Kurti në Samitin e Berlinit, kancelari gjerman i bën thirrjen e fortë BE-së

Aktuale

Kurti në Samitin e Berlinit, kancelari gjerman i bën thirrjen e fortë BE-së

Më: 3 nëntor 2022 Në ora: 07:36 Përditësuar në ora: 13:01 më 03.11.2022
Fotografia e përbashkët me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor

Kurti, Bërnabiq dhe liderët tjerë të Ballkanit nënshkruajnë tri marrëveshje në Berlin

Gjashtë udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë vënë nënshkrimet e tyre mbi tri marrëveshje që u dakorduan në kuadër të Procesit të Berlinit.

Nënshkrimi vjen pas mbajtjes së Samitit të Ballkanit Perëndimor, ku pjesëmarrës ishte kancelari gjerman, Olaf Scholz, si nikoqir, si dhe presidentja e Komisionit Europian, Ursul von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel.

Kosovën në këtë samit po e përfaqëson kryeministri Albin Kurti, derisa nga Serbia ka shkuar kryeministrja serbe Ana Bërnabiq, krahas katër liderëve të tjerë.

Në fjalën hyrëse të takimit, Scholz tha se këto marrëveshje do t’ia bëjnë më të lehtë jetën qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

“Sot do t’i nënshkruani tri marrëveshje të rëndësishme që do t’ia lehtësojnë njerëzve jetën. Tregu i përbashkët rajonal do të shtyjë përpara ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj. Marrëveshja do të ndihmojnë qytetarët tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime. Një student nga Sarajeva mund të përfundojë  studimet në Beograd apo një inxhinier në Tiranë duke përdorur gradën e tij mund të gjejë një punë në Shkup”, tha Scholz, derisa shtoi se këto marrëveshje i sjellin vendet afër standardeve të BE-së.

Scholz: Nënshkrimi i tri marrëveshjeve, hap i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor

Ka nisur punimet Samiti i Ballkanit Perëndimor në Berlin, ku kancelari gjerman Olaf Scholz tha se Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj. Derisa kërkoi përshpejtim në normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Scholz tha se është koha që të tejkalohen konfliktet rajonale, në mënyrë që normalizimi i raporteve Kosovë-Serbi të jap rezultatet e veta.

Scholz: Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet

“Ju, gjashtë vendet e Ballkanit i përkisni Evropës së lirë dhe të plotë dhe anëtarësimi juaj në BE është në interesin tonë. E, të gjithë ne duhet të shtojmë angazhimin tonë për të përmbushur pritshmëritë e ngritura gati njëzet vjet më parë në Selanik. Premtimi për të ardhmen evropiane për qytetarët dhe vendet tuaja është punë e jona për ta kthyer premtimin në realitet dhe kjo na ka bërë bashkë sot. Më vjen mirë që ky vizion ndahet nga të gjithë ju... Së bashku jemi të bindur se procesi i Berlinit jo vetëm që do të ndihmojë në çlirimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do të përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor... Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet, kështu që le ta bëjmë këtë. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin në Gjermaninë, dhe mund të llogarisin në mbështetjen e Procesit të Berlinit”, tha Scholz.

Kancelari gjerman më tej ka shtuar se Procesi i Berlinit ka për qëllim të përshpejtojë integrimin evropian të të gjitha vendeve të Ballkanit. Ai tha se qytetarët e Ballkanit mund të llogarisin te Gjermania dhe ky proces për mbështetje.

Scholz: Nënshkrimi i tri marrëveshjeve, hap i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor

"Sot, ju liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor po ndërmerrni tre hapa të rëndësishëm në këtë rrugë duke nënshkruar tre marrëveshje shumë të rëndësishme që do ta bëjnë jetën më të lehtë për njerëzit. Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj, marrëveshjet do t'ju mundësojnë qytetarëve të kalojnë kufijtë midis vendeve tuaja duke përdorur vetëm letërnjoftimet e tyre, do të bëhet e mundur që një student nga Sarajeva të mund të përfundojë studimet në Beograd, ose që një inxhinier nga Tirana të përdorë diplomën e tij dhe të marrë një ofertë pune në Shkup. Ju po ndërmerrni këto hapa të guximshëm pas më shumë se dy vitesh negociatash. Kjo ju sjell dukshëm më afër standardeve të BE-së dhe plotëson tregun e përbashkët rajonal, për të cilin të gjitha vendet tuaja u angazhuan në vitin 2020", tha kancelari gjerman. 

Abazoviq në Procesin e Berlinit: Po i afrohemi edhe më shumë vlerave të BE-së

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, ka folur në lidhje me zhvillimet e Procesit të Berlinit, samit ky i liderëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet aktualisht në Berlin, nën udhëheqjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ai tha se së shpejti do të nënshkruhen tri marrëveshje mes të gjashtë shteteve të BP-së, Kosovë, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnje e Hercegovinës dhe Serbisë.

“Po krijojmë një rajon më të mirë e më të integruar, edhe më afër vlerave të BE-së. Sesionet punuese në Samitin e liderëve të shteteve të Procesit të Berlinit ku flasim për bashkëpunimin rajonal, për tregtinë e përbashkët rajonale dhe sigurinë e furnizimit dhe transformimit.

Së shpejti do të nënshkruajmë tre marrëveshje rajonale për lirinë e lëvizjes me kartë identiteti, për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë dhe për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve”, shkroi Abazoviqi në Facebook.

Në këtë samit, Kosova përfaqësohet nga kryeministri Albin Kurti.

Samiti i Berlinit, shkrepet fotografia e përbashkët me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor

Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë takuar sot në Berlin në një samit të udhëhequr nga kancelari gjerman Olaf Scholz.

Në fjalën e tij hyrëse, Scholz edhe një herë ka theksuar se e ardhmja e Ballkanit Perendimor është në Bashkimin Evropian.

Pas këtij fjalimi, ata kanë kanë shkrepur një fotografi të përbashkët.

Në mesin e tyre është kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ajo e Serbisë, Ana Bërnabiq dhe të tjerë.

Dalin pamjet/ Bërnabiq e shmang përshëndetjen me Kurtin, kryeministri qesh përkrah Ramës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti qeshi me batutat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe u duk në disponim të mirë para hapjes së Samitit të radhës për Ballkanin Perëndimor, i cili po mbahet sot në Gjermani, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Kurti hyri në sallën ku po mbahet ky samit dhe u ul pranë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Para takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq eci përreth tavolinës së rrumbullakët për t’i përshëndetur të pranishmit, me përjashtim të kryeministrit të Kosovës.

Pasi u përshëndet me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel, Bërnabiq e preku në sup Ramën, i cili nuk po shikonte drejt saj, dhe e përshëndeti. Të njëjtën nuk e bëri me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ishte ngjitur me Ramën.

Kurti qeshi me një batutë që Rama e bëri përpara se kancelari gjerman, Olaf Scholz ta merrte fjalën për hapjen e samitit.

Pamjet nga minuta 01:15:

Von Cramon kritikon Francën dhe vendet e tjera të BE-së që janë kundër liberalizmit të vizave për Kosovën

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka thënë se është shumë frustuese se disa vende si Franca, por edhe të tjera në BE janë skeptike për sa i përket mosliberalizimit të vizave për Kosovën.

Këtë deklaratë eurodeputetja e ka dhënë në panelin e “Procesi i Berlinit 2.0”, ka raportuar Deutsche Welle.

“Është shumë frustruese që Franca dhe disa vende tjera të BE-së akoma janë skeptike dhe kanë dyshime se a duhet t’i hiqen vizat qytetarëve të Kosovës, përderisa Kosova i ka plotësuar kriteret. Unë personalisht jam e befasuar me këtë skepticizëm dhe thjesht nuk kam ndonjë shpjegim”, ka thënë von Cramon.

Ajo ka thënë se kosovarët e kanë shumë të nevojshme që të lëvizin lirshëm. 

Procesi i Berlinit, Kurti me dokumente në dorë hyn në sallë dhe ulet pranë Ramës

Kyreministri Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e radhës për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet sot në kryeqytetin e Gjermanisë.

Kurti u fut në sallën ku po mbahet ky samit dhe u duk me disponim të mirë. Përpara hapjes së samitit, kryeministri shkoi dhe u ul pranë homologut të tij shqiptar, Edi Rama.

Me Ramën, si zakonisht, qeshën pak. Kryeministri shqiptar, siç bën rëndom, u kujdes për batutat para nisjes së samitit.

Image

Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor pritet që t’i nënshkruajnë tri marrëveshje që parashikojnë lëvizjen e lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave dhe njohjen dhe kualifikimet për profesionistët.

Kurti pritet që sot t’ia shpreh sy më sy Szholzit përshtypjet e tij për propozimin franko-gjerman rreth një marrëveshje që synohet të arrihet shpejt në dialogun me Serbinë.

Përshtypjet dhe propozimet e Kosovës rreth kësaj çështjeje, Kosova paraprakisht i ka dërguar me shkrim në adresë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Scholz: Evropa e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj

Kancelari gjerman, Olaf Scholz në hapje të samitit të Procesit të Berlinit ka thënë se Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj.

“Gjatë vitit tim të parë si kancelar i Gjermanisë kam pasur mundësinë të flasë me shumë nga ju për sfidat e rënda që e ballafaqojnë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këto sfida janë të përbashkëta sepse stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit nuk mund të ndahet nga stabiliteti dhe prosperiteti i Evropës si tërësi.

Evropa mund të jetë e plotë vetëm me Ballkanin Perëndimor si pjesë e saj.

Ju gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkisni Evropës së lirë dhe anëtarësimi i juaj në BE është në interesin tonë“, ka theksuar Scholz, në hapje të këtij samiti.

Scholz: Le ta kryejmë normalizimin Kosovë-Serbi

Në Berlin të Gjermanisë, ka nisur të mbahet takimi ndërmjet përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kancelari gjerman i cili është edhe udhëheqës i këtij samiti, Olaf Scholz, ka bërë thirrje që ta kryhet normalizimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Pamje/ Kryeministri Kurti mbërrin në Samitin e Berlinit, pritet nga kancelari gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbërritur në Samitin e Berlinit.

Kurti u prit nga nikoqiri i këtij samiti, kancelari Olaf Scholz.

Pjesëmarrës në këtë samit do të jenë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat