Reagime dhe rekomandime për Kosovën dhe luftën kundër korrupsionit

Aktuale

Reagime dhe rekomandime për Kosovën dhe luftën kundër korrupsionit

Më: 26 janar 2022 Në ora: 08:32
Foto ilustrim

Sipas Transparency International Kosova shënon një përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit. Por shoqëria civile thotë se ka ende shumë punë për t'u bërë.

Kosova shënon një përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit dhe u vlerësua me 39 pikë në indeksin e përceptimit të korrupsionit për vitin 2021 të publikuar në raportin e organizatës ndërkombëtare, Transparency International. Një vit më parë Kosova kishte 36 pikë.

Sipas vlerësimit të Transparency International, Kosova pas 3 vitesh stagnimi në fushën e anti-korrrupsionit  në vitin 2021 shënoi përparim të lehtë. Në këtë mënyrë Kosova rikthehet në nivelin e vlerësimit në të cilën ishte në vitin 2017 duke shënuar kështu ngritje në tabelën e klasifikimit me 17 vende, përkatësisht në  vendin e 87-të nga vendi 104 në të cilën ndodhej vitin e kaluar. Sipas Organizatës Transperency International, vendet që shkelin liritë civile shënojnë vazhdimisht rezultate më të ulëta në Indeks.

Kurti mburr qeverinë e tij

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ‘përparimin  e lehtë’,  të Kosovës në luftën kundër korrupsionit në indeksin e Transparency International, ia atribuoi qeverisë së tij, por, tha që duhet bërë edhe më shumë.

Image
Albin Kurti

Zotimi ynë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional është duke dhënë sinjalet e para shumë optimiste. Nga vendi 104 në vendin e 87, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Kosova e ka përmirësuar pozicionin e saj me 17 vende. Ende pa u bërë një vit nga marrja e detyrës, veprimet tona kundër korrupsionit, vlerësohen pozitivisht nga organizata të besueshme. Sigurisht që duhet edhe më mirë e sigurisht që do të punojmë më shumë, derisa Kosova të jetë afër e bashkë me vendet e pastra për nga korrupsioni”, shkroi Kurti në profilin e tij facebook.

Lajm i mirë, por ka ende punë për të bërë

Lajm të mirë për Kosovën që ka shënuar progres në luftimin e korrupsionit, e cilësoi ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. Ai tha se “Kosova do të ketë mbështetjen e plotë të Gjermanisë në këtë aspekt”.

Image
Jörn Rohde

Vërtetë lajm i mirë. Kosova ka shënuar progres të dukshëm në luftimin e korrupsionit. Inkurajojmë Kosovën që më në fund të fillojë të ecë përpara në luftën serioze të korrupsionit. Vazhdo kështu. Kosova ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë”, shkroi ambasadori në Twitter.

Mbështetje për Kosovën shprehur edhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovë Tomas Szunyog, por ai rikujtoi se “ka ende punë për të bërë në të ardhmen”.

Urime për Kosovën, e cila është ngritur për 17 vende në krahasim me vitin e kaluar në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit. Shumë punë ende përpara. Bashkimi Evropian e mbështet plotësisht Kosovën në luftën e vazhdueshme kundër korrupsionit”, shkroi Szunyog. Lufta e Kosovës kundër korrupsionit u përshendet edhe nga ambasadorët e Francës dhe Britanisë së Madhe.  

Shoqëria civile: Reforma në sistemin e drejtësisë

Ndërkohë, organizatat e shoqërisë civile, megjithë përparimin e lehtë që shënoi Kosova në indeksin e Transparency International, thonë se  “ka ende shumë punë për t'u bërë” dhe ato renditën një serë detyrash që duhet të kryejnë institucionet. Këto i shpjegon, Arben Kelmendi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë kjo që monitoron punën e institucioneve publike.

Institucionet duhet të vazhdojnë me zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë me qëllim të ngritjes së besimit të publikut tek organet e rendit dhe ligjit, duke minimizuar ndërhyrjet politike në punën e gjyqësorit dhe prokurorisë. Kjo reformë duhet të jetë gjithpërfshirëse dhe e koordinuar mirë mes të gjithë akterëve relevantë”, thotë Kelmendi.  Sipas tij, lufta kundër korrupsionit duhet të intensifikohet në drejtim të masave parandaluese.

Image
Foto ilustrim

“Ligji i ri për Agjencinë për parandalimin e korrupsionit, duhet jo vetëm të ndërrojë emrin e saj, por të sjellë një frymë të re në efikasitetin dhe përkushtimin e personelit të Agjensionit në parandalimin e korrupsionit përmes një procesi më efikas të grumbullimit dhe kontrollimit të deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë, dhe adresimin ekspeditiv të kërkesave për vlerësimin e rasteve të mundshme të konfliktit të interest”, thotë Kelmendi. Sipas tij, një cështje tjetër është ajo e prokurimit publik.

Më tepër transparencë në prokurimet publike

Në fushën e prokurimit publik, kërkohet ngritje e transparencës dhe llogaridhënies në të gjitha fazat e procedurës së prokurimit. Vëmendje të veçantë duhet kushtuar menaxhimit dhe mbikëqyrjes së kontratave publike duke ngritur nivelin e përgjegjësisë së zyrtarëve publik për mënyrën e shpenzimit të parasë publike”.

Sa i përket procesit të emërimit dhe përzgjedhjes të anëtarëve të bordeve kërkohet “të ndryshohet dhe plotësohet Ligji për Ndërmarrje Publike me qëllim të rritjes së transparencës dhe mbikëqyrjes së procesit dhe eliminimit të politizimit të Bordeve nga përzgjedhja e anëtarëve joprofesional, duke i dhënë mundësinë profesionistëve të fushës dhe të paanshëm nga ngjyrimet partiake”, thotë KDI.

Transparency International për herë të parë sivjet në raportin e saj, ka krahasuar edhe rezultatet e shteteve për periudhën 2012-2021. Kosova, gjatë kësaj periudhe ka pasur një rritje prej pesë pikësh, pra nga 34 në vitin 2012, në 39 në vitin 2021./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat