitar”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket përzgjedhjes së listës së ekspertëve la të vendoset në mbledhjet e ardhshme.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat