Kryeministri Kurti vjen me një porosi për Serbinë, ja çfarë paralajmëron

Aktuale

Kryeministri Kurti vjen me një porosi për Serbinë, ja çfarë paralajmëron

Nga: BOTA SOT Më: 17 shtator 2021 Në ora: 09:38
Kurti e Nagavci

(E plotësuar 13:55) - Kurti: S’do të ketë takim me Vuçiqin në Bruksel para 6 tetorit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që nuk do të ketë takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për dialogun Kosovë-Serbi para datës 6 tetor.

Nuk do të ketë takim para 6 tetorit, kur edhe e kemi Samitin në Slloveni mes Bashkimit Evropian dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. S’ka datë të caktuar se kur do të jetë takimi ynë i radhës, ndërkohë zëvendëskryeministri im Bislimi që është përgjegjës ka pasë takime në Bruksel. Ai i diskuton hollësitë sidomos të çështjes së të zhdukurve me forcë”, u shpreh ai.

Tutje Kurti në një konferencë për media, ka folur edhe për takimin me të dërguarit e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, i cili ka qëndruar tri ditë në Kosovë.

“Lajçaku ka qëndruar tri ditë në Kosovë dhe jo si herët e kaluara, kur qëndronte një ditë. Ka zhvilluar një mori takimesh me akterë të ndryshëm të përfshirë në çështjen e dialogut dhe ka filluar ta kuptojë më me hollësi gjendjen socio-ekonomike të Kosovës. S’kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave, kemi diskutuar për sugjerimet tona që i kemi dhënë për Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor. Nuk kemi diskutuar për reciprocitetin, por i kam treguar se liderët evropianë kanë pranuar një letër nga unë ku janë të renditura shkeljet që po i bën Serbia”, u shpreh Kurti.

***

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka mbajtur konferencë për media, së bashku me ministren Arbërie Nagavci.

Në këtë konferencë Kurti ka prekur çështjen e bisedimeve në Bruksel së bashku me Serbinë.

Ai u shpreh se Kosova do të ketë në qendër të bisedimeve çështjen e të pagjeturve.

Sa i përket takimeve në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ne kemi thënë që ka një gjë e një çështje që nuk pret e ajo është çështja e të pagjeturve dhe zhdukurve që na mungojnë ende, për më shumë se 22 vite”, u shpreh Kurti.

Më tej, kryeministri shtoi që njohja reciproke kërkon ndryshim të qëndrimeve të Serbisë, në mënyrë që Kosova të ndryshojë karshi saj.

Kurti thotë se njohja reciproke vjen në momentin që Serbia ndryshon Kushtetuën e saj, që tashmë është e vjetëruar.

Ndërkaq, për marrëveshjen gjithpërfshirse e cila duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke, normalisht që kërkohet ndryshimi dhe qëndrimi i Serbisë. Edhe sa i përket deklarimeve të tyre publike që nuk do ta njohin Kosovën, ne presim që këto deklarata të ndalen dhe të njejtën kohë t'i ndryshojë faktori ndërkombëtar. Mirëpo edhe sa i përket Kushtetutës së tyre, Serbia e ka një Kushtetutë të vjetëruar të vitit 2006, e cila duhet të ndryshohet, pra për normalizim të marrdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ajo që duhet të ndryshojë është Serbia, në mënyrë që Kosova të ndryshojë karshi një Serbie tashmë të ndryshuar, edhe njohja reciproke pastaj mund të ndodhë”, tha Kurti, përcjell “Bota sot”./BS

***

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka bërë të ditur se nga 1 tetori i këtij viti të gjithë ata që duan në studiojnë në universitet publike, studimet u ofrohen pa pagesë.

Javën tjetër bëhen gjashtë muaj që jemi në detyrë dhe po realizojmë dy prej zotimeve tona kryesore, dhe filluam me zbatimin e masës 3.5 për mbështetje për lehonat dhe shtesat për fëmijë mbi 13 mijë aplikime janë regjistruar dhe mbi 11 mijë për lehonat 1 679 shtesa për fëmijë, sot po marrim një zotim tjetër”.

E drejta për arsim është e drejtë e secilit dhe arsimi publik në të gjitha nivelet duhet të jetë falas, dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, duhet të kenë qasje të barabartë në arsim cilësor, nga 1 tetori i këtij viti  arsim i lartë publik në Kosovë do të jetë falas në bachelor dhe master ndërsa për doktorantët do të jetë i lehtësues. Do të ketë përfitime edhe për studentët që vijnë nga vendet e rajonit”.

***

Kryeministri Albin Kurti sot do të mbajë konferencë për media bashkë me Ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavcin.

Konferenca do të mbahet në orën 13:00, në ndërtesën e Qeverisë.

Lajmin e ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi drejtuar mediave.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, mbajnë konferencë për media”, thuhet në njoftim.

Për arsyen e konferencës, nga ZKM-ja s’ka dhënë detaje nëse ka të bëjë me shtyrjen e mësimit.

Ndryshe, Nagavci ka njoftuar ditë më parëse procesi mësimor në vend do të shtyhet deri më 26 shtator.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat