Grupi vrasjeve politike kryente plaçkitje, rrëmbime, eksplodime, vjedhje, haraç... - Pse nuk gjykohen ende?

Aktuale

Grupi vrasjeve politike kryente plaçkitje, rrëmbime, eksplodime, vjedhje, haraç... - Pse nuk gjykohen ende?

Nga: Idriz Morina Më: 21 nëntor 2021 Në ora: 12:59
Shkumbin Mehmeti ka deklaruar se ka informacione për 6 vrasje, 3 politike

Grupet kriminale në Kosovë, për të cilat pjesërisht do të mund të gjykohen në Hagë nga Dhomat e Specializuara, nuk kryenin vetëm vrasje politike.

Vrasjet politike si duket kanë qenë të motivuara për të realizuar ardhjen e të majtës në pushtet, që ishte marrë edhe me organizim të luftës.

Por, përtej ardhjes në pushtet, asaj i interesonin, ose e dinte se u nevojiteshin fuqi financiare, buxhet i madh.

Një pjesë e këtij buxheti do të përdorej për të kryer sulme politike, për të propaganduar se kush ishin njerëzit e këqij sipas tyre, cilët ishin pengestarë në luftë dhe në paqe (për të ardhur ata në pushtet), pra për të njollosur ose për të mbajtur tension politik, dhe që njerëzit të mos tregonin ndjeshmëri të natyrshme, kur të ndodhnin vrasje politike. Pra, të bënin që një pjesë e njerëzve të tregoheshin solidar me vrasjet politike, dhe të akuzuarit, të mos dukeshin si kriminel, dhe njëkohësisht t’i humbnin sa të mundnin gjurmët e vrasjeve politike.

Një pjesë e parasë do të përdorej për të paguar vrasësit, pastaj për të paguar vrasësit e vrasësve, për të humbur sa më shumë gjurmët e vrasjeve politike dhe të tjera, pastaj që grupet e tilla të mund të jetonin të pacenuara nga drejtësia, duke paguar edhe grupet e infiltruara në polici, prokurori, pastaj duke krijuar biznese që do të siguronin të ardhura për grupimet për fushata, për punësime, për t’i mbajtur sa më afër njerëzit e tyre.

Paratë nuk siguroheshin lehtë e thjeshtë. Miliona marka, franga e dollarë të mbledhura në luftë, ato siduket ishin ndarë me kohë, duheshin fonde të tjera, sepse ato tashmë konsideroheshin pasuri private, meqë askush nuk jepte llogari, as kërkohej seriozisht se ku kishin shkuar.

Kështu për të ardhur tek paratë grupet kriminale, që udhëhiqeshin tashmë nga politikanë në Kosovë, nuk zgjidhnin mjete. Pjesë e tyre ishin edhe rrëmbimet, mbajtja peng e tyre, haraçi, përqindjet për nxjerrje të borxheve, tregtimi i drogës etj.

 

Kidnapimi i Dreshajt

 

Njëri nga kidnapimet që ka ndodhur është edhe rasti i Valon Dreshajt. Për këtë rast pat rrëfyer gjerësisht i dënuari për krime, Shkumbin Mehmetaj, në vitin 2013 dhe për ta ritreguar dëshminë në një video në vitin 2018.

Sipas tij, në rrëmbim kanë marrë pjesë disa veta, por se ideator ka qenë Qerim Kelmendi, një anëtar i skuadrës së vrasjeve politike, ndërsa zbatues i planit Florim Ejupi.

Qerim Kelmendi është vrarë në një atentat afër shtëpisë së tij në Zahaq të Pejës, duke ia djegur edhe veturën dhe kufomën, në shkurt të vitit 2020.

Florim Ejupi ndodhet në Gjermani, ku ka marrë azil.

Në kidnapim, sipas Mehmetit kanë marrë pjesë edhe Faik Shaqiri, N. Kelmendi, Xh. Kosumi, Artan  Kelmendi që jeton në perëndim, A. Dizdari,  të cilët nuk janë arrestuar kurrë, si dhe të dënuarit për këtë rast Driton Sylejmani, Arton Sylejmani, (vëllezër të Agron Sylejmanit), Bashkim Haziri dhe ai vetë i dënuar më së shumti.

Ndërsa, Alban Dizdari nipi i Qerim e Ibrahim Kelmendit, ndodhet në burg, i arrestuar me 2017, nga EULEX-i, së bashku me Bajram Kiqmarin, ndërsa Faik Shaqiri u arrestua pas ekstardimit nga Gjermani, për rastin e vrasjes së policëve në vitin 2004.

“Ky ka qenë kidnapimi i vitit 2003 i Valon Dreshajt. Atij ju kanë kërkuar dy milionë euro. Nuk kemi marrë asnjë sepse ka dështu plani. Është liruar prej ndërhyrjes së Policisë”, ka thënë ai.

“Pra, kidnapimin e kemi bërë unë, F. E. dhe A. K., në rrugën transit në Pejë. F. E., e ka udhëhequr operacionin, ndërsa Q. K., ideator. Pa lejen e tij nuk kish mujt me u ba. E kemi dërguar në fshatin Lipë të Pejës”, ka thënë Mehmeti.

Por, sipas dëshmisë së Mehmetajt, për rastin nuk është dënuar askush tjetër, ndërsa nga emrat kryesorë që përmend ai, ka mbetur Florim Ejupi, i cili gjendet në Gjermani, dhe se askush nuk e ka kërkuar ekstradimin e tij, dhe sigurisht që nuk ka pasur asnjë përpjekje për dënimin e tij nga drejtësia në Kosovë.

Po, ashtu edhe shumica e pjesëmarrësve të tjerë, mbështetës të rastit nuk janë dënuar, dhe as nuk i ka kërkuar drejtësia, përveç atyre që ka përmendur Mehmeti.

 

Injorimi nga drejtësia i dëshmisë për tri vrasje politike

 

Shkumbin Mehmeti, sipas raportimeve në media, ato vite, ka pranuar të rrëfejë për si thotë ai të paktën tri vrasje politike, dhe tri të natyrës tjetër, si dhe për krimet tjera. “Ju rrëfej vrasjet, kidnapimet, haraçin, për të paktën gjashtë vrasje, tri me motive politike”, por këtë mundësi ende nuk ia ofruar drejtësia në Kosovë, dhe nuk dihet nëse me dëshmitë e tij mund të merret gjykata speciale, por me mandatin aktual, 1998-2000, vështirë se mund të merret.

Grupi ku bënte pjesë Shkumbin Mehmeti, që duket në krye të tij kishin kompetenca të barabarta Florim Ejupi, Qerim Kelmendi dhe Agron Sulejmani, kanë kryer vrasje politike, plagosje, rrëmbime, haraç, shantazhe, shpërthime me eksploziv, plaçkitje, vjedhje, tregti me drogë etj.

“Ndoshta do të më vrasin, por nuk do të heshti ma”, u ka deklaruar mediave Shkumbin Mehmeti nga vendi ku mbahej në burg, në Dubravë.  

Mehmeti ka deklaruar se ka informacione për vrasjen e Xhemajl Mustafës, bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit Rugova, dhe ish bashkëpunëtor i “Bota sot”, e sipas tij ka informacione të dëgjuara nga shokët e tij edhe për vrasjen e Smajl Hajdarit e të Tahir Zemajt.

Mehmeti, (1979) ish-pjesëtar i UÇK-së dhe i policisë së Kosovës (atëkohë quhej SHPK- Shërbimi Policor i Kosovës), prej marsit të vitit 2004 është në burg.

Ai, atëherë, por edhe opinioni sot është i habitur se si ende nuk ka vepruar policia dhe prokuroria e Kosovës.

Ai është i dënuar me 30 vjet burgim për vrasjen e dy policëve, njëri i UNMIK-ut dhe njëri i Kosovës në një shkëmbim zjarri afër Podujevës, dhe tashmë ka kaluar 17 vite në burg.

 

Ndërhyrjet politike

 

Mehmeti, kërkon rigjykim, sepse sipas tij në atë krim ka qenë pjesëmarrës, por nuk ishte organizator, as vrasës kryesor. Sipas tij, kryesori në sulm ka qenë Agron Sylejmani, i vrarë në atë incident dhe të tjerët të cilët, sipas tij, janë liruar me ndërhyrjen e ish-zëvendësshefit të UNMIK-ut, Steven Schook, dhe njërit prej ish drejtues i LPK-së, Ibrahim Kelmendi.

Të arrestuar dhe të akuzuar së bashku me të atë kohë kanë qenë Nazim Kadriu, Arben Ahmeti, Arsim Rashiti, Jeton Sylejmani, Osman Kelmendi, Florim Ejupi, Xhavit Kosumi, Faik Shaqiri, Nezir Kelmendi, Irfan Ademi, Xhafer Zymberaj dhe Bajram Kiqmari.

Ata kanë qenë të akuzuar për terrorizëm nga Prokuroria e UNMIK-ut, ndërsa e kanë mohuar vazhdimisht se e kanë kryer atë krim, dhe që të gjithë qenë liruar nga akuzat, përveç Shkumbin Mehmetit.

Mehmeti kishte përdorur një top dore, me të cilin ka gjuajtur në drejtim të policisë, por askush nuk është goditur as vrarë nga ajo gjuajtje, sipas Mehmetit, por vrasjet ndodhën nga plumbat e kallashnikovit.

Sipas tij në Gjykatë kanë ndërhyrë Stiven Shuki dhe Ibrahim Kelmendi, por që të dy e kishin mohuar ndërhyrjen. “Kanë ndërhyrë Stiven Schook dhe Ibrahim Kelmendi direkt në Gjykatë dhe Prokurori dhe janë liruar të tjerët. Përderisa ka pasur ndërhyrje politike, dihet se ka pasur edhe vrasje politike. Sikur të kisha ba edhe unë vrasje politike, isha liru edhe unë”, pat deklaruar ai.

Kelmendi ka pohuar se ai procesin gjyqësor e kishte përcjellur i motivuar se ishte i akuzuar në proces edhe vëllai i tij Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat