Si e rrëmbyen, ekzekutuan dhe ia dogjën trupin, të rejës Sanije Balaj!

Aktuale

Si e rrëmbyen, ekzekutuan dhe ia dogjën trupin, të rejës Sanije Balaj!

Nga: Idriz Morina Më: 27 dhjetor 2021 Në ora: 19:08
Cufë Krasniqi, i cili e intervistoi Sanije Balajn, pak orë para ekzekutimit

Kosova është e lirë, dhe vazhdon të krijojë hapa të rinjë për t’u shkëputur nga e kaluara e saj.

Një nga gjërat që më së shumti na ka rënë t’i dëgjojmë në raste të caktuara, është rikthimi i retorikës se edhe sot ndodhemi nën pushtetin patriarkal. Sundimi i burrave duket i pashmangshëm.

Por, a mjaftojnë thirrjet e tilla, që ne ta ndryshojmë fatin!

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka premtuar se Kosova duhet ta përmirësojë pozitën e gruas, të rrisë sigurinë, dhe të krijojë një jetë ku drejtësia do të funksionojë.

Madje janë inkurajuar institucionet të bëjnë gjithnjë e më shumë, për të parandaluar dhunën gjinore. Madje ai nuk ka ngurruar ta quajë diskriminim gjinor, sipas tij, meqë ka sjellje patriarkale në shoqërinë tonë.

Edhe ministrja e Drejtësisë ka ofruar mbështetje, ndërsa ka inkurajuar ndëshkimet ndaj ushtruesve të dhunës.

“Pabarazitë, padrejtësitë e paragjykimet duhet t’i luftojmë bashkë, prandaj na nevojitet angazhim maksimal, bashkim i forcave të organeve shtetërore”, thotë Kurti.

Presidentja e vendit i ka kujtuar në vazhdimësi viktimat femra. Janë kujtuar edhe gratë, femrat e dhunuara nga Serbia, por të gjithë kanë heshtur dhe po heshtin për djegien e një gruaje. Sigurisht nuk është e vetmja që është vrarë!

Derisa vrasjen e Diana Kastratit, e kanë si gurë prove për çdo fjalim retorikë, asnjë prej tyre nuk e përmend Sanie Balajn.

Ç’pat faj ajo, që u bë viktimë. Ç’faj pat ajo, që iu morën paratë fillimisht, rreth 250 marka, pastaj u keqtrajtua dhe më pas u vra. Por, fundi nuk është këtu. Më pas edhe një ndëshkim për së vdekuri iu dha. Iu dogj trupi shkrumb e hi!

A fitoi drejtësia!?

A fitoi drejtësia! Me sa dihet JO! U dënua, një person që në një mënyrë ka mundur të bashkëpunojë në krim apo kishte një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë, por që besohet se nuk ishte doras.

Galani, ishte nofka e tij, që tashmë ka gati dy vjet që ka vdekur. Por, pavarësisht vendimit, nuk u vërtetua përfundimisht nga gjykata se ai ishte autor i krimit. Ai e mohoi deri në fund autorësinë, por kjo iu refuzua nga Gjykata.

Edhe nga tregimet e tij, private, ai dëshmonte se nuk ishte autori i krimit, dhe madje se kishte alibi, sepse në kohën e vrasjes së zonjës Balaj, kishte qenë diku tjetër.

Ndoshta më lehtë ishte të dënohej, ai sepse personit, që ai ia kishte dorëzuar zonjën Balaj, në gushtin e vitit 1998, ishte vrarë në rrethana të paqarta në vitin 1999, pas luftës. Ai quhej Metë Krasniqi.

Image
Dëshmitari Avni Krasniqi, shoferi i veturës me të cilën u bart Sanije Balaj, gjatë dëshmisë në Hagë

Ndërsa, i dyshuari tjetër që ishte vëllai i viktimës Metë Krasniqi, Avniu ishte kthyer në dëshmitarë nga gjykata, duke u bërë gurë prove për dënimin e “Galanit”!

Pra, pakkujt po i interesojnë krimet makabre në këtë vend! Si duket shumica ose kanë frikë, ose duan të shesin hipokrizi, se sa e duan drejtësinë, kur dashurinë e tyre mund ta tregojnë ndryshe!

Pse ta fillojnë tregimin me fabula, që mund t’ju nxjerrin probleme!

Të vdekurit nuk do të flasin më!

Dëshmia e Tahir Zemajt

Koloneli Tahir Zemaj, në librin e tij – intervista, flet për vrasje të rënda, dhe të pamotivuara nga rreziqet apo frika. Përkundrazi, ai besonte se ishin bërë edhe nga motive të ulëta.

“Ka pasur krime të tjera, për shembull vrasja e Sanie Balës, që është vrarë për motive të ulëta, për t’ia vjedhur disa deviza, (më vonë ata e akuzuan se ajo paskësh bashkëpunuar me serbët!). Pasi e kanë vrarë, e kanë djegur dhe hedhur në liqenin e Radoniqit. Janë vrarë një burrë e një grua dhe shumë të tjerë. Hetimin e këtyre ngjarjeve e kanë bërë organet e brigadës për zbulim dhe kundërzbulim. Ekzistojnë prova, dëshmi dhe dokumentacion i plotë rreth tyre. Sapo në Kosovë të rindërtohet një sistem i besueshëm drejtësie, ata që kanë vrarë e djegur në “emër të popullit”, kanë për të dhënë përgjigje në emër të po atij populli.”, dëshmonte dhe premtonte drejtësi koloneli Zemaj.

Dëshmia në Hagë

Paralel thuaja me procesin në Kosovë, edhe në Gjykatën e Hagës, është zhvilluar hetimi për Sanije Balajn.

Sipas përshkrimit që ia bën dëshmitari A, ngjarjes së Sanije Balajt, ajo ishte ndaluar ndërsa po udhëtonte në drejtim të Pejës, ku donte ta blinte një telefon, që sipas dëshmisë së saj, ajo do ta përdorte për qëllime financiare, duke e përdorur si shumë të tjerë atë kohë, si një lloj poste, ku njerëzit mund të shkonin nga të gjitha anët dhe të flisnin me pagesë.

Ajo kishte zgjedhur një rrugë më të gjatë, që u bë subjekt i pyetjeve në intervistim. Por, ajo kishte pohuar se rruga që e kishte zgjedhur ishte e tillë, për shkak se e kishte lënë të takohej me hallën e saj, në një fshat, dhe gjatë rrugës do të bëheshin bashkë.

Në një notesë që ajo e mbante u gjet emri i një serbi. Kjo i shtyri mendjet e ndonjë ushtari, që të dyshonin se ajo mund të spiunonte.

Dëshmitari në Hagë, dëshmon se si asaj i kishte ofruar bukë, dhe që pastaj do të përcillej për në fshatin e saj Strellcë, dhe se atje do të mund të intervistoheshin edhe persona të tjerë, në mënyrë që të merrej vesh e vërteta, nëse ajo kishte bashkëpunim me serbët.

Image
Shaban Balaj, vëllai i Sanije Balajt, gjatë dëshmisë në Hagë

Pas 2-3 ditësh, dëshmitari takohet me vëllain e viktimës, Sanijes, Shaban Balajn, i cili i armatosur po kërkonte dëshmi për fatin e së motrës. Kur, dëshmitari ia kishte thënë dyshimin se pse ishte arrestuar, vëllai që nuk e besonte, kishte thënë se nëse do të ishte e vërtetë, askush tjetër nuk kishte nevojë ta mbyste, por, këtë “do ta bënte ai vetë me duart e veta”.

Vendimi i gjykatës

Edhe sipas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Sanije Balajn e kishte marrë në pyetje komandanti i operativës Cuf Krasniqi, ditën e arrestimit me 12 gusht 1998 në Lug të Baranit, i cili pas intervistimit prej rreth pesë minutash e kishte liruar, Sanije Balajn, por në fakt, ajo sapo kishte rënë në rrezik të ri.

Nga ana tjetër, i akuzuari Idriz Gashi, me nofkën e luftës “Galani”, në bazë të emrave të shkruar në një notes, i cili ishte gjetur në gjësendet e saj personale, ka konstatuar se vajza bashkëpunonte me forcat serbe dhe e ka urdhëruar policin ushtarak Avni Krasniqin, që ta shpie atë në hetime të mëtutjeshme, në Shtabin Kryesor të UÇK-së, në fshatin Gllogjan. I akuzuari Gashi, Avni Krasniqi dhe Sanije Balaj ishin nisur me veturë drejt shtabit kryesor, dhe kur kishin arritur te pylli në afërsi të fshatit Vranoc, Idriz Gashi e kishte urdhëruar Avninë që ta ndalonte veturën, pastaj e ka urdhëruar Sanijen, që të dalë nga vetura dhe të niset drejt pyllit, ku është vrarë me armë zjarri.

Gashi ishte dënuar me 15 vjet, pastaj në rigjykim u dënua me 14 vjet burg, por pak kohë pas lirimit të tij, vdiq, në vitin 2020, pa arritur ta bënte të besueshëm tregimin e tij.

Fondi për të Drejtën Humanitare kishte vlerësuar se Gjykata Supreme e Kosovës në bazë të dëshmive të paraqitura se në mënyrë të drejtë ka përcaktuar përgjegjësinë penale të të akuzuarit. Por, edhe ky fond si duket nuk ishte interesuar mjaftueshëm për zbulimin e të vërtetës, por më shumë për procesin dhe që dikush të ndëshkohej.

Zhvarrimi

Pas tri ditësh, i akuzuari e kishte urdhëruar Avni Krasniqin që së bashku me ushtarin e UÇK-së Idriz Balajn, i quajtur “Togeri”, ta zhvendosnin trupin në Gllogjan, kështu që trupi u hodh në kanalin në afërsi ku gjendeshin edhe 39 trupa tjerë, të cilët u gjetën në shtator të vitit 1998, dhe u identifikuan në maj të vitit 2007.

Në të njëjtën ditë, sipas konluzioneve të gjykatës, Idriz Gashi dhe Avni Krasniqi janë kthyer në pyll, për ta fshehur trupin e viktimës. Në kohën e vrasjes, në afërsi të vendngjarjes ishte ndodhur djaloshi Durim Hasanaj, i cili ruante bagëtinë. Ai i kishte dëgjuar të shtënat, dhe kur ishte kthyer në shtëpi, për këtë i kishte njoftuar prindërit e tij. Pastaj, menjëherë, i ati i djaloshit Zyber Hasanaj dhe pjesëtarët e UÇK-së Ahmet Ukaj, Hysen Ukaj dhe Sokol Tolaj kishin shkuar në pyll që të shohin se çka kishte ndodhur. Ata kishin hasur në Idriz Gashin dhe Avni Krasniqin. Idriz Gashi i kishte urdhëruar Ahmet Ukës që ti ndihmojë Avni Krasniqit rreth varrimit të vajzës.

Pas tri ditësh, i akuzuari i kishte urdhëruar Avni Krasniqit që së bashku më ushtarin e UÇK-së Idriz Balaj i quajtur Toger, ta zhvendosin trupin në Gllogjan, kështu që trupi u hodh në kanalin në afërsi ku gjendeshin edhe 39 trupa tjerë, të cilët u gjetën në shtator të vitit 1998, dhe u identifikuan në maj 2007.

Sipas dokumenteve publike të Gjykatës Supreme, hetimi për vrasjen e Sanije Balaj ka filluar në vitin 2005. I akuzuari Idriz Gashi ishte depërtuar nga Suedia me 12.11.2006, ku kishte punuar dhe jetuar me familjen. Ngritja e akuzës u bë me 08.02.2007, ndërsa gjykimi i shkallës së parë ka filluar me 09.05.2007, para Gjykatës së Qarkut në Pejë. Gjykata solli vendimin me 22.06.2007, me të cilën i akuzuari u shpall fajtor dhe u dënua me burg në kohëzgjatje 15 vjet.

Pas ankesës së palës mbrojtëse, Gjykata Supreme e Kosovës e anuloi vendimin dhe e ktheu lëndën në rigjykim. Rigjykimi zgjati prej 21.10.2009 deri me 19.11.2009.

I akuzuari, gjatë tërë gjykimit, e kishte mohuar fajësinë. Ai tha se në ditën kritike, Sanije Balajn në fshatin Pozhar ia kishte dorëzuar Metë Krasniqit, njërit nga komandantët e UÇK-së të asaj ane, në mënyrë që ai ta çonte në Shtabin kryesor të UÇK-së në Gllogjan dhe t’ua dorëzonte autoriteteve që të vendosnin për fatin e saj.

Metë Krasniqi dëshmitar i rastit atë kohë, vëllai i dëshmitarit të gjallë Avni Krasniqi, nuk ka mund të merrej në pyetje sepse është vrarë nga persona të panjohur në muajin gusht 1999.

Por, pse u vra Metë Krasniqi dhe nga kush, është një tjetër enigmë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat