AUV ndalon prodhimin e pleskavicës “Buquku” pas rezultateve të pakënaqshme për E. coli

Aktuale

AUV ndalon prodhimin e pleskavicës “Buquku” pas rezultateve të pakënaqshme për E. coli

Nga: Bota sot Më: 28 nëntor 2026 Në ora: 11:33
Mishi

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përkohësisht prodhimin e produktit “Pleskavicë Buquku 0.5 kg”, të prodhuar nga kompania Buquku SH.P.K. në Pejë, pasi analizat laboratorike kanë evidentuar nivele të pakënaqshme të bakterit Escherichia coli (E. coli).

Sipas njoftimit të AUV-së, gjatë kontrolleve zyrtare është konstatuar se produkti, me datë prodhimi 12 nëntor 2026 dhe numër aprovues RKS-144, nuk i përmbush kriteret mikrobiologjike të përcaktuara me legjislacionin në fuqi.

Bazuar në raportin laboratorik Nr. 5640/2026, mostrat e analizuara kanë rezultuar me nivele të bakterit E. coli mbi pragun referues të përcaktuar për higjienën e procesit të prodhimit.

Pas këtyre rezultateve, inspektorët e AUV-së kanë urdhëruar ndalimin e përkohshëm të prodhimit të këtij produkti dhe tërheqjen e sasive të mbetura nga tregu.

Gjithashtu, kompania është obliguar të identifikojë burimin e kontaminimit, të dokumentojë gjurmueshmërinë e produktit dhe të ndërmarrë masa korrigjuese për përmirësimin e higjienës gjatë procesit të prodhimit, kontrollit të lëndës së parë dhe sistemit të vetëkontrollit HACCP.

AUV ka bërë të ditur se prodhimi nuk do të lejohet të rifillojë pa u eliminuar mangësitë e konstatuara, pa u konfirmuar përmes analizave laboratorike përmbushja e kritereve mikrobiologjike dhe pa u verifikuar sërish kushtet e prodhimit nga inspektorët e Agjencisë.

Ndërkohë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka kërkuar mbikëqyrje të shtuar ndaj operatorëve që kanë jokonformitete të përsëritura, si dhe rivlerësim të profilit të tyre të rrezikut.

Në fund, AUV ka rikujtuar se përgjegjësia për respektimin e standardeve të sigurisë ushqimore u takon operatorëve që prodhojnë dhe vendosin produkte në treg, ndërsa Agjencia ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e këtyre standardeve dhe të ndërmarrë masa për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat