‘Luftë’ për postin e kryetarit, Kadri Veselit i del punë e madhe në Drenas

Aktuale

‘Luftë’ për postin e kryetarit, Kadri Veselit i del punë e madhe në Drenas

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 4 nëntor 2016 Në ora: 09:10
Kadri Veseli

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpallur datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit.

Në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese dhe ligjore, duke respektuar afatet ligjore dhe pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive kryesore politike, presidenti Thaçi ka marrë vendim për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit, më 4 dhjetor 2016.

E derisa dita e zgjedhjeve po afron, subjekti më i madh në këtë komunë, Partia Demokratike e Kosovës, ende nuk ka zyrtarizuar të nominuarin e saj për pozitën e kryetarit të Drenasit. Madje brenda kësaj partie, është duke u zhvilluar një garë e madhe ndërmjet asamblistëve pikërisht për këtë pozitë.

Fillimisht, jo zyrtarisht u mësua se PDK do të nominojë kryesuesin e Kuvendit Komunal të Drenasit, Naim Bazaj për kryetar, ky i fundit konfirmoi për mediat se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi ka thënë se është duke pritur një përgjigje nga kryetari i PDK-së Kadri Veseli. Por, ai ka kërcënuar partinë e tij se nëse nuk e kandidon,  garës do t’i hyjë si kandidat i pavarur.

Bazaj ka disa ditë që ka nisur fushatën e brendshme, duke shkuar në lagje në  fshatra të ndryshme për të kërkuar mbështetje. Ai është i bindur se do ta fitojë garën për të parin e Drenasit, ndërsa ka deklaruar se këtë post do ta fitojë edhe nëse PDK nuk e kandidon fare.

“Unë kam marr përkrahjen e 27 fshatrave për të kandiduar dhe të hënën ia kam dërguar edhe kryetarit të partisë, Kadri Veseli, të nënshkruar nga nëndegë e bashkësi në Drenas”, ka thënë Bazaj.

Për pozitën e të parit të Drenasit është kapur edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci, i cili përmes rrjeteve sociale ka deklaruar se nëse Kryesia e PDK-së dhe drejtuesit e lartë të partisë vendosin që të kandidojnë atë, atëherë ai është i gatshëm ta lë detyrën e ambasadorit.

Por ai ka thënë se kjo është vetëm shfaqje e gatishmërisë së tij, përderisa ka pranuar se nuk i është bërë ende ndonjë propozim ose bisedë konkrete.

“Nëse Kryesia e Partisë Demokratike dhe drejtuesit e lartë të saj do të më afrojnë marrjen përsipër të kandidimit tim në detyrën e Kryetarit te Komunës së Drenasit, vendlindjes sime, atëherë do të jem i gatshëm që, duke lënë detyrën e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Tiranë, t’i përkushtohem një detyre të re, dhe këtë do e bëja me të gjithë atë përkushtim që kam realizuar me punë edhe funksione të tjera”, ka deklaruar Lladrovci.

Kandidat tjetër serioz për t’u kandiduar nga PDK-ja për kryetar të Drenasit është asambelisti Xhavit Drenori.

Në një prononcim për gazetën “Bota Sot”, Drenori ka thënë se PDK-ja e Kadri Veselit gjendet para një sfide në përzgjedhjen e kandidatit për kryetar të kësaj komune, sepse, sipas tij, qytetarët presin shumë më shumë se sa një kandidat të pranueshëm.

Sipas tij, qytetarët presin ndryshim të mendësisë së qeverisjes nga e kaluara, e cila siç thotë ai, i ka ngjarë më shumë një regjimi autoritar duke margjinalizuar qytetarët dhe përveç mospjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje, ata nuk janë ndjerë të barabartë në të mirat e komunës.

Drenori, edhe pse i përket PDK-së, njihet si “opozitari” më i madh në Kuvendin Komunal, gjatë punës së tij për tri vite ka dhënë shembull të llogaridhënies ndaj qytetarëve, pasi shumë herë ka denoncuar edhe keqpërdorimet që ka bërë partia e tij, kur ka qenë në pyetje interesi i qyetarëve.

Prandaj, ai thotë se nëse partia nuk e gjen një një kandidat të pranueshëm për masën, kandidat pa probleme me ligjin dhe që ka aftësinë dhe guximin që të mos lejojë që të ngrihet një piramidë (regjim autoritar), është i gatshëm të kandidojë si i pavarur.

“Unë nuk guxoj të rri duarkryq dhe tendencës që në pozitën e Kryetarit të Drenasit do të vinte një figurë që do të përpiqej që të ruante “piramidën”  tashmë të rrëzuar, unë do të dalë edhe si kandidat i pavarur”, është shprehur Drenori, duke shtuar se ka marrë shumë mendime nga qytetarët që luftën ndaj së keqes në qeverisjen lokale ta vazhdojë edhe nga ai pozicion.

Ndryshe, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Drenasit, po organizohen pas dorëheqjes së kryetarit Nexhat Demaku, të cilit Gjykata e Apelit, ia vërtetoi aktgjykimin e Themelores në rastin e njohur si ‘Drenica 2’.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat