Këto janë të gjitha vendimet që mori Qeveria e Kosovës

Aktuale

Këto janë të gjitha vendimet që mori Qeveria e Kosovës

Më: 26 janar 2022 Në ora: 08:26
Qeveria e Kosovës

(E plotësuar 12:08) - Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se Qeveria nuk do ta ketë problem t’i ndajë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike, të parapara në raportin konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ku është propozuar shtrenjtimi i rrymës.

Murati, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, tha se janë përkujdesur që të ketë buxhet të mjaftueshëm për situata të jashtëzakonshme si kjo me krizën energjetike.

“Ne si Qeveri jemi përkujdesur që gjatë hartimit të buxhetit për vitin 2022 jemi përkujdesur që t’i kemi hapësirat e nevojshme, pra fleksibilitetin e nevojshëm marrë parasysh pandeminë. Çdoherë kemi paraparë që mund të ndodhë një situatë e jashtëzakonshme”, tha ai.

Sa i përket ndarjeve buxhetore, nuk besoj që do të kemi problem, megjithëse kjo normalisht që është një barrë shtesë edhe për buxhetin”, shtoi Murati.

Ai u pyet edhe për mosshtrenjtimin e rrymës për katër komunat në veri të vendit.

Ne jemi duke punuar që probleme të tilla të cilat i kemi trashëgu dhe nuk kanë gjetur zgjidhje për 20 vitet e kaluara, do të mundohemi t’i zgjidhim në afatin sa më të shkurtër”, tha Murati.

***

Emërohet Bordi i Drejtorëve të Postës, Kurti: Presim që këta kandidatë ta bëjnë ndërmarrje të suksesshëm

Qeveria e Kosovës ka emëruar Bordin e Drejtorëve të Postës. Kryesues i bordit është zgjedhur Fadil Bejta, ndërsa anëtarë të bordit janë zgjedhur Safije Beseni, Hyrmete Medyti, Sebahate Krasniqi, Visar Nura dhe Gëzim Paci.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti lidhur me emërimin e bordit në mbledhjen e sotme të Qeverisë tha se kjo përbërje është e plotë sikur nga fusha profesionale ashtu edhe nga përfaqësimi gjinor, meqë janë tre gra dhe tre burra.

Pas prezantimit të emrave të bordit, Kurti u shpreh nga ky bord presin që të rrisin performancën dhe ndërmarrjen ta bëjnë më të suksesshëm.

Mandati i të emëruarve zgjat tre vjet.

Ndërsa në konkurs për këto pozita kishin kandiduar 90 persona, ndërsa në listë të ngushtë kanë kaluar 39 kandidatë.

“Marrë parasysh rëndësinë e funksionalizimit të plotë të bordit të Postës, propozoj të emërohen për drejtor në bordin e ndërmarrjes publike qendrore Posta e Kosovës, këta kandidat. Fadil Bejta Kryesues, Safije Beseni anëtare, Hyremet Medyti, Sebahate Krasniqi anëtarë Visar Nura dhe Gëzim Paci. Besojmë që kjo përbërje është e plotë si nga fusha profesionale ashtu edhe nga përfaqësimi gjinor, pra kemi tre gra dhe tre burra. Presim që këta kandidatë për anëtar të bordit të rrisin performancën e bordit dhe ta bëjnë ndërmarrje të suksesshëm. Mandati i të emëruarve zgjatë tre vjet”, tha Kurti.

Po ashtu Qeveria e Kosovës në këtë mbledhje ka miratuar dy Projektligje që thellojnë bashkëpunimin me Shqipërinë. Ekzekutivi i dha dritën e gjelbër marrëveshjes për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrjes-daljes së mallrave.

Përmes kësaj u tha se do vendoset dogana edhe në portin e Durrësit dhe Porto-Romano.

Qeveria, po ashtu miratoi marrëveshjen me Shqipërinë për sigurime shoqërore mes dy vendeve.

E njëjta pritet t’i mundësojë qytetarëve në dy shtetet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për sigurime pensionale.

Krahas këtyre, Qeveria miratoi edhe planin strategjik dhe operacional të Qeverisë 2022-2025. 

***

Qeveria e Kosovës ka vazhduar edhe për një vit subvencionimin e policave kufitare për mërgimtarët.

Vendimi është marrë në kuadër të pakos së ringjalljes, nën masën “mbështetja e mërgatës”.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se vazhdimi bëhet deri sa të gjendet një zgjidhje përfundimtare.

***

 Lehtësirat doganore Kosovë – Shqipëri dhe njohje e stazhit të punës, dy projektligjet e miratuara nga Qeveria

Qeveria e ka miratuar projektligjin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë për zbatimin e lehtësirave doganore dhe kontrollit të hyrje-daljes së mallrave.

Projektligjin për marrëveshjen e nënshkruar në mbledhjen mes dy qeverive më 26 nëntor të vitit 2021 e prezantoi kryeministri Albin Kurti.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo marrë veshje parasheh një sërë lehtësirash doganore dhe të tregtisë mes dy vendeve.

Më tutje, parasheh edhe vendosjen e zyrës doganore të Republikës së Kosovës në zonën doganore të portit të Durrësit dhe Porto Romanos. E gjithashtu, përfshin edhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve”, tha ai.

Qeveria po ashtu e miratoi edhe projektligjin për marrëveshjen e nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë lidhur me çështjen e stazhit të punës dhe pensioneve.

Kjo mundëson që qytetarët e të dyja vendeve të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, familjare, invalidore, të punës; e drejta e pra edhe nga fondi i kursimeve pensionale individuale si dhe pushimin e lehonisë. Me anë të këtij projektligji, qytetarëve nga Kosova që kanë qenë të punësuar për një kohë të gjatë në Shqipëri do t’u mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit, të kenë të drejtë që këtë pension ta marrin në Kosovë”, tha ministri Murati.

Ai shtoi se punëtorët nga Kosova që punojnë në Shqipëri po ashtu mund t’i bashkojnë periudhat e kontributeve (stazhin e punës).

***

Qeveria i vazhdon shtesat deri në qershor për punonjësit shëndetësor

Qeveria e Kosovës ka aprovuar sot propozim-vendimin për pagesën shtesë prej 10% të pagës bazë për punonjësit shëndetësor të sektorit publik.

Kryeministri Albin Kurti tha në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, se këto shtesa do të jepen për periudhën janar-qershor 2022.

“Shqyrtimi i propozim vendimit për pagesën shtesë prej 10% të pagës bazë për punonjësit shëndetësor të sektorit publik, profesionistët shëndetësor stafi mbështetës për periudhën janar-qershor 2022 në zbatim të masës 4.1 në Pakon e Ringjalljes Ekonomike”, tha Kurti.

Në ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati deklaroi se këto mjete do të jepen për këta muaj, me mundësi vazhdimi dert në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.

“Ky vendim bën vazhdimin e shtesës që kemi miratuar në vitin e kaluar në raport me personelin shëndetësor dhe në kuadër të mbështetjes për menaxhimin e pandemisë. Kësaj radhe duhet të vazhdohet sepse ka ndërruar vit i kaluar fiskal dhe tani jemi në një vit fiskal të ri. Ky propozim-vendim parasheh ndarjen e mjeteve për të mbuluar periudhën e parë gjashtë mujore dhe shtesa do të aplikohet deri në këtë periudhë ose deri në hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave”, tha Murati.

Qeveria e Kosovës formon komision ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të arsimit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij para kabinetit të tij qeverisës, ka folur për punën e qeverisjes për këta nëntë muaj, raporton Ekonomia Online.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar të gjitha projektligjet për vitin 2022.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti, ka kërkuar miratimin e planit strategjik dhe operacional të qeverise së tij. Ai ka thënë se ky projekt është instrumenti kryesor për zbatimin politik për të zbatuar programin qeverisës 2022-2025, që sipas tij reflekton angazhimin për të dëshmuar punën e qeverisë.

Ai ka propozuar themelimin e komisionit ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të arsimit.

“Propozoj të themelohet komision ekzekutiv për zhvillimin e sistemit të arsimit në vend. Komisioni do të ketë përbërje, kryeministrin, ministren e arsimit, Arbëre Nagavci. Komisioni mund të themelojë Task-forcë lidhur me sistemin e arsimit aftësimit profesional”, ka thënë ai.

“Populli ynë nuk i do të korruptuarit dhe ne duhet t’i shërbejmë popullit”

Kryeministri Albin Kurti, është shprehur i lumtur për pozicionimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit, duke kaluar nga 104 në vendin e 87-të.

Ai tha se kjo përben lajm shumë të mirë dhe tregon se përpjekjet e Qeverisë Kurti dhe përkushtimi në luftën kundër korrupsionit, kanë nisur të japin rezultatet e para.

“Ky sukses do të reflektohet në vendimet e Brukselit për vendin tonë. Që kur e morëm detyrën në mars të vitit 2021, dëshmuam vendosmëri për shkatërrimin e luftimit të korrupsionit në çdo cep të vendit”, tha Kurti.

Tutje, kryeministri përmendi edhe operacionet e realizuara nga policia e Kosovës.

“Nga periudha janar-dhjetor 2021, janë realizuar 571 operacione policore, janë goditur 49 grupe kriminale. Krahasuar me vitin 2020, këto shifra tregojnë ngritje për 75 përqind, dhe me vitin 2019, 32.4 përqind. Vlerësimi pozitiv i Transparency International, na inkurajon në rrugën e vazhdueshme drejt luftimit të korrupsionit, duhet shumë punë, por s’do të ndalemi asnjëherë”.

“Populli ynë nuk i do të korruptuarit dhe ne duhet t’i shërbejmë popullit. Do të triumfojmë me vendosjen e drejtësisë, rendit dhe ligjit që Kosova sa më shpejt të radhitet në renditjen globale të shteteve të sigurta pa korrupsion”, tha Kurti.

Kurti: Vaksinimi dhe masat janë armët tona të vetme të luftimit ndaj virusit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve që kanë humbur më të dashurit e tyre si pasojë e COVID-19.

Me të nisur mbledhja e Qeverisë, Kurti ftoi qytetarët të vaksinohen dhe ta marrin dozën e tretë, pasi siç tha ai, është mënyra e vetme për të shpëtuar njëri-tjetrin.

“Jemi duke u përballur me variantin e ri Omicron të virusit që është ngjitës dhe shpërndahet shumë shpejt. Në 24 orët e fundit 2707 qytetarët rezultuan pozitivë ndërkohë një ditë më parë, 2243 raste të reja. Numër kaq të lartë në ditë nuk kemi pasur që nga gushti i vitit të kaluar, madje shifrat janë tejkaluar. Gjendja është e rënduar edhe tani dhe kjo rrit numrin e spitalizimeve dhe mund të rezultojë në më shumë vdekje”.

“Duhet të kujdesemi për shëndetin e popullsisë dhe kapacitetet e shëndetësisë pasi të gjithë e dimë si është gjendja. Në beteja të vazhdueshme nga COVID-19 humbën jetën 3002 qytetarë të këtij vendi, pardje u shënua edhe viktima e 3000. U shpreh ngushëllime të përzemërta familjarëve dhe miqve të qytetarëve tanë që nuk arritën të përballojnë më sukses virusin. Përball kësaj gjendjeje, qëllimi ynë është të shpëtojmë jetën, duhet të kujdesemi që ta izolojmë këtë virus që të mos izolohemi ne nga virusi. Vaksinimi dhe masat e rekomanduara nga IKShPK janë të vetmet armët tona të luftimit ndaj këtij virusi. U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të vaksinoheni dhe të ftoni edhe të tjerët të marrin dozën e tretë”, tha Kurti.

LIVE: Nis mbledhja e Qeverisë

Nis mbledhja e Qeverisë së Kosovës.

​Mblidhet sot Qeveria e Kosovës

Sot do të mblidhet kabineti qeveritar.

Nga zyra e kryeministrit kanë njoftuar se me të filluar në ora 10:00 do të mblidhet Qeveria e Kosovës.

Në komunikatën për medie nuk është bërë e ditur arsyeja e mbledhjes. 

Së fundmi kujtojmë që nga qeveria u morën masa të reja.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat