Dëshmia e vëllait të Triumf Rizës: Enver Sekiraqa ma ka vra vëllain

Aktuale

Dëshmia e vëllait të Triumf Rizës: Enver Sekiraqa ma ka vra vëllain

Më: 29 mars 2021 Në ora: 16:33
Dëshmia e vëllait të Triumf Rizës: Enver Sekiraqa ma ka vra vëllain

“Enver Sekiraqa ma ka vra vëllain”, ishte deklarata e dëshmitarit Visar Riza, vëllai i të ndjerit Triumf Riza, në gjykimin ku për nxitje të vrasjes së këtij të fundit po akuzohet Enver Sekiraqa.

Enver Sekiraqa, në shtator 2019, ishte shpallur fajtor për nxitje në vrasjen e të ndjerit Riza, për çka ndaj tij ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh, mirëpo në mars 2020, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Lexo Edhe:

Reagon zyrtari i PDK’së: Albin Kurti do të duhej të vaksinohej i fundit

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Visar Riza ka vazhduar dëshminë e tij të cilën e kishte nisur më 4 shkurt të këtij viti, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtëses së të akuzuarit, avokates Kosova Kelmendi.

Sipas avokates Kelmendi, në bazë të përmbledhjes së dëshmisë së dëshmitarit Visar Riza, rezulton se i ndjeri Triumf Riza ka pasur probleme vetëm me të akuzuarin dhe e njëjta ka numëruar rastet si në vijim: rastin e vitit 2000 te rrethi i shkollës së mjekësisë, përcjellja çdo ditë e vazhdueshme e tani të ndjerit nga ana e të akuzuarit dhe nga ana e personave të tjerë, specifikisht me potencimin e dy pseudonimeve “Rrumqi” dhe “Lisa”, rasti i “Swiss Casinos” dhe rasti i vendosjes së pengesave në fshatin Stagovë.

Ajo ka pyetur dëshmitarin se a ka njohuri për ndonjë rast tjetër mes të akuzuarit dhe vëllait të tij, tani të ndjerit Triumf Riza.

“Të gjitha që i kemi dhënë në deklaratë, ashtu janë”, deklaroi dëshmitari Riza.

Kur u pyet se përveç këtyre rasteve, a ka njohuri për ndonjë rast tjetër, dëshmitari tha se për raste të tjera duhet të shkohet në polici, pasi tha se të gjitha rastet janë të hapura. Ndërkaq, shtoi se ai nuk ka njohuri për ndonjë rast tjetër.

Avokatja Kelmendi e ka pyetur vëllain e të ndjerit se a ka njohuri, a i ka treguar ai apo a ka mundur të rastis të kenë qenë bashkë, që i ndjeri të ketë pasur problem me dikë tjetër. Mirëpo, kjo pyetje u kundërshtua nga prokurori Haki Gecaj, me arsyetimin se dëshmitari ka deklaruar se i ndjeri ka pasur probleme vetëm me të akuzuarin dhe grupin e tij, e nuk ka përmendur asnjë rast tjetër, e cila më pas u refuzua nga trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Akim Kuçi.

Kjo pasi sipas gjykatësit Kuçi, dëshmitari është deklaruar më herët lidhur me këtë çështje.

I pyetur nga avokatja Kelmendi se a e ka të njohur emrin Astrit Dibra, dëshmitari deklaroi se për momentin nuk po i kujtohet.

Kurse lidhur me atë se a ka pasur vëllai i tij i ndjerë, Triumf Riza, në vitin 2003, problem me personin Astrit Dibra, e ku është përfshirë edhe dëshmitari vet personalisht, ky i fundit deklaroi: “Unë jam ataku aty te shpija para banesës teme, me ç’rast e kam hap rastin edhe në polici, edhe me kaq ka përfundu sa i përket personit Astrit Dibra”.

Ai është pyetur se a i kujtohet të ketë dhënë deklaratë ai dhe vëllai i tij i ndjerë lidhur me këtë rast, për çka dëshmitari a tha se ai normal që ka dhënë deklaratë sepse ka qenë në polici dhe e ka hap rastin, kurse për vëllain e tij deklaroi se nuk e di nëse ka dhënë deklaratë.

“Nga shkresat e lëndës që na janë dorëzuar nga prokuroria, respektivisht nga këto prova materiale, e për hir të procesverbalit është regjistratori, i cili është i titulluar nga ana e prokurorisë “Rastet disiplinore T.R”. Në këtë regjistrator ekziston edhe deklarata e juaj, edhe deklarata e vëllait tuaj të ndjerë dhe nga deklarata juaj nuk rezulton të ketë ndodhur rasti ashtu sikur tani e deklaruat dhe rasti është iniciuar nga ai qytetari Astrit Dibra kundër tani të ndjerit”, ka thënë avokatja Kelmendi.

“Unë nuk e di për ato, faktikisht por një e di, se para banesës ata kanë ardh më kanë mshu edhe faktikisht kanë ik dhe rastin e kam paraqit në polici”, deklaroi Riza.

Sipas Kelmendit,  mbrojtja dëshiron të dëshmojë se i ndjeri nuk ka pasur probleme vetëm me të akuzuarin, por këto prova materiale dëshmojnë se i njëjti ka pasur disa raste me qytetarë, me të cilët ka pasur probleme jo të vogla.

Ndryshe, derisa avokatja po shpjegonte se pse po parashtron këto pyetje për këtë rast, vëllai i Triumf Rizës tha: “Enver Sekiraqa ma ka vra vëllain”.

Tutje, sipas Kelmendit, rasti që i ka ndodhur me qytetarin Astrit Dibra, i ka paraprirë incidentit që vëllai i tij e ka pasur një ditë përpara, por që dëshmitari deklaroi se nuk e di a ka qenë një ditë më herët a sa ka qenë.

“Duke u bazuar me afërsinë që ju keni pasur me vëllain tuaj të ndjerë dhe se ai ju ka treguar gjithçka, a ju kujtohet t’iu ketë treguar për ndonjë kërcënim me vrasje nga ana e këtij personi, Astrit Dibra dhe personave tjerë që kanë qenë të përfshirë në këtë rast?”, ka pyetur Kelmendi.

Lidhur me këtë, dëshmitari Riza tha se nuk po i bie ndërmend dhe se nuk e di, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokatja Kelmendi e ka pyetur dëshmitarin Riza se a e ka të njohur emrin Fahredin Krasniqi, gjë të cilën e mohoi dëshmitari.

“A ju kujtohet të keni pas ndonjë problem me ndonjë person meqenëse emri nuk po i kujtohet në vitin 2001, me 4 janar 2001, lidhur me një problem rreth dy qenve që ju i keni pas në atë kohë?”, ka pyetur Kelmendi.

Dëshmitari Visar Riza deklaroi se ai ka qenë problem i tij dhe jo problem i vëllait të tij, duke shtuar  se vëllai i tij i ndjerë nuk ka qenë me të dhe se për këtë është plotësisht i sigurt.

E avokatja Kelmendi tha se ka një deklaratë të tij, të datës 9 janar 2001, të cilën ia ofroi në shikim.

Mirëpo, prokurori Gecaj deklaroi se dëshmitari është këtu për të dëshmuar lidhur me veprën penale për të cilën është ngarkuar i akuzuari Sekiraqa, i cili rast ka ndodh me 30 gusht 2007 dhe se kjo deklaratë nuk ka të bëjë asgjë me këtë rast, andaj kërkoi që e njëjta pyetje të refuzohet.

Kurse, avokatja Kelmendi deklaroi se i vie keq që prokurori pa marrë parasysh që e ka trashëguar këtë aktakuzë dhe këtë rast në përgjithësi, e injoron faktin se aktakuza në bazë të pohimit të vet prokurorisë është ngritur mbi bazën e motivit që këtu i akuzuari ka qenë i vetmi që ka pas motiv për nxitjen e vrasjes së tani të ndjerit.

“Ndërkaq, që me kundërshtimet lidhur me pyetjet e mbrojtjes, bazuar në provat e prokurorisë, unë konsideroj se prokurori është duke bërë shkelje të dispozitës ligjore të nenit 7 të Kodit të Procedurës Penale, i cili e obligon edhe prokurorinë edhe policinë që t’i ketë parasysh dhe shqyrtojë me kujdes dhe pranoj sikurse provat fajësuese, ashtu edhe shfajësuese”, ka thënë ajo.

Kurse, trupi gjykues i kryesuar nga Agim Kuçi ka aprovuar kundërshtimin e prokurorisë dhe nuk ka lejuar përgjigjen në këtë pyetje, pasi sipas tij, dëshmitari deklaroi më herët se vëllai i tij nuk ka pasur problem me dikë tjetër.

Pas kësaj erdhi reagimi i  avokates Kelmendi, e cila tha se po shkelet parimi i barazisë së palëve.

“Dhe kur mbrojtja dëshiron me sfidu dëshmitarin me prova të prokurorisë, kjo është absurditet. Rruga që është trasu nuk është e drejtë ta dini”, ka thënë ajo.

Tutje, Kelmendi e pyeti dëshmitarin se a ka njohuri nëse vëllai i tij ka pasur problem me pjesëtarë të kompanisë së sigurimit “Black Panter”, për çka dëshmitari tha se sa e di ai nuk ka pasur probleme dhe se përkundrazi pronarin e kësaj kompanie e njohin dhe e kanë shumë shok.

Kurse, deklaroi se emri i pronarit nuk po i kujtohet, ndërkaq avokatja Kelmendi e pyeti nëse emri Lulzim Elshani është i njohur për të, por që Riza e mohoi këtë, duke thënë se nuk e di se kush është.

“Zotëri Lulzim Elshani është drejtor i kompanisë “Black Panter” dhe në këtë dosje që unë ua përmenda nga e cila po u ballafaqoj me këto prova ekziston një ankesë- memorandum e përpiluar nga ana e këtij zotëriu në cilësi të drejtorit të kompanisë, me të cilën ai është drejtuar shtabit të përgjithshëm të Shërbimit Policor të Kosovës,  lidhur me ankesat në drejtim të vëllait tuaj të ndjerë dhe problemeve që ai vazhdimisht me disa shokë të tij i ka shkaktuar në lokale”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, dëshmitari deklaroi se nuk i kujtohet diçka nga kjo që po përmend avokatja Kelmendi.

Ajo ka pyetur se a është i saktë konstatimi i saj, se në bazë të deklarimit të tij të sotëm rezulton se vëllai i tij i ndjerë, Triumfi, nuk iu ka treguar gjithçka, respektivisht dëshmitari nuk ka qenë në dijeni për problemet eventuale që ai i ka pasur.

“Unë këto që po thotë kjo zonja këtu më qon pak peshë sinqerisht. Unë po them se nuk i kam dit ato, mirëpo asnjë problem tjetër me dikë tjetër nuk kena pas”, ka thënë Visar Riza.

Avokatja Kelmendi e ka pyetur se a e ka të njohur emrin Besnik Hasani, përndryshe ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, respektivisht Njësisë Speciale, dëshmitari e pohoi këtë.

“A ju kujtohet a ka pas tani i ndjeri Triumf raporte shoqërore me të për aq sa ju e dini, apo edhe ju personalisht?”, ka pyetur avokatja Krasniqi.

Dëshmitari deklaroi se e di që ka qenë polic, ndoshta kanë pasur edhe shoqëri, por se pyetja duhet t’i parashtrohet Besnik Hasanit.

Ndërkaq, tha se nuk i kujtohet se i ka parë ndonjëherë bashkë vëllain e tij të ndjerë me Besnik Hasanin.

“Unë personalisht e ka njohur djalin e axhës së Besnikut. Ndërsa, emri tani nuk më kujtohet”, ka thënë dëshmitari.

Ai deklaroi se njëherë ka ndenjur me Besnik Hasanin, ku kanë shkuar t’i shikojnë disa këlyshë të sharrit në Prizren, e se kjo kishte ndodhur para vrasjes.

Lidhur me personin me emrin Arben Berisha, dëshmitari deklaroi se nuk e ka njohur para vrasjes së të ndjerit, as me pamje e as me emër.

Avokatja Kelmendi e ka pyetur dëshmitarin se a e kanë kuptuar deri më sot se kush ua ka vrarë qenin, e dëshmitari tha se jo.

Ai tutje deklaroi se emrin Ilir Krraba e ka të njohur dhe se “ky është në fshat atje te na, në fshatin Stagovë”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të njëjtin deklaroi se nuk kanë pasur asnjë problem me të apo familjen e tij, e se përkundrazi janë në raporte shumë të mira me ta, e posaçërisht babain e të njëjtit.

E sipas Kelmendit, mbrojtja në faza të mëvonshme do të ofrojë prova se ky është personi i cili e ka vra qenin, që është pronë e dëshmitarit dhe të ndjerit dhe se atë qen e ka vrarë sipas informacioneve të mbrojtjes në prani të tani ndjerit.

Kurse, i akuzuari Enver Sekiraqa e ka pyetur dëshmitarin se a ka njohuri i kujt është numri 044 xxx-xxx, e dëshmitari deklaroi se nuk ka njohuri për këtë.

Sekiraqa e pyeti se a e di a është shoqëruar vëllai i tij me një polic të Kosovës, me emrin Fadil Syleviqi – Syla dhe a kanë dalë me të për gjah, gjë të cilën e mohoi dëshmitari.

“A e din se vëllai i tij këtë personit, Fadil Seleviqin, e ka dërguar te unë për me rregullu qat incidentin në “Sëiss Casino” mes Agron Bytyqit dhe Arben Selmanajt, të cilin e konfirmoi edhe zoti Shefqeti në seancën e kaluar, se i ndjeri Triumf ka hyrë t’i ndihmoj Arben Selmanaj?”, ka pyetur Enver Sekiraqa.

E kur dëshmitari mohoi këtë, Sekiraqa e pyeti se a e di çfarë përgjigje i ka dhënë Fadil Syleveqit te restorant “Davidof”në katin e parë, gjë të cilën përsëri e mohoi dëshmitari Riza.

I akuzuari ka pyetur a ka pas problem i ndjeri apo vet dëshmitari me ndonjërin nga banorët në hymjen në të cilën e kanë pasur një podrum, në të cilin është ushtruar aktiviteti i bodybuilding, kurse dëshmitari e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se kanë nënshkrimet e shumicës së banorëve dhe nuk bëhet fjalë për kurrfarë uzurpimi.

Dëshmitari ka konfirmuar se vëllai i tij ka ndenjur me policin Dardan Nuhiu.

“A e dini përveç Dardan Nuhiut, kush osht kon me të ndjerin kur e kanë vjedh me pick-up sefin në Gjykatën për Kundërvajtje?”, ka pyetur Enver Sekiraqa.

E kjo pyetje është refuzuar nga kryetari i trupit gjykues, me arsyetimin se nuk ka të bëjë lidhur me çështjen, e cila është objekt i akuzës.

“A i keni miq apo shokë Xhabir Zharkun, Agron Mulliqin, Zylqeri Berishën?”, ka pyetur Sekiraqa.

Kurse, dëshmitari Riza tha se Agron Mulliqin e njohin përafërsisht prej 30 vitesh, pasi kanë qenë në të njëjtën hyrje dhe janë rritur bashkë.

“Xhabirin e njohim gjithashtu, a Zylqerin nuk pe di as kush koka”, ka thënë Riza.

E Enver Sekiraqa, më pas pyeti a e kanë pasur shok a vetëm në banesë Agron Mulliqin, kurse dëshmitari Riza deklaroi se e kanë pasur edhe shok.

“Si është e mundur të gjithë këta persona që kenë shok me ta, të gjithë nëpër afera nëpër plaçka, me krime tu u marr, gjykata në tona an, çka o kjo punë?”, ka pyetur Sekiraqa, e cila pyetje nuk është pranuar.

Në anën tjetër, prokurori Gecaj, gjatë rimarrjes në pyetje, e ka pyetur dëshmitarin se a i kujtohet çfarë detyra ka qenë duke kryer vëllai i tij ato ditë para vrasjes.

“Po ka qenë në mbrojtje të afërt, ato ditë ka qenë faktikisht me Javier Solanën”, ka thënë Riza.

Ndërkaq, deklaroi se ka pasur përgjegjësi edhe për persona të tjerë publik për të qenë mbrojtja e afërt e tyre, pasi ka qenë puna e tij. Kurse, konfirmoi se ka qenë edhe në mbrojtje të afërt të presidentit të atëhershëm, Fatmir Sejdiu.

Dëshmitari Visar Riza, tutje deklaroi se vëllai i tij është dekoruar shumë herë për punën e tij që e ka bërë si polic.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet me 28 prill, me fillim nga ora 9:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë shqyrtimin gjyqësor të shtyrë e kishte mbajtur me trup gjykues të ndryshuar dhe nuk e kishte filluar rishtas. Po ashtu kjo gjykatë ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar ishte i paqartë, i pakuptueshëm dhe kontradiktor, ndërsa në arsyetim sipas Apelit nuk ishin dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qartë lidhur me faktet vendimtare, si dhe ligjshmërinë e provave të siguruara nga PTK-ja.

Prandaj, kjo gjykatë e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të theksojë saktë se cilat ishin veprimet inkriminuese që i akuzuari Sekiraqa i kishte kryer apo jo në këtë çështje penale, si dhe të rivlerësoj ligjshmërinë e kontrollit të lokalit “Bar Sekiraqa”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale në mënyrë që të vlerësoj nëse këto prova të mbledhura gjatë kontrollimit të lokalit ishin të pranueshme.

Po ashtu, kjo gjykatë kishte udhëzuar që në rigjykim të dëgjohen dëshmitarët Abedin Canolli lidhur me rolin e Sekiraqës në grupin e tij, për njerëzit që i bindeshin urdhrave të Sekiraqës dhe se si ai i ngarkonte me detyra dëshmitarët Canolli dhe Xhafer Bislimi.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe me 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2019, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet./BetimipërDrejtësi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat