Seanca e Kuvendit/ Sharje dhe përplasje mes pozitës e opozitës për komisionin hetimor për energjinë

Aktuale

Seanca e Kuvendit/ Sharje dhe përplasje mes pozitës e opozitës për komisionin hetimor për energjinë

Më: 28 prill 2022 Në ora: 07:43 Përditësuar në ora: 19:20 më 28.04.2022
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Dështon formimi i komisionit hetimor për energjinë

Në mungesë kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të formojë komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike.

Vetëm tre deputetë morën pjesë në votim të cilët abstenuan.

Ndërsa grupet tjera parlamentare u përmbajtën nga votimi.

Për vazhdimin e kësaj seance, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca bëri të ditur se do të njoftojë me kohë.

​Konjufca harron ta udhëheq seancën

Kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca gjatë seancës së sotme në një moment harroi t’ia jap fjalën deputetit të radhës.

Derisa bisedonte me deputetin e VV-së, Gazmend Gjyshinca.

Derisa deputeti i LDK-së Driton Selmanaj përfundoi fjalimin e tij, Konjufca vazhdonte bisedën duke mos u përqendruar në seancë.

Më pas reaguan deputetët dhe Konjufca vazhdoi seancën, duke ia dhënë fjalën deputetëve tjerë.

​Konjufca kërkon nga mazhoranca e opozita të bëjnë hapa prapa për komisionin hetimor

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga mazhoranca dhe opozita të bëjnë hapa prapa për të zgjidhur bllokadën për komisionin hetimor për energjinë.

Ai ka thënë se partia në pushtet duhet të heqë dorë prej diktimit në formulimin e çështjes dhe opozita të rishqyrtojë mundësinë e propozimit për komisionin hetimor.

Konjufca: Mazhoranca e opozita të bëjnë hapa prapa

“Rruga përpara mund të jetë vetëm me një mënyrë, kjo është që mazhoranca të heqë dorë prej kësaj që dikton në formulimin e çështjes dhe opozitës që të rishqyrtojë mundësinë e propozimit sa i përket lënies së lirë që ai grup parlamentar që dëshiron të udhëheq këtë që mos të jetë i përfshirë në nënshkrimet”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se interpretimi ligjor që ka marrë nga Kuvendi, tregon se asnjëri nga 40 deputetët opozitarë që janë nënshkruar në kërkesë nuk mund të kryesojë komisionin. Megjithatë ai ka shtuar se i njëjti duhet të themelohet.

Konjufca: Ky është interpretimi i Zyrës Ligjore të Kuvendit

“Interpretimi ligjor është ky, se për shkak ndoshta edhe të pakujdesisë në mënyrën si janë grumbulluar nënshkrimet dhe vendosur aty, konkluzion është se asnjëri prej të gjithë atyre deputetëve nuk mund të drejtojë këtë komision. Meqenëse është kështu dhe interpretimi i zyrës ligjore është kështu, i cili është institucion kredibil i Kuvendit është se nuk ka mbetur asnjë hapësirë sa i përket propozuesit, jo themelimit se ai duhet të ndodh. Sa i përket kryetarit të Kuvendit dhe gjykimit tim është se unë po distancohem prej gjithë atyre deputetëve që kanë thanë se ky komision duhet të mos themelohet. Por ky komision duhet të themelohet, ky është gjykimi im”, ka thënë ai.

Ndërkohë kryeparlamentari Konjufca u shpreh kritik edhe ndaj mazhorancës.

Konjufca: Jemi bllokuar edhe për shkak të mazhoracës

“Njëri mendoj se është i mazhorancës, i cili është se unë nuk pajtohem se mazhoranca ka të drejt me diktuar interpretimin e çështjes që parashtrohet hetimi. Natyrisht mazhoranca mund të shpreh atë, mund të shkojë edhe deri në pozicionimin që për shkak të kësaj fare të mos votohet komisioni hetimor. Por jam i bindur se mazhoranca nuk mund ta diktojë formulimin e çështjes. Por kjo nuk i jep të drejtë grupeve opozitare të formulojnë çështjen qysh të donë... Kjo nuk i jep të drejtë opozitës të thotë çfarë të dojë në formulim, por kërkohet një gjuhë racionale për çështjet që shtrohen”, ka thënë ai.

Ndaj deklarimeve të Konjufcës ka reaguar deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili ka thënë se Zyra Ligjore e Kuvendit nuk e ka autenticitetin dhe legjitimitetin për të interpretuar normat.

Selmanaj: Kjo zyrë nuk e ka autenticitetin dhe legjitimitetit për të interpretuar normat

“Kjo zyrë nuk e ka autenticitetin dhe legjitimitetit për të interpretuar normat, vullneti politik është gjithçka për të konsumuar demokracinë”, ka thënë Selmanaj.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka përsëritur se formimin e komisionit hetimor e përcakton qartë Kushtetuta dhe Ligji për hetimin parlamentar.

Tahiri: Formimin e komisionit hetimor e përcakton qartë Kushtetuta

“Sot është shumë e qartë edhe në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për hetimin parlamentar se 40 deputetë e caktojnë komisionin hetimor, nuk e propozojnë. Propozuesit e komisionit hetimor jemi ne, GP i PDK-së”, ka thënë Tahiri

Qalaj: Kam urdhëruar ndërhyrjen e FIT-it në Vetëvendosje, s’jam pishman

Deputeti i PDK-së, njëherësh ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka deklaruar se ai ka urdhëruar ndërhyrjen e njësisë FIT të policisë në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje vite më parë.

Për një gjë të tillë, Qalaj në seancën e sotme plenare tha se nuk është pishman dhe se ka vepruar ligjshëm.

Qalaj: Kam urdhëruar ndërhyrjen e FIT-it në LVV, s’jam pishman

“Jam shumë krenar që kam zbatuar urdhrat e ligjshëm të drejtësisë së Kosovës. Po, është e vërtetë se unë kam urdhëruar, nuk jam pishman asnjë sekondë të vetëm. Do të veproja edhe unë sot njëjtë, pa asnjë dyshim. Tjetra, jam krenar që jam edhe anëtar i PDK-së”, tha ai.

Por atij i reagoi deputeti i Vetëvendosjes, Artan Abrashi, i cili tha se Qalaj është “dëshmia për kapjen e shtetit nga PDK-ja”.

Abrashi: Qalaj dëshmon se shteti i Kosovës ka qenë i kapur

“Ai që dikur ishte drejtor i operacioneve të përgjithshme të Policisë së Kosovës, urdhërdhënësi i ndërhyrjes në një parti politike të njësisë antiterror, FIT, dy javë pas përfundimit të misionit të tij në polici përfundon në listat zgjedhore të PDK-së dhe zgjidhet deputet. Nuk na duhet asnjë raport ndërkombëtar se shteti i Kosovës është i kapur”, tha ai.

Vazhdojnë përplasjet në Kuvend për komisionin hetimor

Po vazhdojnë përplasjet pozitë-opozitë në Kuvendin e Kosovës për komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike.

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila u shpreh e gatshme për tërheqjen e nënshkrimeve të propozimit të tyre për formimin e komisionit hetimor për energjinë, por me kusht që opozita të përfshijë kërkesat e tyre.

Kusari-Lila: Merrni temat tona bëni pjesë të propozimit tuaj, ua votojmë sot kërkesën

“Ky insistim jo që është i pakuptimtë, por opozita po i jep të drejtë vetes të mbajë këtë rrugë, por po e qet veten më të dobët... Ne po ju themi, merrni kërkesat tona në temat për hetim parlamentar. Madje këto aktuale të përmendjes së ambasadorit, takimet e tij që po i dini dhe bilancet të dy-tri ditëve të fundit nuk i keni në kërkesë. Duhet të azhurnoni kërkesën, momentin që azhurnoni me të kërkim të gjetura të reja përfshini edhe këto tonat. Ne po i lejojmë 6 nënshkrime, po i miratojmë, s’kemi nevojë as për 40 nënshkrime... merrni temat tona bëni pjesë të propozimit tuaj dhe do ta votojmë që sot kërkesën për themelimin e komisionit hetimor parlamentar për energjinë”, tha ai.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se nëse i mohohet opozitës e drejta e themelimit të komisionit hetimor nuk ka asnjë kuptim qëndrimi i tyre në Kuvend.

Tahiri: Nëse na mohohet themelimi i komisionit, s’ka kuptim qëndrimi në Kuvend

“Nëse na mohohet një e drejtë, është minim i demokracisë. Qëndrimi ynë tani e tutje këtu s’ka asnjë kuptim. Nëse na mohohet një e drejtë e jona, s’ka më kuptim. Është absurde ta korrektoni ju opozitën, duke thënë se keni kërkesën mirë dhe po ua ndreqim pak”, tha ai.

Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, u shpreh kritik për debatet lidhur me komisionin hetimor parlamentar.

Selmanaj: LDK-në e prekni vetëm në fushën për Akademinë e Artave e Shkencave

“Debat koti, përfundime koti, fyerje koti dhe njerëzit normalisht që na shohin nuk ka si të mos ketë përshtypje tjetër për neve përveç urrejtjes. Në vend se të diskutonim kur të na vijnë përfundimet e raportit, ne sot po luajmë rolin e hetuesit dhe përfunduesit të çështjeve dhe vijmë në konkludime tejet absurde... Për secilën temë hapni e themeloni komision hetimor dhe i keni nënshkrimet tona. A e dini ku kapemi ne? Nëse themeloni komision hetimor për Akademinë e Arteve dhe Shkencave të Kosovës. E aty s’do të gjeni asgjë. Vetëm aty e prekni LDK-në, në asnjë fushë tjetër LDK-në nuk e prekni”, deklaroi ai.

Haliti në seancën për komision hetimor: Nuk po më pëlqen që po flitet me gjuhën e burgut

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, gjatë seancës së sotme parlamentare është deklaruar rreth çështjes së Komisionit Hetimor, për të cilin komision janë dhënë dy propozime, e para ai që të hetohet shpenzimi i energjisë gjatë krizës së fundit dhe ideja e dytë që ka ardhur nga VV-ja që të hetohet çështja e energjisë që nga pavarësia.

Haliti, ka thënë se ai do ta votonte mocionin e Vetëvendosjes për komision hetimor, por së pari duhet që VV-ja ta votojë kërkesën e opozitës.

“Vetëvendosja është pengesë më krijuar komisionin, dhe duhet të jetë e para që thotë: “Ne jemi dakord me miratuar komision siç e kanë kërkuar 40 deputetë, miratone edhe këtë tonin”. Unë e kisha votuar mocionin e Vetëvendosjes”, ka thënë Haliti.

Tutje, ai ka shtuar ai nuk e ka ditur që deputetët e VV-së, i kanë ditë të gjitha gjërat, duke shtuar përsëri që së pari duhet të votohet komisioni i opozitës pastaj ai i qeverisë.

“Unë nuk e kam ditë që i dini të gjitha. Dhe po më vjen keq që nuk kanë shkuar në prokurori, këta që i din gjithë këto keqpërdorime.  Praktikat janë që, ai që e kërkon ai me udhëheq komisionin, pastaj numri i atyre ata që janë në komision janë si të barabartë, kështu e bëjnë parlamentet në të gjithë botën. Ta formojmë këtë komision që e kanë kërkuar deputetët me 40 nënshkrime pastaj ta qesim në votim edhe komisionin tjetër le të formohet”, ka shtuar Haliti.

Në fund, Haliti tha se, pas hetimit të komisionit, sipas tij, nëse nuk ka fajtor duhet të kërkohet falje, por nëse dalin fajtor e keqpërdorime duhet ata persona me shkua në burg.

“40 deputet po dyshojnë që ka pas keqpërdorime. Ajo kryhet për një javë, s’ka nevojë për gjashtë muaj. Shënimet janë. Nëse s’ka keq përdorime, unë besoj që duhet me kërkuar falje, nëse ka pas keq keqpërdorime duhet me fol me gjuhën tjetër.  Hajn është ai që e nxajn.. Nëse e nxajnë dikë tu vjedh duhet me shkuar në burg, nëse dikush e ka keq përdor buxhetin e shtetit duhet me shkuar në burg.  Kush është për burg shkon në burg, kush është për jashtë rrinë jashtë. Nuk po më pëlqen që folët vetëm me gjuhën e burgut e të urrejtjes”, përfundoi Haliti.

Deputetët shkojnë në pauzë, për t’u rikthyer në ora 15:00

Pas një seance përplot acarime dhe gjuhë të ashpër ndaj njëri-tjetrit, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë shkuar në pauzë deri në ora 15:00.

Këtë e njoftoi gjatë seancës kryeparlamentari Glauk Konjufca, ndërsa po replikohej mes deputetëve për çështjen e Komisionit Hetimor Parlamentar, mbi menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria Kurti.

​Murati: Banka Botërore po e merr shembull Kosovën për menaxhim të krizës energjetike

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se nëse duhet të bëhet hetim parlamentar për çështjen e energjisë, atëherë duhet të përfshirë periudhën prej vitit 2008 e tutje.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Murati ka deklaruar se fillimisht duhet hetuar se ku kanë shkuar 210 milionë euro të ndara në vitin 2008.

Murati: Nëse doni hetim t’i hyjmë prej fillimit sektorit energjetik 

“Është e rëndësishme dhe ne si qeveri e mbështesim, nëse doni hetim, lë t’i hyjmë prej fillimit, le t’i hyjmë komplet sektorit të energjetikës prej fillimit, që nga ndarja e 210 milionë eurove në vitin 2008. Ku kanë shkuar 210 milionë euro. 210 milionë euro janë shpenzuar. Mund t’i hetojmë se ku kanë shkuar ato mjete deri në ditën e fundit, por ta marrim komplet filmin siç u tha këtu më parë”, ka thënë Murati. 

Ai ka lavdëruar punën e qeverisë sa i përket menaxhimit të krizës energjetike.

Murati: BB ka dhënë lëvdata për Kosovën për menaxhimin e krizës energjetike

“Sa i përket energjisë dhe krizës energjetike, prapë po them, që e ka kapluar gjithë botën, e sidomos edhe rajonin tonë, javën e kaluar isha edhe në Uashington gjatë takimeve pranverore me Bankën Botërore dhe FMN-në. Në takimin që kisha me përfaqësuesit e Bankës Botërore u dhanë lëvdata për mënyrën si është menaxhuar kriza energjetike dhe na thanë se kur po na pyesin shtetet e tjera, po u japin Kosovën si shembull për menaxhimin e krizës energjetike. Pse? Këtu ka pasur përfaqësues edhe të institucioneve të tjera dhe mund t’i pyesni”, ka thënë Murati.

Sipas tij kjo është bërë duke siguruar furnizim të rregullt të energjisë dhe duke siguruar mbrojtje për familjet në nevojë duke mos e rritur çmimin e energjisë për ato familje.

Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë punimet nga ora 15:00.

​Kryetari i PDK-së përplaset me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka adresuar një varg akuzash ndaj shumicës parlamentare në Kuvend për bllokim të komisionit hetimor parlamentar.

Ai gjatë seancës së Kuvendit, tha se kryeministri Albin Kurti mundet të vonojë komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike, por jo ta ndal. 

Krasniqi: Albin Kurti mundet me vonu këtë hetim, ama nuk ka me e ndal

“Albin Kurti mundet me vonu këtë hetim, ama nuk ka me e ndal. Kanë me dal krejt përgjegjësit, shkeljet, s’po iu themi na se janë bërë krime, por vetëm ka dyshime për keqpërdorime marramendëse. Duhet me dhanë përgjigje, del ministrja se pata qejf me diskutu me të, por iku”, tha ai. 

Duke iu kundërpërgjigjur propozimit të mazhorancës për komisionin hetimor, Krasniqi kërkoi nga pushteti të hetojë gjithçka çka ka ndodhur këto 20 vjet, pasi i ka të gjitha hallkat e pushtetit në dorë. 

Krasniqi: E keni pushtetin e plotë, hetoni 

“E keni pushtetin e plotë, ky ndikim i juaji është pothuajse absolut në secilën hallkë të pushtetit të Kosovës. Pse nuk po i hetoni krejt këto 20 vjet që keni akuzuar sa e sa kohë. Hetoni me Prokurori Speciale, me themelore, ministri dhe gjithçka tjetër. Hiç më larg, Mimoza Kusari-Lila është në bankën e të akuzuarve për atë të kaluar. A e dini çka është ironia se unë jam i bindur se s’ka bërë asnjë faj, ndërsa ju jeni të bindur se ka shkel ligjin dhe ka bërë krimin. Ashtu keni thënë të kaluarën, për KEDS-in që ka shit lirë dhe për të njëjtin që ja keni dhënë 100 milionë euro subvencion”, deklaroi ai. 

Gjatë fjalës së tij në foltore të Kuvendit, Krasniqi iu drejtua disa herë deputetëve të LVV-së, për çka i reagoi deputeti, Mirsad Shkreta, i cili aludoi se Krasniqi ka ardhur në Kuvend nga rruga. 

Lexo lajmin e plotë KËTU.

Krasniqi i quan azilanta të Vetëvendosjes disa ish-deputetë të PDK-së e LDK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Komisioni Hetimor për Energjinë Elektrike duhet të votohet për t’u formuar.

Derisa ai ishte duke folur energjinë, ka reaguar dikush nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit Krasniqi iu referuar si azilant.

“Qetësohu se edhe ti je një prej azialantave në Lëvizjen Vetëvendosje, qesi azilanta jeni gjysma, ti ke ik prej PDK-së, ai tjetri ka ikur nga LDK”,ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se kryeministri Albin Kurti mundet vetëm ta vonojë votimin e këtij Komisioni, por se nuk mundet ta ndalojë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat