Kurti: Vuçiq m’i refuzoi propozimet, nuk është e saktë të thuhet se Kosova po e kundërshton Asociacionin

Aktuale

Kurti: Vuçiq m’i refuzoi propozimet, nuk është e saktë të thuhet se Kosova po e kundërshton Asociacionin

Më: 17 shkurt 2022 Në ora: 20:34
Albin Kurti

(E plotësuar 21:44) - Kurti për çështjen e Manastirit të Deçanit: Kushtetuesja e trajtoi lëndën pa kaluar nëpër fazat e zakonshme, duhet të trajtohet në dialog

Kryeministri Albin Kurti, tha se nga dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të përfitojë Serbia si shtet, por duhet të adresohen kërkesat e serbëve të Kosovës.

I pyetur në lidhje me Manastirin e Deçanit, Kurti konsideron se vendimet që janë marr nga regjimi i Millosheviqit nuk duhet të pranoheshin si qeverisje të zakonshme demokratike.

“Ne kemi rezervën tonë të zakonshme për vendimet e regjimit të Millosheviqit, të cilat për bindje  time, çuditërisht janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese e cila e ka trajtuar një lëndë pa kaluar ajo nëpër fazat e zakonshme, sikurse tjerat”, tha Kurti.

Tutje, Kurti tha se për Manastirin e Deçanit ka nevojë  të ketë dialog.

“Unë mendoj se për Manastirin e Deçanit kemi nevojë për dialog në mënyrë që ta trajtojmë këtë breng të tyre, nuk duam t’i dominojmë, nuk dëshirojmë t’i cënojmë, por në të njëjtën kohë besoj që duhet të hasim më në fund në mirëkuptimin e tyre që vendimet e Millosheviqit nuk mund të jetojnë në këtë shekullin tonë”, theksoi Kurti.

Kurti për Asociacionin: S’mund të krijojmë diçka të re që na e rrënon rendin juridik dhe kushtetues

Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur sërish qëndrimin se nuk mund të ketë Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe.

Shefi i qeverisë tha se Serbia ka refuzuar propozimet e Kosovës të cilat thotë se i bëri gjatë dy takimeve, të ndërmjetësuara nga BE-ja, me homologun e tij serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

“Unë kam qenë shumë aktiv në bisedimet e zhvilluara në Bruksel me presidentin e Serbisë – edhe më 14 qershor edhe më 19 korrik të vitit të kaluar. Unë kam bërë propozime, njëri ka qenë për reciprocitetin e të drejtave të pakicave dhe kam marrë shembullin që Serbia ka në territorin e saj ku krijon këshillat nacionale për pakicat kombëtare dhe kemi thënë që nëse Serbia mjafton që kjo është e mjaftueshme për pakicat kombëtare po e zbatojmë edhe ne në Kosovë. Reciprociteti është parim i shëndoshë i marrëdhënieve të mira fqinjësore. Është refuzuar”.

“Në anën tjetër kam propozuar edhe Deklaratë të Paqes për mossulmim. Duhet të flasim për paqe tash kur armatosjet e shteteve kanë filluar të bëhen lajm botëror dhe aq më tepër kur kemi parasysh agresivitetin e Federatës Ruse. Edhe kjo gjë është refuzuar. Nuk është e saktë të thuhet që vetëm Kosova po refuzon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Kosova e ka Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe gjithashtu e ka edhe në Kushtetutën e saj të normuar se çka janë të drejtat e komuniteteve joshumicë që janë sipas standardeve më të larta evropiane dhe shumë më tepër se aq, por është Serbia ajo që ka refuzuar propozimet e Kosovës. Ka refuzuar edhe Deklaratën e Paqes për mossulmim edhe reciprocitetin e të drejtave, pra në vitin e kaluar kemi refuzim të Serbisë dhe jo Kosovës”.

Kurti tha se ndërmjetësuesit e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë kanë respekt për vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ata i referohen nganjëherë të kaluarës, megjithatë e pranojnë dhe kanë respekt për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që u publikua më 23 dhjetor të vitit 2015 e që tha se në gjithsej 23 nene të Kushtetutës së Kosovës Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe qysh u nënshkrua në Bruksel nuk është në përputhje me asnjërën prej shtatë kapitujve të vet. Ne nuk mund të krijojmë diçka të re që na rrënon rendin juridik dhe kushtetues të Kosovës. Le të mos harrojmë që nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të duhej të përfitojë Serbia si shtet, por duhet të adresohen nevojat e serbëve si qytetarë të Kosovës dhe ne nuk kemi ankesa nga serbët e Kosovës për të drejtat dhe nevojat e tyre".

Kurti: Edhe në Serbi e kanë kuptuar që do të duhet ta pranojnë pavarësinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse ka presion ndërkombëtar për një marrëveshje finale me Serbinë, por vetëm tha se partnerët po kërkojnë nga Kosova që të jetë aktive dhe konstruktive në dialog.

“Neve partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë, aleatët tanë, vijnë dhe na mbështesin për Kosovën e pavarur dhe sovrane, me integritet territorial dhe shtetësi funksionale, por në të njëjtën kohë  kërkojnë prej nesh që të jemi aktivë dhe konstruktivë në dialog, gjë që ne e bëjmë. Në bisedimet që zhvillohen në Bruksel, ne kemi qenë të përkushtuar, jo thjesht për një dialog për hir të dialogut, por për dialog për marrëveshje, e cila duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke. Kushtetuta e Kosovës dhe Kushtetuta e Serbisë nuk janë në pajtueshmëri me njëra-tjetrën, por ne besojmë se është ajo e Serbisë që duhet të ndryshojë dhe me durim dhe angazhim të palodhshëm përpiqemi që të kemi sa më shumë miq në arenën ndërkombëtare për këtë qëllim tonin”.

Ai tha se me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nuk fiton vetëm Kosova, por edhe Serbia.

“Edhe Serbia çlirohet nga një ëndërr hegjemonike që në fakt gjithmonë është shndërruar në makth për fqinjët e saj. Besoj që ky është viti, në të cilin do të mund të intensifikohen bisedimet, pasi duket që edhe në Serbi e kanë kuptuar që nuk ka më kthim në të kaluarën, andaj do të duhet ta pranojnë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të avancojnë integrimet evropiane. Neve na pengojnë pesë shtetet mosnjohëse që të integrohemi në Bashkimin Evropian, por Serbia e ka të pamundur që të integrohet në BE pa e njohur Kosovën”.

Kurti flet për çështjen e njohjeve dhe anëtarësimeve, thotë se është shumë delikate

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sa i përket angazhimit të tyre si Qeveri për njohjen e vendit, dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Kurti thotë se angazhimi i tyre është i gjithanshëm dhe shumë konkret, mirëpo thotë se kjo është një punë shumë delikate, e cila nuk do zhurmë, por do punë.

“Angazhimi ynë është edhe i gjithanshëm dhe shumë konkret, mirëpo duhet të na kuptoni se çështja e njohjeve dhe anëtarësimeve është një punë shumë delikate, e cila bëhet me shumë kujdes, dhe e cila nuk do zhurmë, por do punë”, tha Kurti.

Ai tha se do t’i korrin edhe sukseset për punën e tyre në këtë drejtim.

“MPJ është në ballë të këtij angazhimi. Natyrisht që gjatë këtij më pak se një viti që jemi në qeveri, e kemi përmirësuar shumë imazhin e shtetit tonë. Kemi punë konkrete e cila nuk duket, brenda këtij mandati do t’i korrim edhe sukseset e kësaj”, tha Kurti.

​Kryeministri: Çmimi i rrymës është minimal për xhepin e qytetarit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha shtrenjtimi i rrymës në Kosovë te xhepi i qytetarit është minimal. Sipas tij kuleta e shtetit e ka paguar shumë më tepër sesa qytetari i Kosovës.

Për këtë Kurti fajin ua lë mos ndërtimin e kapaciteteve për energji dhe rritja në bursë e rrymës, e cila ka bërë që të rritet edhe çmimi i rrymës.

“Në mungesë të kapaciteteve që ka Kosova nuk arrihet ajo që kërkohet dhe janë detyruar të importojnë. Qytetarët sa më shumë ta kursejnë rrymë sepse kursejnë për vete por edhe kursejnë kuletën e shtetit”, tha Kurti.

Ai tha se çmimi i rrymës në Kosovë nuk është i shtrenjtë në krahasim me vendet tjera, por që siç tha Kurti çmimi do të ishte edhe më i lirë sikurse do të ndërtoheshin termocentralet e reja.

Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për “ngritje në ekonomi” nën qeverisjen e tij ndërkohë që tha se njohjet kanë ngecur dekadën e fundit për shkak të dialogut asimetrik.

“Shumë shtete që nuk na kanë njohur e kanë përdorur dialog si pretekst për mos njohje”, tha Kurti.

​Kurti: Për Manastirin e Deçanit duhet të ketë dialog

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se nga dialogu Kosovë-Serbi nuk duhet të përfitojë Serbia si shtet por duhet të adresohen kërkesat e serbëve të Kosovës.

“Ne nuk jemi kundër atyre por është Serbia kundër nesh. Edhe faktori ndërkombëtar është duke u bindur se ne jemi kreativ dhe në rrugë të drejtë”, tha Kurti në një intervistë.

I pyetur rreth kërkesës e SHBA-ve që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Manastirin e Deçanit, Kurti konsideron se vendimet që janë marr nga regjimi i Millosheviqit nuk duhet të pranoheshin si qeverisje të zakonshme demokratike.

“Ne kemi rezervën tonë për vendimet e regjimit të Millosheviqit, të cilat çuditërisht janë pranuar nga Gjykata Kushtetuese e cila e ka trajtuar sikurse lëndët tjera”, tha Kurti për të shtuar se për Manastirin e Deçanit kanë nevojë që të trajtohen në dialog.

Kurti: Teksa gëzohemi e festojmë, kjo bëhet në mënyrë të kushtëzuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur sonte për 14-vjetorin e Pavarësisë së vendit.

Në RTK, Kurti ka thënë se megjithatë nuk janë realizuar ëndrrat e rinisë.

Ai thotë se teksa mund të gëzohemi, kjo duhet të bëhet në mënyrë të kushtëzuar.

Nuk është ende ëndrra e realizuar e rinisë tonë. Teksa mund të gëzohemi dhe festojmë për atë se ku jemi, kjo duhet të bëhet në mënyrë të kushtëzuar”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat