Vrasja e Haxhi Përteshit i marrë peng nga Remzi Shala me 5 ushtarë të maskuar/ Letra me 36 emra për ekzekutim

Aktuale

Vrasja e Haxhi Përteshit i marrë peng nga Remzi Shala me 5 ushtarë të maskuar/ Letra me 36 emra për ekzekutim

Nga: Idriz Morina Më: 19 dhjetor 2021 Në ora: 22:23
Remzi Shala para gjykatës në Prizren

Një vrasje që po e mban peng një familje të tërë, ende po zvarritet nëpër dyert e drejtësisë. Protagonist i saj, sipas vendimit të gjykatave është Remzi Shala, i njohur për publikun, pas refuzimit të tij të paraqitet tri vjet më parë, para gjykatës speciale.

Historia e ngrtijes së aktakuzës ndaj Remzi Shalës, është prej më të gjatave, e përcjellë me shumë ngritje dhe zbritje.

Sipas aktakuzës së ngritur më parë nga prokuroria speciale e Kosovës, përkatësisht nga Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në 26 qershor të 1998-ës bashkë me disa persona të tjerë pjesëtarë të UÇK-së e kanë marrë në mes të natës nga shtëpia, dhe që ka përfunduar me vrasjen e Haxhi Përteshit, i cili disa ditë më pas, me 1 korrik, është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Image
Haxhi Përteshi, i ekzekutuar pasi u mor peng para syve të familjes

Rrëfimin më prekës e ka bërë djali i Haxhisë, Agron Përteshi, i cili në fakt është dëshmitari kyç, që e ka bërë të mundur kapjen dhe ndëshkimin e Shalës, të paktën si njëri nga pjesëmarrësit në vdekjen e Perteshit.

“Unë isha i vetëm”

Gjatë procesit gjyqësor, dhe intervistimit nga media, Shala e ka mohuar në mënyrë kategorike se e ka njohur të ndjerin Perteshin dhe të birin e tij Agronin. Madje, bazuar në dëshminë e Agronit, i cili ishte vënë në ndihmë UÇK-së, ky e kishte takuar Shalën disa ditë para se të merrej peng babai i tij, ditën që është marrë peng, dhe po ashtu edhe pas ekzekutimit të babait.

“Unë ia kam çu kerrin Remzisë, me duar të mia. Ma ka mbajt tri ditë. Ndoshta me atë kerr që ia dhashë unë, që na kanë pru vëllaznia prej jashti, ai erdh e mori babanë tonë”, rrëfente Agroni për Betimi në drejtësi në vitin 2017. “Prej se e kanë marrë babën, kerrin ma ka pru të nesërmen, e kanë lonë te shitorja. Djali i axhës ma ka pru në oborr. Baba humbi, e kam lyp nëpër shtab, dhe derisa e gjetën në Duhël”, rrëfente Agroni pa mundur t’i mbante lotët, pavarësisht se kishin kaluar 19 vjet nga vrasja e babait të tij.

Më parë në këtë intervistë ka dëshmuar se si Shala e kishte marrë në shtëpi Haxhi Përteshin, i cili pasi ishte kërkuar për të biseduar ai kishte dalur, por në një moment kishte kërkuar një shkrepës për të ndezur cigare, dhe se duhej të kthehet në shtëpi. Ushtarët, që ishin 5 apo 6 veta, së paku njëri prej tyre pa maskë, nuk e kishin lejuar të kthehej, Por, dikush nga familjarët ia sjellë, pasi ishin dalur jashtë veç të birit Agronit edhe vajza e tij.

Sipas Agronit në ditën që babai i tij ishte vrarë dhe gjetur në rrugë, Shala i kishte thënë se nuk kishte pse të punonte as të nesërmen, dhe se duhej ta linte punën “sot” (ishte 1 korrik 1998).

Agroni qysh në vitin 2000 kishte dhënë deklaratë në UNMIK, por lënda ishte zvarritur.

Në 2015 për herë të parë Prokuroria e kishte thirrur për bisedë, por asgjë nuk ishte bërë.

“Këta po presin që të vdesin dëshmitarët dhe të mbyllen rastet”, thoshte Agroni.

“Unë edhe pastaj e kam vazhdu punën në istikame. E kam pa prapë disa herë Remzi Shalën, po më pas varrimit të babait nuk kam folur”, thoshte Agroni, i cili ndihej i vetmuar, dhe i pafuqishëm për t’iu kundërvënë Shalës dhe atyre që mund ta kishin vra babain e tij.

Unë isha i vetëm”, s’kisha çka të bëja.

Ai që të nesërmen e varrimit të babait, “Rrugën e shtruar për Grajçevc kam qenë ndër të parët, edhe për hapjen e istikameve.

Aktualisht Remzi Shala është dënuar me 10 vjet burg efektiv, ndërsa po zhvillohet procesi i rigjykimit të tij.

Rrjedha gjyqësore

Sipas dokumentacionit zyrtar, të përcjellur nga Projekti “Monitorimi i Gjykimeve të ndërlidhura me Krimet e Konfliktit në Kosovë dhe Përfshirja e Rinisë në Sektorin e Drejtësisë”, thuhet se Haxhi Perteshi u mor dhunshëm nga shtëpia e tij në fshatin Duhël nga pjesëtarë të armatosur dhe në uniformë të UÇK-së në datën 26 qershor të vitit 1998, rreth orës 23:00. Aty u identifikua Remzi Shala, pa maskë, i cili akuzohet se në bashkëkryerje edhe me 5-6 pjesëtarë të UÇK-së, e ka privuar nga liria Haxhi Përteshin, i dyshuar se ka bashkëpunuar me forcat serbe si dhe vdekjes së tij të pasqaruar pas disa ditësh (trupi i tij i pajetë është gjetur në datën 1 korrik të vitit 1998 pranë rrugës në fshat), “është inicuar procedura penale kundër Shalës me dëshmitë e anëtarëve të familjes së tij tek organet e ndjekjes, përkatësisht hetuesit e policisë së UNMIK-ut (gjatë vitit 2002 dhe 2003)”.

Më vonë hetimet i kanë vazhduar hetuesit e EULEX-it nga viti 2009. Në atë kohë i dyshuar ishte Remzi Shala dhe B.Q, kundër të cilëve në vitin 2014 me vendim të prokurorit të EULEX-it kanë filluar hetimet zyrtare.

EULEX-i me përfundimin e mandatit, dosjen ia dorëzoi në verën e vitit prokurorisë vendore të Zyrës së PSRK, e cila i ka vazhduar hetimet, por i ka hedhur poshtë pretendimet ndaj B.Q (mbiemri Qatani).

Në vitin tjetër me 21 nëntor të vitit 2016 filloi procedura e vlerësimit të aktakuzës para Gjykatës Themelore në me seancën e dëgjimit të parë.

Procedura e vlerësimit të aktakuzës u krye me 6 mars 2017, dhe gjykata i refuzoi të gjitha kërkesat si të pabazuara. Por, Gjykata e Apelit, e përmbysi situatën me vendimin e datës 23 mars të vitit 2017.

Sipas monistoruesve të procesit, “Projekti.eu”, procesi gjyqësor kryesor filloi me 12 maj të vitit 2017, gjatë të cilit paneli shqyrtues ka mbajtur seanca tridhjetë e shtatë (37) ditë gjyqësore, në kuadër të të cilave janë dëgjuar tridhjetë (30) dëshmitarë të propozuar nga palët në procedurë, 23 me propozim të prokurorit, katër me propozim të të dëmtuarve, dhe tre nga ana e gjykatës. “Me propozim të palëve në procedurë, paneli shqyrtues në pjesën e shqyrtimit kryesor, që është mbajtur gjatë vitit 2018, e me qëllim të qartësimeve të caktuara, ka organizuar njëmbëdhjetë (11) ballafaqime të dëshmitarëve”.

Mbrojtësi, në fjalën e tij përfundimtare, po ashtu ka insistuar në dëgjimin e dëshmitarit anonim, deklarata e të cilit është dalluar plotësisht nga provat e tjera dhe i cili, sipas mbrojtjes, e ka pasur informatën mbi vrasjen e të ndjerit Haxhi Përteshi.

Sipas Gjykatës së Apelit, me dispozitat e cekura ligjore veprimet e të pandehurit mund të kualifikohen si marrje e pengjeve.

“Sipas gjetjeve të gjykatës, dënimi me burg i shqiptuar nga Gjykata e Apelit në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vitesh është adekuat me peshën e veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë së të pandehurit. Me te do të arrihet qëllimi i dënimit – që i pandehuri të mos e përsëris veprën penale ose të mos kryejë vepra të tjera. Po ashtu, aktgjykimi në mënyrë preventive do të ndikojë në kryerësit e tjerë potencial”, thuhet në dokument.

Në seancën e 13 prillit të këtij viti, dëshmitari A.T., ishte pyetur për një letër me emrat e 36 vetave, si duket për ekzekutim. Ai ka sqaruar para gjykatës se të gjithë personat e shënuar në letër ishin nga fshati Duhël, dhe për të njëjtit ishte pyetur nga komandant “Kumanova” “se a janë të gjithë këta bashkëpunëtor të Sërbisë”, por dëshmitari edhe atëherë i kishte thënë atij, “jo”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat