​GLPS: Për më shumë se 2 vite ngritën vetëm 10 aktakuza për krim të organizuar, i vogël numri i zgjidhjes së këtyre lëndëve

Aktuale

​GLPS: Për më shumë se 2 vite ngritën vetëm 10 aktakuza për krim të organizuar, i vogël numri i zgjidhjes së këtyre lëndëve

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 12:20
Foto ilustrim

Nga qershori i vitit 2019-tw e deri në gusht të këtij viti në gjykatat e Kosovës janë dorëzuar vetëm 10 aktakuza për krim të organizuar, ndërsa këto organe të drejtësisë kanë arritur që të zgjidhur numër tejet të vogël të këtyre lëndëve. Numri më i madh i lëndëve të ngritur nga Prokuroria Speciale lidhet me luftimin e narkotikëve.

Kështu u tha në analizën e bërë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temën “Trajtimi i rasteve të krimit të organizuar nga ana e prokurorisë dhe gjykatave për periudhën qershor 2019 – gusht 2021”.

Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS thotë se përgjatë kësaj periudhe më shumë se 2-vjeçare Prokuroria Speciale ka ngritur numër të vogël të aktakuza për krim të organizuar, ndërsa edhe gjykatat kanë zgjidhur numër shumë të vogël të këtyre lëndëve.

Hoxha-Zhuja: Prokuroria Speciale ka ngritur pak aktakuza për krim të organizuar, gjykatat kanë zgjidhur pak lëndë

“Gjatë periudhës qershor 2019 – gusht 2021, Prokuroria Speciale (PSRK) ka ngritur një numër të vogël të aktakuzave për krim të organizuar. Në gjykatë janë dorëzuar vetëm 10 aktakuza për këtë lloj të veprës penale. Drejtësia Sot gjithashtu ka vërejtur se numri më i madh i aktakuzave të ngritura nga PSRK është ngritur për veprat penale që lidhen me narkotikë[...]Në gjykatat e Kosovës, vëren se gjykatat kanë arritur të zgjidhin një numër tejet të vogël të rasteve të krimit të organizuar. Përgjatë gjashtë mujorit të dytë të vitit 2019 (janar – qershor), sipas të dhënave zyrtare dhe ato të monitorimit të Drejtësia Sot janë zgjidhur vetëm 5 lëndë, prej gjithsej 60 lëndëve të cilat kanë qenë në punë. Po ashtu, gjykatat nuk kanë treguar efikasitet të kënaqshëm as përgjatë vitit 2020, për faktin se nga 59 lëndë të trashëguara dhe 6 të pranuara, kanë arritur të zgjidhin vetëm 5 raste të krimit të organizuar. Ndërsa sipas të dhënave zyrtare të pranuara, në vitin 2021, është përfunduar vetëm një lëndë”, tha ajo.

Për Grupin për Studime Juridike dhe Politike është shqetësuese se gjykatat e Kosovës me theks të veçantë në Gjykatën Themelore në Prishtinës nuk caktohen seanca në formë konsistente ndaj të akuzuarve.

Sipas tyre kjo shpërfaq neglizhencën e kësaj gjykate në luftimin dhe sanksionimin e krimit të organizuar.

Hoxha-Zhuja: Gjykatat nuk kanë caktuar seanca në formë konsistente ndaj të akuzuarve

“Gjykata Themelore në Prishtinë, pavarësisht numrit më të madh të rasteve, nuk ka caktuar seanca në formë konsistente ndaj personave që janë duke u gjykuar për këto vepra penale në mënyrë që lëndët e tyre të përfundojnë brenda një kohe të arsyeshme. Në bazë të të dhënave të monitorimit të Drejtësia Sot, për periudhën raportuese qershor 2019- dhjetor 2020, nga 27 raste të krimit të organizuar që kanë qenë në punë janë mbajtur vetëm 80 seanca. Ndërsa përgjatë vitit 2021, Drejtësia Sot ka raportuar për gjithsej 79 seanca, prej të cilave 55 janë proceduar me rregull ndërsa 24 seanca kanë dështuar të mbahen. Drejtësia Sot ngrit shqetësimin e saj për mos mbajtjen e seancave për rastet e krimit të organizuar, veçanërisht në disa raste për të cilat aktakuzat janë ngritur para 5 viteve apo më shumë, siç është rasti “TOKA apo rasti VIZAT”. Sipas vlerësimit të Drejtësia Sot, ky veprim është tejet shqetësues pasi shpërfaq neglizhencën e kësaj gjykate në luftimin dhe sanksionimin e krimit të organizua”, u shpreh Hoxha-Zhuja.

Rreze Hoxha-Zhuja nga GLPS po ashtu tha se mungesë të efikasitetit në zgjidhje të lëndëve të krimit të organizuar ka treguar edhe Gjykata Themelore në Mitrovicë, e cila prej 16 lëndëve për krim të organizuar ka zgjidhur vetëm një.

Hoxha-Zhuja: Gjykata Themelore në Mitrovicë prej 16 lëndëve për krim të organizuar ka zgjidhur vetëm një

“Gjykata Themelore në Mitrovicë ka një mungesë pothuajse absolute të efikasitetit në zgjidhjen e rasteve të krimit të organizuar. Përkundër faktit se kjo gjykatë në këtë periudhë ka pasur në punë 16 lëndë të krimit të organizuar, ka përfunduar vetëm një të tillë. Në këtë gjykatë, gjatë periudhës raportuese janë caktuar vetëm 8 seanca, prej të cilave 2 janë mbajtur, 3 janë anuluar paraprakisht dhe 3 kanë dështuar”, u shpreh ajo.

Monitoruesi i Drejtësia Sot, Rinon Arifi tha se edhe pandemia COVID-19 ka pasur ndikimin në punën e prokurorive dhe gjykatave në Kosovës.

Por sipas tij mangësi ligjore tek lëndët e krimit të organizata është edhe mos përshkrimi i qartë i veprimeve inkrimunuese të të akuzuarve.

Arifi: Pandemia ka ndikuar në kryerjen e këtyre lëndëve

“Është vërejtur se pandemia COVID-19 ka kufizuar në masë të ndjeshme punën e institucioneve të drejtësisë, në mesin e të cilave edhe të gjykatave. Në muajin mars 2020, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim për të kufizuar përkohësisht veprimtaritë gjyqësore ku përfshihet publiku, në të gjitha gjykatat e Republikës së Kosovës. Kufizimi i veprimtarive gjyqësore por edhe hapja e ngadalshme e tyre, ka pasur një ndikim të theksuar në procedimin e pandërprerë të rasteve të krimit të organizuar[...]Përveç efikasitetit jo të kënaqshëm të prokurorisë dhe gjykatave dhe ndikimin e COVID-19, procedimi i rasteve të tilla është përcjell me mangësi të ndryshme ligjore. Drejtësia Sot, pas analizimit të disa aktakuzave, ka vërejtur se ato nuk përshkruajnë qartë veprimet inkriminuese të të akuzuarve. Ky fakt, sipas vlerësimit të Drejtësia Sot ka ndikim të madh në zhvillimin e procedurave gjyqësore për këto raste, pasi që tezat e aktakuzave të tilla të paqarta dhe konfuze rrezikojnë që të mos vërtetohen në gjykatë”, tha ai.

Në bazë të këtyre të gjetura Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka rekomanduar për Prokurorinë Speciale qëme rastin e ngritjes së aktakuzave për krim të organizuar, ato t’i hartojë në mënyrën profesionale duke u bazuar në dispozitat e KPPRK dhe KPRK. Ndërsa ka ftuar Gjykatat Themelore në Republikën e Kosovës, respektivisht gjyqtarët që gjykojnë rastet e krimit të organizuar, që të zbatojnë Udhëzuesin për Politika Ndëshkimore të nxjerra nga Gjykata Supreme e Kosovës, në mënyrë që të vlerësohen drejtë të gjitha rrethanat rënduese dhe lehtësuese në matjen e dënimit për këto raste.

Po ashtu, nga GLPS-së i është rekomanduar KGJK-së që të hartojë një strategji për gjyqtarët në përgjithësi që lëndët e kësaj natyre t’i trajtojnë me prioritet të lartë dhe që mos të lejojnë zvarritjen e tyre për kohë të gjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat