​Kurti: Delegacionii Kosovës në Uashington është turizëm qeveritar me para të popullit

Aktuale

​Kurti: Delegacionii Kosovës në Uashington është turizëm qeveritar me para të popullit

Më: 3 shtator 2020 Në ora: 17:08
Albin Kurti

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, e quan turizëm qeveritar vizitën e delegacionit të Qeverisë së Kosovës në Uashington, për takimin me Serbinë.

Albin Kurti ka kritika të mëdha ndaj delegacionit kosovar në takimin në Shtëpinë e Bardhë.

Këtë delegacion e ka quajtur pa legjitimitet e të papërgatitur, duke theksuar se negociatat e vërteta janë duke u zhvilluar mes ShBA-së dhe Serbisë, por pa Kosovën.

Në një konferencë për media, kreu i partisë më të madhe opozitare tha se ekipi i Kosovës nuk është i koordinuar.

Albin Kurti tha se Serbia ka shumë borxhe ndaj Kosovës, andaj nuk ka nevojë për marrëveshje të tjera të paimplementuara, për çka tha se nuk presin as drejtësi, e as dobi nga ky delegacion. Këta të fundit sipas tij, e lanë Kosovën siç më keq në pandemi për të vrapuar pas Vuçiqit për njohje të ‘Zajednicës’.

Kurti: S’mund të ketë marrëveshje ekonomike me Serbinë, e cila nuk është edhe politike

“U tha që marrëveshja do të jetë vetëm ekonomike, mirëpo nuk mund të ketë marrëveshje ekonomike me Serbinë e cila nuk është edhe politike. Që nga statusi i palëve që nënshkruan marrëveshjen te përmbajtja e marrëveshjeve, e deri tek efektet e saj, karakteri politik është i pashmangshëm. Fundja këto negociata që janë paralajmëruar do të mbahen në prezencë të këshilltarit për siguri, e jo në prezencë të anëtarëve të këshillit për ekonomi për shembull. Për këto negociata të paralajmëruara nuk ka fare transparencë. Nuk dihen agjenda e formati, nuk dihen përmbajtja e qëllimi”, ka deklaruar Kurti.

Pala kosovare sipas Kurtit, nuk ka legjitimitet, kredibilitet, autoritet e as përgatitje. Ndër tjera, i pari i Lëvizjes Vetëvendosje tha se gjatë kësaj kohe Kuvendi i Kosovës është në pushim ngjason me gushtin e vitit 2015 kur u nënshkruan demarkacioni me Malin e Zi, e ‘Zajednica’ me Serbinë.

Kurti: Kryeministri ‘Koti’ mund të tradhtojë vetëm 25 mijë votuesit e tij

“Delegacioni nga Kosova nuk ka platformë të diskutuar, e të aprovuar në Kuvendin e Republikës. Këta të delegacionit eventualisht nuk ke as se si t’i quajmë tradhtar në të ardhmen. Zotëri Hoti, përkatësisht kryeministri ‘Koti’ mund t’i tradhtojë vetëm ata 25 mijë votues të tij. Delegacioni nga Kosova i përbërë nga politikanë e gazetarë duke i shpallur ndërmjetësit dashuri të njëanshme dhe besim absolut, ja uli vetës pozicionin para fillimit të bisedimeve me Serbinë. Emisari Grenell tash konsideron që palën kosovare e ka, ndërkaq duhet t’ia shuajë pakënaqësinë, ankesat, e kërkesat veçse palës serbe. Është shumë i dëmshëm deklarimi siç u tha: “Jemi të hapur që të shtrohet para nesh secila temë”. Vetë dëgjimi i secilës temë, qoftë edhe nëse përfundon aty për aty në refuzim, megjithatë shënohet historikisht si fillim i një procesi”, u shpreh ai.

Ndër tjera, ai para gazetarëve tha se delegacioni kosovar shkoi tri ditë para se të fillonin bisedimet në Uashington, ndërkohë që shtoi se ky është turizëm qeveritar me para të popullit.

Kurti: Delegacioni nga Kosova është turizëm qeveritar me para të popullit

“Delegacioni kosovar shkoi tri ditë më herët para fillimit të bisedimeve në Uashington. Shtrohet pyetja përse? Ky është turizëm qeveritar me para të shtetit dhe të popullit. Delegacioni nga Kosova është enorm për nga numri i pjesëmarrësve, dhe shumëfish më i madh se sa ai nga Serbia. Ky delegacion nuk ka përvojë me negociata ndërkombëtare por vetëm për ato me poste qeveritare”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka theksuar se pikënisja e këtyre negociatave, nuk do të mund të rezultojë me drejtësi për Kosovën.

Ai tha se me mocion mosbesimi duan të shkojnë në zgjedhje të reja, meqë sipas tij janë zgjidhja e vetme për pandeminë COVID-19. Ndërkohë që ka treguar nëse do të thërrasin seancë të jashtëzakonshme, ani pse kuvendi është në pushim.

Kurti: Qeveria e vërtetoi se është jo legjitime

“Ne nuk mund të bëjmë sot të enjten, nesër të premten dhe gjatë kësaj fundjave seanca përderisa ata shkuan. Pra, ata e vërtetuan që janë jo legjitim, që janë të paligjshëm ashtu siç kemi thënë ne. Prandaj, neve nuk na duhet as edhe një seancë, pa i parë këto ditë se çfarë po zhvillohen ose nuk po zhvillohet në Uashington. Me t’u kthyer, ne do ta vlerësojmë këtë fundjavë të këtij delegacioni enorm dhe pa dyshim që do të ndërmarrim hapat tonë të radhës. Ndërkohë kush e di mbase për shkak se 1/3 e qeverisë nuk janë këtu, edhe përmirësohet situata me menaxhimin e pandemisë me COVID-19”, ka theksuar Kurti.

Në dialogun e paraparë në Bruksel më 7 shtator, Kurti tha se përveç një kryeministri të paligjshëm, atje do të mund të jetë edhe një negociator teknik që nuk ka garuar fare në zgjedhjet e fundit për deputet. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat