Opozita kritikon Qeverinë për mosemërim të Bordit, nga Trusti flasin për pasojat

Aktuale

Opozita kritikon Qeverinë për mosemërim të Bordit, nga Trusti flasin për pasojat

Më: 21 mars 2023 Në ora: 15:42
Mimoza Kusari- Lila- Ferat Shala

Partitë opozitare në vend ditët e fundit kanë ngritur shqetësime se mos emërimit i Bordit të ri në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës po rrezikon kursimet e qytetarëve. Por, mazhoranca këto deklarata po i quan spekulime me tendencë që të ngjallin panik tek qytetarët.

E në një përgjigje për median nga Fondi i Kurimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) deklarojnë se mjetet e FKPK-së si tërësi nuk janë të rrezikuara, por ritheksojnë se institucioni është në gjendje të vështirë pa organin kryesor vendimmarrës sipas legjislacionit në fuqi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala e ka quajtur papërgjegjësi totale të Qeverisë së Kosovës mos vendosjen me kohë për Bordin menaxhues të trustit.

Shala thekson se rënia e aksioneve është shqetësues ndërsa po mungojnë veprimet nga ana institucionale.

“Neglizhenca dhe papërgjegjësia totale e institucioneve të shtetit dhe Qeverisë për mos vendosjen me kohë të Bordit menaxhues të Trustit na shqetëson në shkallën më të lartë të mundshme, sepse ne e mbyllëm vitin 2022 me humbje prej 118 milionë euro në Trust. Ndërsa, ky trend i humbjeve është jashtëzakonisht shqetësues edhe në këtë vit dhe statistikat e fundit tregojnë se vetëm në këtë muaj kemi humbje rreth 60 milionë euro. Pra, këto humbje permanente duke u përcjell edhe me rënien e aksioneve në bursat ndërkombëtare sot aksionet nga 1.63 kanë rënë në 1.60 që do të thotë trendi i rënies së aksioneve i humbjes së mjeteve të kontribuuesve të Kosovës është jashtëzakonisht shqetësues dhe nuk kemi asnjë veprim konkret të institucioneve”, u shpreh ai.

Sipas Shalës, i cili është edhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonomi mjetet e trustit janë pa menaxhim dhe nën mëshirë të fatit.

“Janë pa menaxhim dhe kjo shumë e madhe e qytetarëve të Kosovës, e kontribut dhënësve në këto rrethana të krizës globale dhe lëvizjes së tregjeve e luftërave me i lënë nën mëshirën e kohës pa nivel menaxhues vërtet nuk ka koment as në kuptimin social, as menaxhues e aq më hiq ekonomik. Dhe në këtë relacion Qeveria do të duhej urgjentisht të vepronte nuk ka guxuar në asnjë shkallë që mjetet e Trustit të mbesim pa menaxhim. Pra nuk ka vendimmarrje, nuk ka organizim e analizë dhe nuk ka predispozita pozitive për t’i tërhequr apo rialokuar nëpër institucionet tjera financiare. Gjithçka është në mëshirën e fatit të kohës dhe të krizave eventuale”, theksoi deputeti Shala.

Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila deklaratat se skadimi i afatit të Bordit të Trustit ndikon në performancën e kursimeve i quan spekulative me tendencë të shkaktojnë panik tek qytetarët.

Ajo thotë se e Ligji për kursimet pensionale e parasheh që në rastet kur nuk zgjidhet bordi i ri, bordi ekzistues ka mandat për 90 ditë.

Ndërsa, për rrezikun e investimeve, Kusari-Lila theksoi se ato janë të investuara në tregjet financiare afatgjate, dhe si të tilla janë të sigurta.

“Nuk ka ndërlidhje midis skadimit të afatit të Bordit të Trustit dhe ndërrimit të vlerës së aksioneve në tregjet ndërkombëtare. ......çfarëdo deklarate e cila është ndryshe nga kjo është spekulative synon të shkaktoj panik dhe pasiguri tek qytetarët e Republikës në veçanti që ka qenë kërkesë e opozitës edhe tërheqja e 30% duke synuar që me atë tërheqje do të mund të ballafaqohet pasojat e inflacionit....Edhe deklarata se mungesa apo skadimi i afatit të Bordit për të cilin ekziston edhe një 90 ditësh siç është i paraparë me ligjin e kursimeve pensionale po shkakton humbje nuk qëndron, ndërsa tek mandati i Bordit pas skadimit të mandatit janë edhe 90 ditë tjera që anëtarët e njëjtë të Bordit mund të ushtrojnë detyrën e tyre deri në zgjedhje e anëtarëve të rinj të Bordit”, u shpreh ajo.

E gjatë ditës përmes një përgjigje me shkrim nga Fondi i Kursimeve Pensionale kanë deklaruar se nuk mund të thuhet se mjetet e FKPK-së si tërësi janë të rrezikuara.

Por, theksuan për gjendjen e vështirë të këtij institucioni pasi në fund të muajit shkurt i ka skaduar mandati Bordit menaxhues.

“Bazuar në përvojën e institucionit dhe përbërjes së portofolit aktual investues, nuk mund të themi që mjetet e FKPK-së si tërësi janë të rrezikuara, por gjithsesi institucioni është në gjendje të vështirë pa organin kryesor vendimmarrës sipas legjislacionit në fuqi. Njëkohësisht duam të sqarojmë i se FKPK-ja i ka kryer të gjitha detyrat me kohë, duke e njoftuar disa herë Komisionin Përzgjedhës (ku bëjnë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ministri i Financave dhe Auditori i Përgjithshëm) për afatet e e skadimit të mandatit të Bordit Drejtues të FKPK-së. Po ashtu FKPK-ja, sipas kërkesës se Komisionit, e ka shpallur konkursin për anëtarë të Bordit Drejtues dhe pas mbarimi të konkursit i gjithë dokumentacioni për kandidatët për anëtarë të Bordit Drejtues janë dorëzuar në BQK”, thuhej në shkresën e Fondit të Kursimeve Pensionale.

Për më tepër, Trusti bën të ditur se për shkak të situatës së krijuar në tregjet financiare prej 10 marsit 2022 e deri më 17 mars 2023, ku disa banka të rëndësishme për ekonominë globale shfaqen vështirësi financiare duke afektuar tregjet globale, investimet e FKPK-së të Portofolit Standard po ashtu janë përballuar me luhatje të forta.

“Kjo bëri që i gjithë kthimi pozitiv nga investimet në muajt janar e shkurt 2023 të zhvlerësohet dhe për periudhën 1 janar 2023 e deri më 20 mars 2023 (për datën e fundit që i kemi të dhënat në dispozicion) Portofoli Standard e ka një rënie prej -1.5% ose një kthim bruto prej rreth -36 milionë euro. Ndërsa për të njëjtën periudhë, Portofoli Konservativ ka një kthim pozitiv prej rreth +0.7% ose rreth 800 mijë euro, kjo meqë investimet e këtij portofoli janë në instrumente me kthim potencial dhe risk ndjeshëm më të ulët”, thonë nga Trusti.

Në fund të muajit shkurt u ka skaduar mandati anëtarëve të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat